Ukraina duhet të nxisë një zgjerim të ri të madh të BE-së edhe me vendet e Ballkanit

21 Qershor 2022, 10:16Bota TEMA

Ukraina duhet të nxisë një zgjerim të ri të madh

Lufta e ashpër e Ukrainës për të mbrojtur demokracinë e saj ndaj një sulmi brutal dhe të paprovokuar nga ana e Rusisë, meriton mbështetjen e plotë të Perëndimit. Lufta e Ukrainës për mbijetesë është gjithashtu edhe e Europës.

Dhënia e statusit të kandidatit për në Bashkimin Europian për Kievin, do të ishte sinjali i duhur që duhet dërguar për samitin e javës së ardhshme të liderëve të BE-së. Por që të sigurohet që ky sinjal të shkojë përtej një deklarimi të thjeshtë, udhëheqësit e BE-së duhet t’i mbështesin fjalët e tyre me vepra dhe të rifokusohen në atë që përfaqëson Bashkimi Europian.

Në samitin e BE-së të datave 23-24 qershor, udhëheqësit e vendeve të unionit do të vendosin nëse do të ndjekin rekomandimin e Komisioni Europian për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit për anëtarësim në union. Kjo do të ishte e paprecedentë.

Pasi asnjëherë më parë BE-ja nuk e ka shtrirë këtë ofertë për një vend në luftë. Kësisoj, dhe për shkak të madhësisë territoriale të Ukrainës, por edhe sfidave të pamohueshme në aspektin e reformave që duhet të ndërmarrë, disa qeveri nuk duken shumë entuziaste.

Përpara se liderët të diskutojnë mbi Ukrainën, ata do të kenë një darkë pune me liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përvoja e këtyre 6 vendeve, disa prej të cilave janë kandidate prej më shumë se 15 vjetësh, duhet t’u japë liderëve një moment reflektimi duke forcuar vendosmërinë e tyre për të mos përsëritur me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë gabimet që u bënë në Europën Juglindore.

15 vitet e fundit, vendet e Ballkanit kanë treguar cektësinë e vizionit të zgjerimit të BE-së. Ajo shkon përtej thjesht “lodhjes nga zgjerimi”, e diagnostikuar për herë të parë që nga përfundimi i zgjerimit të madh të vitit 2004.

Pas hyrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe krizës së eurozonës në vitet 2009-2010, lodhja nga zgjerimi e nxiti BE-në të vendoste kushte më të ashpra për reformat, duke dobësuar njëkohësisht edhe mbikëqyrjen e tyre. Elitat ballkanike e pranuan këtë, duke e shfrytëzuar për luftën e tyre për të ruajtur një statuskuo, nga e cila ata kishin shumë përfitime.

Përgjigjja histerike e BE-së ndaj krizës së refugjatëve të viteve 2015-2016, ndihmoi në forcimin e një qasjeje transaksionale, e cila shpërbleu regjimet autokratike, si ai i presidentit Aleksandër Vuçiç në Serbi. Rrjedhimisht, angazhimet serbe për sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së janë penguar deri në pikën e të qenit qesharake.

Kjo e ka dëmtuar jo vetëm reputacionin e BE-së si një “komunitet vlerash” (tashmë i dëmtuar rëndë nga abuzimet e shumta të të drejtave të njeriut gjatë mbajtjes së emigrantëve jashtë unionit), por edhe si një aktore politike. Elektorati potencial i BE-së, por edhe më gjerë, i botës demokratike me qytetarët e Ballkanin Perëndimor, nuk ndihet thjesht i zhgënjyer, por edhe i zemëruar.

Dhe kur BE-ja i zbeh vlerat që mbron, teksa vazhdon që të flasë për liberalizimin ekonomik dhe mundësitë, i gjithë projekti europian vihet me të drejtë në pikëpyetje. Problemi i vërtetë, përtej lodhjes nga zgjerimi, është se vetë elitat politike të BE-së kanë humbur çdo lloj bindjeje se pse zgjerimi është gjëja e duhur për t’u bërë.

Zgjerimi i BE-së nuk shihet më në kontekstin e një Europe “të plotë dhe të lirë” apo si një bashkim politik i thelluar i vlerave. Në vend të kësaj zgjerimi shihet në rastin më të mirë, si një detyrim me gjysmë zemre që buron nga premtimet e mëparshme, si ai i dhënë shteteve të ballkanit në samitin e Selanikut në vitin 2003.

Mungesa e plotë e një vizioni strategjik për zgjerimin u dëshmua ndoshta më së miri kur presidenti francez Emanuel Makron vuri veton ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut në tetor 2019, dhe me propozimin e paqartë që bëri në fillim të këtij viti për krijimin e një lloj “komuniteti politik”, anëtarët e të cilit do të ishin përkohësisht pjesë e mbledhjeve të unionit.

Mungesa e vizionit dhe bindjes u shoqërua nga brenda nga çmontimi i brendshëm i tipareve themelore demokratike dhe të sundimit të ligjit nga qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë, të ndihmuara dhe të përkrahura nga Berlini dhe Brukseli, gjë që minoi më tej bindjen se zgjerimi është vërtetë në interesin e BE-së, duke e rritur rrezikun e antiliberalizmit brenda vetë BE-së.

Lufta brutale e Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar një shok te një BE moralisht e rraskapitur (dhe më gjerësisht te Perëndimi), duke e detyruar atë ta pranojë se demokracia ka armiqtë e saj, dhe se nganjëherë dinjiteti njerëzor duhet të mbrohet me forcë.

Vetëmbrojtja e guximshme e Ukrainës dhe evokimi i vlerave demokratike e ka penguar BE-në, NATO-n dhe në përgjithësi Perëndimin që të artikulojnë perspektivat politike të Ukrainës. Ndërsa kjo i bën disa liderë të shteteve anëtare, që ishin tashmë mbështetës të zgjerimit, të ndihen në siklet, kjo pikë kthese duhet të shihet si një dhuratë që i ofron unionit një mundësi për të pasur një rikthim të vonuar te vlerat e tij themelore dhe morale.

Kjo përfshin gjithashtu një ballafaqim të brendshëm deri tani të anashkaluar me joliberalët në Budapest, Varshavë dhe gjetkë. BE-ja duhet të pyesë veten nëse beson ende në kombinimin e liberalizmit politik, të bazuar te të drejtat me liberalizmin ekonomik, kombinimi i nevojshëm që i ka siguruar BE-së suksesin që ka pasur. Ky është një shans për të rikalibruar jo vetëm procesin e zgjerimit, por të gjithë projektin europian. Udhëheqësit e BE-së duhet që ta përqafojnë këtë strategji./ Përktheu: CNA.al

Shënim: Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit të Politikave Demokratizuese, një institut kërkimor me seli në Berlin, Gjermani.

Lini një Përgjigje