‘Luks kontrabandë’, procedohen 9 tregtarë - Tiranë, nuk deklaronin të ardhurat nga aktiviteti i tyre

18 Korrik 2026, 10:50Bota TEMA
‘Luks kontrabandë’, procedohen 9 tregtarë - Tiranë,

Tetë subjekte tregtare ku shiteshin pajisje elektronike, si dhe veshje e aksesorë të markave luksoze, të dyshuara si mallra kontrabandë, janë konstatuar gjatë një operacioni të Policisë.

Si rezultat i kontrolleve, u proceduan penalisht nëntë administratorë dhe përfaqësues të këtyre subjekteve, pasi dyshohet se nuk deklaronin të ardhurat nga aktiviteti i tyre.

Operacioni i koduar “Illegal Trade” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa kontrollet u kryen në zbatim të një vendimi të Gjykatës.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 16 telefona celularë, 10 njësi kompjuterike, një laptop, si dhe 11 çanta dhe veshje të markave luksoze, të cilat nuk shoqëroheshin me dokumentacion që provonte origjinën dhe zhdoganimin e tyre.

Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se të ardhurat nga shitja e këtyre produkteve nuk deklaroheshin në organet tatimore. Në një prej subjekteve u konstatua edhe tregtimi i produkteve pa lëshuar kupon tatimor, ndaj u vendos masa e pezullimit të ushtrimit të aktivitetit.

Lini një Përgjigje