Në Holandë është kryer për herë të parë eutanazia e një fëmije të sëmurë rëndë nën moshën 12-vjeçare.
Kjo është bërë e ditur përmes një letre të ministres holandeze të Shëndetësisë, Sophie Hermans, drejtuar parlamentit. Eutanazia është kryer në fund të vitit të kaluar, raporton thetelegraph.
Prej dy vitesh në Holandë është e ligjshme eutanazia për fëmijët e pashërueshëm nga mosha 1 deri në 12 vjeç. Para kësaj, eutanazia ishte e mundur vetëm për të sapolindurit dhe personat mbi 12 vjeç.
Sipas ligjit holandez, për kryerjen e eutanazisë duhet të konsultohen prindërit, vuajtja e fëmijës duhet të jetë e padurueshme dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.
Ministrja Hermans në letrën e saj tha se një komitet rishikimi, i krijuar për të monitoruar nga afër ligjin e ri, ka shqyrtuar rastin e fëmijës së paidentifikuar dhe ka biseduar me mjekun e përfshirë në proces.
Komiteti i ka përcjellë gjetjet e tij prokurorisë, e cila do të vendosë nëse mjeku ka vepruar në përputhje me ligjin. Raporti i komitetit pritet të publikohet së shpejti.
Kur ligji hyri në fuqi dy vjet më parë në Holandë, pritej që çdo vit të kishte rreth 5 deri në 10 raste eutanazie të fëmijëve.
Holanda në vitin 2002 u bë vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë për personat me sëmundje të pashërueshme që shkaktojnë vuajtje të padurueshme fizike ose psikike.
Pupupup tmerr