Zelensky kërkon të "pajtohet" me Trump. Por Trump ka të tjera plane...

3 Mars 2025, 09:58Bota TEMA
Zelensky kërkon të "pajtohet" me Trump. Por Trump ka të

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vendi i tij është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara dhe se beson që mund të shpëtojë marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump.

Në një konferencë për shtypin pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Britani, zoti Zelensky tha se mendon që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithashtu të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen e mineraleve, por mund të "duhet kohë për të analizuar disa gjëra".

Të dyja palët pritej të nënshkruanin një marrëveshje javën e kaluar gjatë një vizite të zotit Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, por marrëveshja u prish pas shkëmbimeve të ashpra gjatë një takimi me presidentin Trump dhe nënpresidentin JD Vance.

Presidenti Zelensky tha të dielën se Ukraina mbështetet në ndihmën e Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër Rusisë.

"Unë mendoj se ndalimi i një ndihme të tillë vetëm do të ndihmojë (presidentin rus Vladimir) Putin", tha zoti Zelensky. “Dhe për shkak të kësaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e botës së qytetëruar, udhëheqësit e kësaj bote, definitivisht nuk do ta ndihmojnë Putinin”.

Presidenti Trump e quajti zotin Zelensky mosmirënjohës gjatë takimit të tyre të së premtes dhe ka kërkuar marrëveshjen për mineralet si një mënyrë për të rimbursuar Shtetet e Bashkuara për miliarda dollarë ndihma që i kanë dhënë Ukrainës.

Presidenti Trump ka theksuar nevojën për t'i dhënë fund luftës dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vladimir Putinin, përveç zyrtarëve të lartë amerikanë që u takuan me zyrtarët rusë në Arabinë Saudite, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme paqeje, pa përfshirë zyrtarë ukrainas në bisedime.

“Ne duhet të shpenzojmë më pak kohë duke u shqetësuar për Putinin dhe më shumë kohë duke u shqetësuar për bandat e emigrantëve përdhunues, bosët e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet mendore që hyjnë në vendin tonë, në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa”, shkroi presidenti Trump të dielën në platformën e tij “Truth Social”.

Kjo pasoi bisedimet e së dielës në Londër, gjatë të cilave kryeministri britanik Keir Starmer u tha 18 aleatëve se me Shtetet e Bashkuara të lëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën, Evropa e gjen veten "në një udhëkryq historik”.

"Ky nuk është një çast për më shumë biseda - është koha për të vepruar. Është koha për t’u ngritur, udhëhequr dhe bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", tha kryeministri Starmer.

Udhëheqësi britanik tha se pa një garanci për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara për të vepruar si një mbështetje për forcat e mundshme paqeruajtëse, "Evropa duhet të marrë përsipër barrën e rëndë" për të siguruar paqen në Ukrainë. Ai tha se kishte një "koalicion të të vullnetshmëve" të gatshëm për të ndihmuar në mbrojtjen e çfarëdo armëpushimi.

Ndërkohë, këshilltari i presidentit Tump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, duke folur për zotin Zelensky i tha emisionit "State of the Union" të rrjetit CNN të dielën se “ajo që nuk ishte e qartë për ne ishte nëse ai ndante qëllimin tonë për t'i dhënë fund kësaj lufte. Nuk ishte e qartë se ai ishte gati të shkonte drejt paqes”.

Ndryshe nga Uashingtoni, zoti Zelensky u prit ngrohtësisht në takimin Londrës nga shumë prej udhëheqësve të shteteve evropiane, së bashku me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe shefin e NATO-s Mark Rutte. Mbështetësit e zotit Zelensky u mblodhën jashtë rezidencës së zotit Starmer në mbështetje të Ukrainës.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi se “ne duhet urgjentisht të riarmatosim Evropën" dhe "të përgatitemi për më të keqen" në kontinent.

Kryeministri polak Donald Tusk, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të "flasin me një zë" për t'i treguar presidentit rus Vladimir Putin "se Perëndimi nuk ka ndërmend të kapitullojë para shantazhit dhe agresionit të tij".

Të dielën zoti Zelenskyy u takua me mbretin Charles në rezidencën e tij private në Sandringham.

Kremlini tha të dielën se ndryshimi dramatik i qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj politikës së jashtme të Evropës ndaj Rusisë, është kryesisht në përputhje me pikëpamjen e Moskës.

"Administrata e re po ndryshon me shpejtësi të gjitha konfigurimet e politikës së jashtme. Kjo përkon kryesisht me pikëvështrimin tonë", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë me televizionin shtetëror rus, që u regjistrua të mërkurën e kaluar.

Asnjë negociatë paqeje nuk është planifikuar.

Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, tha se përfundimisht Rusia dhe Ukraina do të duhet të bëjnë lëshime negociuese për të arritur një marrëveshje paqeje. "Do të ketë nga të gjitha llojet e karotave dhe shkopinjve për ta bërë këtë", tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, theksoi gjithashtu rëndësinë që të dyja palët të ulen në tryezën e bisedimeve.

"Ne po përpiqemi t'i japim fund luftës”, tha sekretari Rubio. "Ju nuk mund t'i jepni fund një lufte nëse të dyja palët nuk ulen në tryezë, duke filluar nga rusët. Dhe kjo është çështja ku e ka vënë theksin presidenti”.

Kryeministri Starmer tha se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi për t'ia paraqitur Shteteve të Bashkuara. Disa vende evropiane kanë thënë se janë të gatshëm të dërgojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë për të ndihmuar në zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, por kanë nevojë që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë mbështetje ushtarake rezervë për t'u përballur me Rusinë, në rast se Putini bie dakord për një armëpushim dhe më pas e shkel atë ose fillon një agresion të ri.

Presidenti Trump ka refuzuar ofrimin e një mbështetjeje të tillë nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se i beson Putinit se do të respektojë çdo zgjidhje për të cilën ai pajtohet.

Kryeministri Starmer tha se ai nuk i beson Putinit, por i beson Presidentit Trump.

“A i besoj Donald Trumpit kur thotë se dëshiron paqe të qëndrueshme? Përgjigja për këtë është po”, tha ai.

Zoti Starmer tha se ka "diskutime të ngjeshura” për një garanci sigurie nga SHBA-ja si një nga disa komponentët për një paqe të qëndrueshme.

“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është një pauzë e përkohshme dhe pastaj Putini vepron sërish”, tha Kryeministri Starmer. “Kjo ka ndodhur në të kaluarën, mendoj se është një rrezik real dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që nëse ka një marrëveshje, ajo të jetë e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme”.

*Disa pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

4 Komente

  1. T
    Tani

    Hajde ne koke te Kosovareve tani.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Politika nuk është lojë

      Udhëheqësit e SHBA, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë janë përgjegjës për fillimin e luftës në Ukrainë e cila mund dhe duhej të ishte shmangur. Tashmë që e mori ferra uratën, dhe Trump me të drejtë e vlerëson të gabuar fillimin e saj, udhëheqësit evropianë duan të justifikojnë vendimet e tyre që e çuan Ukrainën në rrugë të gabuar, e tashmë insistojnë se do të vazhdojnë ta ndihmojnë atë të vazhdojë luftën, ndonëse e dinë shumë mirë që është e pamundur që ta fitojë atë. Është një veprim me pasoja për popullin Ukrainas të ndjekë këshillat egoiste të Evropës që e futi në këtë luftë për interesat dhe ambiciet e saj. Veprimet e gabuara të udhëheqësve Ukrainas e çuan vendin në një humbje e pjesshme të territorit të saj, por insistimi për të vazhduar luftën do ta çojë atë në një humbje totale. Mendoj që Ukraina është e domosdoshme të pranojë ofertën aspak miqësore të Trump, por nuk ka rrugë tjetër

      Përgjigjjuni
      1. B
        Banda

        Pune u ngaterrua aq shume sa nuk dihet nga duhet rifilluar. Zelenski nuk eshte i bindur qe ka humbur. Ai eshte pompuar aq keq nga propaganda, sa dhe humbjet gjate gjithe keture viteve i jane dukur fitore. Kur te zgjohet nga enderrat, do jete vone. Zgjidhja diplomatike duhet bere sa me pare. Cdo dite qe kalon, Ukraina humbet territor, te cilin do ta kete te pamundur ta rimarre, qofte dhe me diplomaci. USA eshte zanafilla e rifillimit te zgjidhjes. Per mua Zelua duhet te ule hunden dhe te gjeje zgjidhjen me te favorshme per popullin e tij. Te shkoje ne USA, te kerkoje falje dhe te paraqese nje plan konkret, qe do te jete shume-shume i dhimbshem per Ukrainen. Kete lemsh e zgjidhin vetem Trampi dhe Putini, asnje tjeter. Europianet nuk bejne dot asnje pordhe pa lejen e USA. Jo se nuk jane te zotet, por jane hileqare dhe hipokrite, qofte dhe me njeri-tjetrin.... hedhin gurin dhe fshehin doren. Ky eshte mendimi im personal, me aq sa shoh. Une jam i sigurte qe ne shohim vetem majen e aisbergut. Sepse u gatua gjithe kjo corbe, per nje antaresimn ne NATO, hajde merre vesh...Mbase eshte vendosur qe vite me pare, qe Ukraina duhet gelltitur nga te medhenjte. Nje zot e di...

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mësoni të flisni dhe të shkruani bukur shqip!

          Shumë herë titujt e shkrimeve në gazeta shkruhen me gabime gjuhësorë, që më revoltojnë dhe më prishin qetësinë. Ky fenomen ndodhe edhe me gazetën "time" të preferuar, "TemA". Saherë konstatoj të tillë gabime, shkruaj, por për çudinë time, asnjëherë nuk shikoj reagime, nuk botohen, ndërsa lejojnë komente nga më banalët, me fjalë të pisëta, të cilat nuk i gjen në asnjë fjalor të gjuhës tonë të mrekullueshme... Pa u zgjatur, shikoni dhe lexoni këtë titullin më sipër: "Zelensky kërkon të "pajtohet" me Trump. Por Trump ka të tjera plane". Siç e shikoni, në titullin e shkrimit kemi dy fjali "të pavarura", që na i prezanton TemA! Në gjuhën shqipe nuuuuk mund të ketë një fjali të pavarur, që të fillojë me "por". Përpara "por" vendoset gjithmonë presje dhe fjalia e dytë është fjali e varur kundërshtuese dhe e lidhur me organikisht me fjalinë e parë. Gabimi tjetër në fjalinë e varur: "por Tramp ka të tjera plane". Në gjuhën tonë të bukur mbiemri merr gjininë e emrit. Kush nuk e di këtë rregull?! Nuk thuhet dhe nuk shkruhet: "të tjera plane", as "plane të tjera", por shkruhet: "të tjerë plane" ose "plane të tjerë".

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje