Rijad–Ankara, një bosht i ri në Lindjen e Mesme? Arabia Saudite kërkon partnerë, Turqia del në skenë

11 Shkurt 2026, 12:50Bota TEMA
Rijad–Ankara, një bosht i ri në Lindjen e Mesme? Arabia Saudite

Arabia Saudite po rishkruan rolin e saj në Lindjen e Mesme dhe Turqia mund të jetë partneri i ri strategjik në këtë fazë. Sipas një analize të publikuar nga Middle East Eye, afrimi mes Riadit dhe Ankarasë po merr formë në një moment kur politika rajonale saudite po kalon një transformim të thellë.

Vizita e fundit e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Arabinë Saudite vjen në një kontekst tensioni mes Riadit dhe Abu Dhabit për Jemenin dhe Bririn e Afrikës, si dhe në sfondin e spekulimeve për një përfshirje të mundshme të Turqisë në një pakt ushtarak Saudi–Pakistan. Por përtej këtyre zhvillimeve, thelbi qëndron te ripozicionimi strategjik i princit të kurorës Mohammed bin Salman.

Pas vitit 2018 dhe krizës së shkaktuar nga vrasja e Jamal Khashoggit, Mohammed bin Salman mbajti një profil më të ulët rajonal, duke u fokusuar tek projekti i tij i brendshëm Vision 2030. Ky “Saudizëm i ri” synonte modernizimin ekonomik, diversifikimin përtej naftës dhe ndërtimin e një identiteti kombëtar të bazuar më shumë në monarki dhe krenari shtetërore sesa në ndikimin tradicional fetar.

Por rënia e regjimit të Assadit në Siri në fund të vitit 2024 duket se ka shënuar një kthesë. Sipas Middle East Eye, Rijadi po rikthehet në një rol më aktiv rajonal, duke kërkuar të ripërcaktojë pozicionin e tij në një Lindje të Mesme gjithnjë e më të fragmentuar. Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, Arabia Saudite nuk është më e gatshme të mbajë e vetme “barrët e rajonit”. Ajo kërkon partnerë të besueshëm.

Në këtë pikë hyn Turqia.

Nga Gaza në Jemen e deri në Siri, Ankaraja dhe Rijadi janë gjendur gjithnjë e më shpesh në të njëjtën linjë. Turqia ka mbështetur unitetin territorial të Jemenit – një qëndrim që përputhet me interesat saudite kundër lëvizjeve separatiste në jug. Në Siri, të dyja palët theksojnë nevojën për një shtet të bashkuar që të mos strehojë organizata terroriste dhe të përfshijë të gjitha komunitetet – kurdë, alavitë, druzë dhe diasporën.

Edhe në çështjen palestineze, pavarësisht lëkundjeve të mëparshme drejt normalizimit me Izraelin, Arabia Saudite e ka shpallur arritjen e paqes në Gaza si prioritet. Këtu, Turqia është përfshirë në përpjekje diplomatike për ndërmjetësim, duke e afruar më tej me Riadin.

Një element tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Kompanitë saudite dhe turke kanë nënshkruar marrëveshje për transferim teknologjie, ndërsa Rijadi synon vetë-mjaftueshmëri ushtarake, përfshirë prodhimin e dronëve. Në deklaratat e fundit të përbashkëta, të dy vendet kanë riafirmuar angazhimin për bashkëpunim kundër krimit, ekstremizmit dhe terrorizmit.

Sipas analizës së Middle East Eye, ky afrimitet krijon një “bosht të ri fuqie”, në një moment kur Arabia Saudite po përpiqet të balancojë ndikimin në rritje të Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndryshe nga qasja më ndërhyrëse e Abu Dhabit, partneriteti me Turqinë i jep Mohammed bin Salman hapësirë manovrimi për një rol rajonal më të matur, por të qëndrueshëm.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky ripozicionim do të prodhojë stabilitet afatgjatë. Arabia Saudite po ndërton një imazh të ri, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, por suksesi i këtij transformimi do të varet nga aftësia e saj për të harmonizuar ambicien e brendshme me realitetet komplekse të rajonit.

Një gjë është e qartë: Rijadi nuk është më në hije. Dhe në këtë fazë të re, Ankaraja duket se është partneri që mund ta ndihmojë të rikthehet në qendër të skenës.

1 Komente

  1. I
    Igor

    Shiqoni sesa i dashuron ky Cifutin e Aradbis Saudite nga ana tjeter kritikon Izraelin por mbas shpine ben pazare e njejta ndodh me Serbine por disa e kan zbuluar .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje