Turqia po zhvillon bisedime teknike me Izraelin për të reduktuar rrezikun e përshkallëzimit në Siri pa kërkuar të normalizojë marrëdhëniet me të.
Kështu ka bërë me dije ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton francezja L’Orient Le Jour.
Turqia është një aleat kyç i koalicionit të udhëhequr nga islamistët që sundon Sirinë, i cili përmbysi presidentin Bashar al-Assad në dhjetor pas gati 14 vitesh luftë civile.
Ndikimi i ri i Ankarasë në Siri shqetëson Izraelin, i cili ka kryer një sërë sulmesh dhe inkursionesh atje për të larguar forcat siriane nga kufiri verior.
Javën e kaluar, OKB-ja akuzoi Izraelin se po përpiqej të “destabilizonte” Sirinë pas sulmeve vdekjeprurëse.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi në fund të shkurtit “çmilitarizimin e plotë të Sirisë jugore” dhe deklaroi se nuk do të toleronte vendosjen e forcave të qeverisë së re në jug të Damaskut.
Turqia, nga ana e saj, ka disa mijëra ushtarë të dislokuar në territorin sirian.
“Ndërkohë që ne jemi duke kryer disa operacione në Siri, duhet të ketë një mekanizëm dekonflikti në një moment me Izraelin, i cili po fluturon aeroplanët e tij në këtë rajon, ashtu siç bëjmë ne me amerikanët dhe rusët”, ka thënë Fidan për rrjetin CNN në Turqi.
“Është normale që të ketë kontakte në nivel teknik për ta përcaktuar këtë”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai sqaroi se kjo nuk do të thotë se Ankaraja po normalizon marrëdhëniet e saj me Izraelin.
Turqia ka pezulluar marrëdhëniet tregtare me Izraelin në përgjigje të luftës së saj në Rripin e Gazës.
Presidenti turk Recep Tayip Erdogan e ka quajtur Izraelin një “shtet terrorist” dhe ka denoncuar atë që ai e quan një “politikë gjenocidale” të ndjekur nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu që nga sulmi i 7 tetorit nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Izrael.
Lini një Përgjigje