Protestuan kundër një ceremonie neofashiste, 40 aktivistë në Itali përballen me gjoba të majme

18 Korrik 2026, 10:20Bota TEMA
Protestuan kundër një ceremonie neofashiste, 40 aktivistë në

Në qytetin e Lecco-s në Itali, rreth 40 aktivistë antifashistë dhe qytetarë të thjeshtë janë gjobitur me shuma që variojnë nga 3 mijë deri në 10 mijë euro, pasi protestuan kundër një ceremonie përkujtimore të organizuar nga grupe neofashiste.

Sipas autoriteteve italiane, protestuesit akuzohen se kanë penguar zhvillimin e ceremonisë përmes thirrjeve me megafon, përdorimit të borive të stadiumit, bilbilave, si edhe duke bërë zhurmë me tenxhere dhe kapakë. Masat janë marrë në zbatim të dekreteve të reja për sigurinë, të cilat, sipas aktivistëve, mund të çojnë edhe në kufizime për pjesëmarrjen e tyre në protesta të ardhshme.

Ngjarja ndodhi më 27 prill, kur rreth 30 militantë të organizatave neofashiste, të shoqëruar nga një numër i madh efektivësh të policisë dhe karabinierëve, zhvilluan një ceremoni pranë stadiumit të Lecco-s. Aty, më 28 prill 1945, u pushkatuan 16 anëtarë të Brigadave Leonessa dhe Batalionit Perugia të Republikës Sociale Italiane (RSI), të njohur për bashkëpunimin me trupat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas dokumenteve historike, këto njësi morën pjesë në operacione kundër Rezistencës italiane dhe konsiderohen përgjegjëse për arrestimin dhe vrasjen e qindra partizanëve dhe civilëve. Një nga episodet më të njohura është ai i quajtur “mashtrimi me flamurin e bardhë”, kur ushtarët fashistë ngritën flamurin e bardhë për të tërhequr partizanët dhe më pas hapën zjarr ndaj tyre.

Përkujtimi i 16 ushtarakëve të RSI-së është kthyer vitet e fundit në një aktivitet të përvitshëm të grupeve neofashiste në Lecco, duke shkaktuar reagime të forta nga organizatat antifashiste dhe banorët e qytetit. Lecco është një nga qytetet që ka paguar një çmim të lartë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me qindra partizanë të vrarë dhe qindra të tjerë të deportuar në kampet naziste.

Edhe këtë vit policia autorizoi zhvillimin e ceremonisë, ndërsa kishte miratuar edhe një protestë në një zonë tjetër të qytetit. Megjithatë, organizatorët e ceremonisë e zhvendosën aktivitetin një ditë më herët, çka bëri që dhjetëra aktivistë dhe qytetarë të mblidheshin spontanisht në vendngjarje.

Sipas policisë, rreth 60 persona morën pjesë në protestë. Nuk pati përplasje me forcat e rendit apo tentativa për të thyer kordonin e sigurisë, por vetëm thirrje kundër fashizmit dhe zhurmë me mjete të improvizuara.

Një prej aktivistëve tha se protesta ishte spontane dhe kishte për qëllim të kundërshtonte një aktivitet që, sipas tij, bie ndesh me vlerat kushtetuese të Italisë. Ai hodhi poshtë edhe akuzat për kërcënime ndaj pjesëmarrësve në ceremoni, duke theksuar se slogani më i ashpër i dëgjuar ishte: “Fashistë të poshtër, kthehuni në kanalizime”, një thirrje që, sipas tij, është përdorur prej dekadash në protestat antifashiste.

Lini një Përgjigje