Shpërthim në Venezuelë? Trump zbulon operacionin ‘sekret’ të SHBA-ve

30 Dhjetor 2025, 12:03Bota TEMA
Shpërthim në Venezuelë? Trump zbulon operacionin

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të kanë kryer një sulm në një “zonë portuale”, me dyshimet se një anije po transportonte drogë nga Venezuela. Duke e përshkruar si “shpërthim të madh”, ai nuk dha detaje për vendndodhjen e saktë të portit.

Ende nuk ka një reagim nga qeveria e Venezuelës.

Mediat e huaja raportojnë se shpërthimi u shkaktua nga një sulm me dron të CIA-s. Nëse kjo gjë konfirmohet, ky do të ishte operacioni i parë i njohur i SHBA-ve brenda Venezuelës.

Që nga shtatori, SHBA-të ka kryer sulme ndaj më shumë se 20 anijeve që dyshohet se trafikonin drogë në Paqësorin lindor dhe Karaibe, duke vrarë të paktën 100 persona.

Sulmi i fundit ndodhi të hënën, 29 dhjetor, dhe Komanda Jugore e SHBA-ve njoftoi se dy “narko-terroristë” u vranë në Paqësorin lindor.

Trump ka kërcënuar edhe më parë me sulme tokësore në Venezuelë dhe ka autorizuar veprime sekrete të CIA-s si pjesë e një fushate presioni ndaj presidentit Nicolás Maduro.

Janë vendosur 15 mijë trupa, një flotë anijesh dhe aeroplanmbajtëse në Karaibe për të ndaluar trafikun e kokainës drejt SHBA-ve. Ndër to është edhe USS Gerald Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë.

Administrata Trump akuzon Venezuelën se përdor të ardhurat nga nafta për krim të lidhur me drogën.

Maduro i ka mohuar akuzat dhe thotë se SHBA-të përdorin luftën kundër drogës si justifikim për të rrëzuar qeverinë e tij dhe për të marrë rezervat e mëdha të naftës së vendit.

Lini një Përgjigje