Republikanët në Senatin e SHBA-së kanë miratuar me vështirësi, falë votës vendimtare të zëvendëspresidentit JD Vance, mega-projektligjin e presidentit, Donald Trump për taksat dhe shpenzimet. Ky legjislacion, i pagëzuar si “One Big Beautiful” Bill (Projektligji “I Madh dhe i Bukur”), tani i kthehet Dhomës së Përfaqësuesve, ku përballet me kundërshtime të mëtejshme.
Votimi në Senat, i cili u mbyll me një rezultat 50-50, kërkoi ndërhyrjen e Vance për të thyer barazimin pas më shumë se 24 orësh debatesh intensive. Tre senatorë republikanë – Susan Collins (Maine), Thom Tillis (Karolina e Veriut) dhe Rand Paul (Kentucky) – iu bashkuan demokratëve në votimin kundër projektligjit. Megjithatë, udhëheqja republikane arriti të siguronte mbështetjen e senatores së Alaskës, Lisa Murkowski, e cila më parë kishte shprehur dyshime.
Afati i ngushtë dhe sfidat e ardhshme
Presidenti Trump kishte vendosur një afat 4 korrikun për Kongresin e kontrolluar nga republikanët që t’i dërgonin një version final të projektligjit për nënshkrim. Megjithatë, mosmarrëveshjet lidhur me deficitin, programet sociale dhe nivelet e shpenzimeve e bëjnë përmbushjen e këtij afati “shumë të vështirë”, siç pranoi vetë Trump.
Projektligji parashikon shkurtime të mëdha dhe të përhershme të taksave, të cilat u vendosën përkohësisht gjatë mandatit të tij të parë. Për të kompensuar humbjen e pritshme të të ardhurave, republikanët kërkojnë të ulin shpenzimet në një sërë programesh, duke përfshirë subvencionet ushqimore dhe kujdesin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta (Medicaid).
Kundërshtitë nga të dy krahët
Edhe pse ka kaluar Senatin, fati i projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet i pasigurt për shkak të kundërshtive nga këndvështrime të ndryshme:
Një grup konservatorësh fiskalë, përfshirë Grupin e Lirisë së Dhomës së Përfaqësuesve, shprehin shqetësimin se propozimi i Senatit mund t’i shtojë deficitit kombëtar 650 miliardë dollarë çdo vit, duke e cilësuar këtë si “mungesë përgjegjësie fiskale”.
Republikanët e tjerë të dhomës
Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve janë të shqetësuar se projektligji i Senatit parashikon shkurtime më të mëdha në programin Medicaid sesa ato që kishin miratuar ata fillimisht.
Demokratët në të dyja dhomat e Kongresit kanë kritikuar ashpër shkurtimet e propozuara në programet e ndihmës sociale.
Debati procedural dhe reagimi i Elon Musk
Demokratët në Senat u përpoqën të vononin miratimin e projektligjit duke ngritur pengesa procedurale, duke përfshirë kërkesën për të lexuar me zë të lartë të gjitha 940 faqet e projektligjit dhe duke nisur një debat të gjatë mbi amendamentet e propozuara në atë që njihet si “voto-a-rama”.
Një kritik i papritur i planeve është miliarderi i teknologjisë Elon Musk, i cili më parë kishte mbështetur Trumpin. Musk, ish-këshilltar i Trumpit për uljen e kostove, tani po punon aktivisht për të penguar mbijetesën e legjislacionit. Ai ka kërcënuar se do të mbështesë sfiduesit e republikanëve që votojnë pro projektligjit, duke theksuar se ai dëmton rezultatin financiar të kompanive si Tesla, për shkak të shkurtimeve në mbështetjen qeveritare për energjinë e rinovueshme dhe automjetet elektrike.
Fati i projektligjit “One Big Beautiful” mbetet në balancë ndërsa kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku priten debate dhe votime të tjera kritike.
Lini një Përgjigje