"Në Ukrainë nuk do të ketë paqe"

4 Shtator 2022, 12:16Bota TEMA

"Në Ukrainë nuk do të ketë paqe"

“Putini mund të na shantazhojë për muaj të tërë, për ta ndaluar atë na duhet një embargo totale ndaj naftës”, thotë Sergei Guriev, ekonomisti rus pranë “Science Po” në Paris, në një intervistë për italianen”Corriere della Sera” .


“Moska ka nevojë për para, le të bllokojmë rrjedhën e likuiditetit. Në Ukrainë nuk do të ketë paqe”.

Sergei Guriev e sheh armikun edhe përtej ujërave të liqenit të Komos. Ai pyet veten se cila mund të jetë vila, ose më saktë vilat, të marra nga Vladimir Soloviev, “një prej mbështetësve më të korruptuar dhe më besnikë të Putin-it”.


Ka gjykim të ashpër Guriev, ekonomisti i lindur në 1971 në Osetinë e Veriut, në mërgim politik që nga viti 2013, tani profesor në Parisianin “Sciences Po”.

“Soloviev konsiderohet nga shumë rusë simboli i dekadencës së regjimit”, thotë ai “por ai është edhe dëshmi e faktit se sanksionet funksionojnë”. Për këtë ai nuk ka aspak dyshime.

Pyetjes nëse vërtetë sanksionet janë të domosdoshme ai i i përgjigjet se ato janë te nevojshme për sigurinë e së ardhmes.

“Sigurisht! Nëse e lehtësojmë shtrëngimin, ndoshta do të kemi më pak dëme sot dhe më shumë nesër, si me Mynih në 1938. Ofensiva jonë ekonomike duhet të zvogëlojë sasinë e burimeve të disponueshme për luftën e Putin-it. Është një mbrojtje, jo një sulm. Nuk mund të ketë ekuivalencë morale në gjykimin ndaj Putin-it dhe Perëndimit”.

Por në qëndrimin e qeverive evropiane në thelb ai sheh një hipokrizi në sjelljet e tyre, edhe pse kanë aplikuar sanksione ndaj Moskës.

“Ata ndëshkojnë oligarkët, ndihmojnë Kievin. Mirë. Por ka një hipokrizi. Ata vazhdojnë të shpenzojnë qindra milionë dollarë në ditë për të blerë naftë dhe gaz rus. Kjo duhet të ndalojë së shpejti. Çdo euro që Evropa i paguan Rusisë financon luftën, shkatërron Ukrainën, vret qytetarët e saj dhe në fund e bën perspektivën e rindërtimit edhe më të kushtueshme”.

Përsa i përket avancimit të politikës së çatisë për çmimin e naftës dhe gazit në Evropë Guriev tregohet pozitiv në gjykimin e tij..

“Është një hap i mirë. Një politikë e tillë është e rëndësishme për Italinë, sepse Draghi ishte i pari që foli për të. Ai është një ekonomist dhe ekonomistët në përgjithësi nuk janë pro rregullimit të çmimeve, por kjo është një qasje që vlen vetëm për tregjet ku ekziston konkurrenca dhe nuk është kështu. Nafta dhe gazi janë tokë e monopoleve dhe karteleve. Në këtë kontekst, të mendosh për një tavan çmimi është plotësisht logjike”.

Pyetjes nëse është i mjaftueshëm fakti që BE-ja po punon gjithashtu për një masë të ngjashme, edhe pse të kufizuar, për gazin e përdorur për energjinë elektrike, Guriev thotë që jo, edhe pse koshient që ndoshta më shumë është vështirë të bëhet.

“Jo, nuk është i mjaftueshëm. Megjithatë, e kuptoj se sa e vështirë është të vazhdosh rrugën e sanksioneve, dhe atëherë edhe një hap i shkurtër mund të jetë i dobishëm. Çdo masë që redukton fluksin e likuiditetit tek Putin-i është i mirëpritur. Parimi është i thjeshtë: sa më pak para të shkojnë në Moskë, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, thotë ai.

Përballë faktit që Putin po bllokon furnizimet me gaz ndaj Evropës ka lindur debat dhe pyetje nëse ky është një hap serioz apo thjesht kërcënues nga ana e Putin-it.

“Nuk është një çështje e lehtë. Ai ka nevojë për para”, thotë Guriev. “Putin e nisi këtë lojë në verë me Nord Stream-in. Të dhënat na tregojnë se në korrik Rusia kishte një deficit të madh buxhetor, 900 miliardë rubla, që është e barabartë me 8% të PBB-së mujore. Janë shumë para. Është një deficit afatgjatë i paqëndrueshëm. Kjo është arsyeja pse ai ngutet, arsyeja që e shtyn të ngrejë tonin e kërcënimeve”, vazhdon ai duke nënvizuar objektivin e Putin-it dhe duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare të Italisë në 25 shtatorin e ardhshëm.

“Ai dëshiron të ndajë Evropën dhe ta detyrojë atë të kalojë një dimër në të ftohtë. Për këtë ndoshta e ndihmon mbështetja e një qeverie të re në Itali që destabilizon Bashkimin, kush e di?”

“Narrativa e krahut të djathtë”, vazhdon Guriev “është se ‘lufta është e tmerrshme, por sanksionet duhet të shmangen sepse ato na dëmtojnë ne dhe jo Rusinë’. Realiteti zbulon pikërisht të kundërtën. Por në Moskë askush nuk ankohet sepse nuk duan të përfundojnë nëpër burgje, ndërsa në Evropë fatmirësisht jemi të lirë edhe të ankohemi. Të dhënat për deficitin rus për muajin korrik tregojnë se sanksionet po funksionojnë dhe se Putini nuk mund t’i përballojë ato”.

Por për ekonomistin rus, gjithësesi kohëzgjatja e luftës varet shumë nga forca e embargos, dhe jo vetëm nga ana e Evropës, por edhe e fuqive të tjera.

“Putini mund të përballojë të shantazhojë Evropën me gaz, edhe për shumë muaj, të paktën për gjithë dimrin. Nëse i godasim të ardhurat nga nafta, situata do të vështirësohet, sepse nafta është më e rëndësishme se gazi. Pa të ardhura nuk mund të na sfidonte më. Gjithçka varet nga forca e embargos, nëse India dhe Kina do të ndjekin fuqitë e mëdha. Sa më pak lëndë të parë të blejmë nga Putin-i, aq më pak do të jetë në gjendje të na shantazhojë sepse i duhen para për të paguar luftën”, thotë Guriev.

Duke parë rezultatet në terren, në lidhje me kush po e fiton luftën Guriev sërish është realist dhe vëzhgon faktet.

“Le të shohim faktet. Putin shkoi në veri të Ukrainës dhe u tërhoq: kjo është disfatë. Ai vendosi kontakt tokësor me Krimenë: kjo qe fitore. U përpoq të pushtonte rajonin e Lugansk-ut dhe Donetsk-ut: ky qe një barazim, edhe sepse nuk është e qartë se çfarë po ndodh, flitet për një ofensivë ukrainase. Më 11 shtator, në Federatën Ruse do të mbahet një votim për zgjedhjen e 15 guvernatorëve dhe përfaqësuesve të tjerë parlamentarë. Putini donte referendume në territoret e pushtuara dhe kjo nuk do të ndodhë. Kjo është humbje”, thotë ekonomisti.

Por nuk ndalet thjesht këtu. Ai shkon më tej.

“Para luftës, Rusia kontrollonte 7% të territorit ukrainas, tani ajo kontrollon 20% të tij. Por ndërkohë Rusia ka shpenzuar një kapital të jashtëzakonshëm. Kështu që në fund të fundit, nuk mendoj se mund të flasim për fitore”.

Përsa i përket Kievit, Guriev shton që për të “fitorja do të thoshte kthim në kufijtë e paraluftës, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Do të ketë një armëpushim, jo ​​paqe”.

Lini një Përgjigje