Policia në Gjermani bastis disa prona, ngrenë dyshime për lidhje me Hezbollahun

16 Nëntor 2023, 14:10Bota TEMA

Policia në Gjermani bastis disa prona, ngrenë dyshime për lidhje

Qindra policë kanë bastisur një numër pronash nëpër Gjermani, të enjten, mbi dyshimet për lidhje me grupin Hezbollah, që mbështetet nga Irani, kanë njoftuar autoritetet, teksa Berlini po vepron për të frenuar një valë antisemitizmi mes luftës Izrael-Hamas.

Bastisjet, e kryera në 54 vende, ndodhën pasi Gjermania ndaloi aktivitetet e grupit radikal palestinez, Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe të organizatave të ngjashme, pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit, të kryer nga luftëtarët e Hamasit në Izrael.

“Ne kemi një skenë islamike para syve tanë”, ka thënë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

“Në një kohë kur një numër hebrenjsh ndihen veçanërisht të kërcënuar”, Gjermania “nuk do të tolerojë propagandën islamike apo nxitjen e armiqësisë antisemitike ndaj Izraelit”, ka shtuar ajo.

Gjermania e konsideron Hezbollahun “organizatë terroriste shiite”, ndërsa më 2020 ia ka ndaluar kryerjen e aktiviteteve në territorin e saj, raporton AFP.

Operacioni i së enjtes pati për objektiv Qendrën Islamike të Hamburgut dhe pesë grupe të ndërlidhura, teksa policia bastisi prona në gjashtë prej 16 landeve të Gjermanisë, përfshirë Hamburgun, Saksoninë e Poshtme, Hesen, Berlinin, Baden-Vyrtembergun dhe Renin Verior-Vestfalinë.

Qendra Islamike e Hamburgut drejton Xhaminë e Imam Aliut, e njohur gjithashtu si Xhamia e Kaltër, ndërsa viteve të fundit janë shtuar thirrjet për mbylljen e saj nga autoritetet, për shkak të lidhjeve të dyshuara me Iranin.

E themeluar nga imigrantë iranianë më 1953, Qendra Islamike e Hamburgut është nën vëzhgimin e inteligjencës së brendshme gjermane prej vitesh.

1 Komente

  1. M
    Mos e beso po deshe, por eshte e vertete.

    Foto sa 1 mije fjale: Mos e keni gabim, jemi ne ndonje vend arabik dhe policia gjermane ka shkuar per ndihme? A thua te jete katandisur ne kete derexhe Gjermania?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje