"Në djall" gazi rus: BE sheh nga Egjipti dhe Izraeli

10 Qershor 2022, 21:30Bota TEMA

"Në djall" gazi rus: BE sheh nga Egjipti dhe Izraeli

Komisioni Evropian u ka propozuar vendeve anëtare të BE-së një marrëveshje me Egjiptin dhe Izraelin për të rritur importet e gazit natyror nga Mesdheu lindor, raportoi Reuters, duke cituar një draft dokument të 7 qershorit, të cilit iu dha akses.

Draft memorandumi i mirëkuptimit, i cili ende është subjekt i ndryshimeve dhe duhet të miratohet nga qeveritë e përfshira, është pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të reduktuar importet e karburanteve fosile nga Rusia pas luftës në Ukrainë.

“Gazi natyror që do t’i dërgohet Bashkimit Evropian do të vijë ose nga Republika Arabe e Egjiptit, Izraeli ose ndonjë burim tjetër në rajonin lindor të Mesdheut, duke përfshirë vendet anëtare të BE-së në rajon”, thuhet në dokumentin nëntë faqe.

BE-ja ka thënë se synon të përfundojë një marrëveshje trepalëshe me Egjiptin dhe Izraelin përpara verës, por detajet e draftit të 7 qershorit nuk janë publike.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është planifikuar të vizitojë Kajron javën e ardhshme.

Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë mbi projekt-marrëveshjen, si dhe pyetjen nëse Von der Leyen po udhëton në Egjipt për të nënshkruar memorandumin.

Projektmarrëveshja përcakton parimet për bashkëpunimin e zgjeruar midis tre partnerëve, por nuk specifikon se sa gaz do të importojë BE ose nuk cakton ndonjë afat për dërgesat.

Dokumenti thotë se dërgesat do të përfshijnë përdorimin e infrastrukturës së gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Egjipt, duke vënë në dukje se Egjipti planifikon të bëhet një qendër rajonale për gazin natyror.

Memorandumi i mirëkuptimit do të zgjasë nëntë vjet nga nënshkrimi i tij, thuhej në dokument. Kjo pjesë është ende në kllapa, gjë që është një shenjë se ka një mundësi më të madhe që të ndryshojë se paragrafët e tjerë.

Egjipti tashmë eksporton sasi relativisht të vogla gazi në BE dhe të dyja palët presin të rrisin prodhimin dhe eksportet në vitet e ardhshme.

Qeveria egjiptiane nuk ishte në dispozicion për të komentuar mbi memorandumin, shkruan Reuters.

Egjipti eksportoi 8.9 miliardë metra kub gaz të lëngshëm vitin e kaluar dhe 4.7 miliardë metra kub në pesë muajt e parë të 2022, sipas Refinitiv Eikon.

Shumica e këtyre eksporteve shkojnë në Azi.

Izraeli është në rrugë të mbarë për të dyfishuar prodhimin e gazit në rreth 40 miliardë metra kub në vit në vitet e ardhshme.

Vendi shpreson se do të arrihet një marrëveshje për furnizimin me gaz të Evropës.

Vitin e kaluar, BE importoi 155 miliardë metra kub gaz nga Rusia, që është rreth 40 për qind e konsumit të përgjithshëm të Unionit. 

1 Komente

  1. K
    Komandat Gjiza

    155 miliard m3 merr nga Rusia ,egjipti prodhon gjithsej 50 miliard dhe shumicen e do per veten e vet ,izraeli vetem 6 miliard ,Ke te drejte vlla ne djall gazi Rus

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje