
Pretendimi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është në realitet me shtetësi ruse dhe nuk i plotëson kushtet kushtetuese për të qenë në krye të vendit të tij, është provuar të jetë tërësisht i rremë.
Një foto e prerë, e kthyer së prapthi, digjitalizuar në mënyrën më mediokre të mundshme dhe stampuar në një pasaportë ruse, ishte përpjekja e radhës – e dështuar – e Moskës, për të diskredituar Zelenskyn.
Në prill, filloi të shfaqej nëpër media propagandistike, pikërisht fotoja e pasaportës së Zelenskyt. Më së shumti madje, ajo qarkullonte nëpër kanalet e ndryshme ruse dhe ukrainase në rrjetin Telegram.
Rrëfimi, ishte ai i një personi me pasaportë ruse, i cili ishte bërë president i Ukrainës në mënyrë jo kushtetuese. Emri? Volodymyr Zelensky!
Fati i madh në gjithë këtë mes, është se historia u kap nga të paktën dy media të pavarura në Rusi dhe hulumtimi i tyre, reflektoi të kundërtën.
Imazhi i pasaportës është tërësisht fals dhe i ripërpunuar me mjete digjitale…jo edhe aq të sofistikuara.
Me të parë këtë ngjarje të pazakontë mediatike, në punë u fut edhe media shtetërore britanike, BBC, për të vërtetuar vërtetësinë e lajmit.
Fotoja ishte një shkrepje e vjetër e presidentit Zelensky. Ai madje ngjan thuajse si adoleshent asokohe, i veshur me një kanotierë të bardhë tipike poshtë dhe sipër me një këmishë të bardhë si të najlontë, me pak shkëlqim. Si të thuash, një veshje thuajse tipike mbrëmjesh shkollore.
Një hetues i fushës, Max Bernhard, u kontaktua nga BBC-ja dhe vërtetoi se pasaporta ishte në fakt e rreme.
Bernhard zbuloi se data e lëshimit ishte e pavërtetë dhe nuk përputhej me informacionin e pasaportës vetë.
Programi me të cilin ishte krijuar, mendohet se është një program i thjeshtë e gjenerik i prodhimit të mjeteve false të identitetit.
Megjithatë, dilema nuk ka. Zelensky jo vetëm që nuk është rus, por në kursin e gjithë rrjedhës së ngjarjeve të pasagresionit, ka vërtetuar se është një ukrainas par excellence.
Lini një Përgjigje