80-vjetori i masakrës në Teqen e Rabijes. Historia e pushkatimit të Baba Abazit dhe pesë dervishëve si antifashistë

23 Korrik 2023, 18:18Dossier TEMA

 

Nga Feti ZENELI

 

Të gjitha rrugët e dashurisë, por dhe ato të urrejtjes kalojnë nga zemra. Ato, në një farë mënyre, janë gjaku i oksigjenuar dhe i papastruar i saj. Një nga dashuritë më të mëdha të zemrës njerëzore është atdheu, vendlindja. Ndaj dhe Hygoi thoshte: “Plagën që merr mëmëdheu e ndjen thellë në zemër secili prej nesh”. Luftrat pushtuese janë një ndër plagët më të rënda të atdheut. Ka kaluar gati 80 vite nga koha e luftës së fundit në vendin tonë, por këto plagë dhëmbin ende në kujtesën e çdonjerit prej nesh. Një ndër to është edhe ajo që njihet si “Masakra e Teqes së Rabijes”, e kryer nga fshistët italianë në 23-24 korrik 1943. Kjo gjakderdhje barbare, ku në Rabije të Tepelenës u vranë Baba Abaz Memushi, 5 dervish dhe 26 persona të tjerë, pa përfshirë djegjet dhe plaçkitjet e ndryshme në fshat, mund të konsiderohet më e madhja për nga numri i viktimave të shkaktuara prej pushtuesve italianë, jashtë frontit të luftës; për më tepër që bëhej fjalë për viktima të pafajshme, siç theksonte Prefekti i Gjirokastër, Rasim Babameto në informacionin që i dërgonte Ministrisë Brendëshme të asaj kohe. Ndërkohë, duke parë qëndrimin e mbajtur prej të rënëve në momentin e pushkatimit, arrin në përfundimin, se është shembulli më domethënës i konkretizimit të motos së besimit bektashian: “pa atdhe nuk ka fe”. Atdheu është i të gjithëve, por së pari, ai i takon gjithkujt që bëhet bartës i virtyteve të mira. I tillë ishte Baba Abaz Rabija, teksa nuk pranoi që fati i jetës së tij të ndahej nga ai i dervishëve dhe martirëve të tjerë në këtë masakër. Janë akte të mëdha që i nxë vetëm zemra. Sigurisht një zemër e madhe, ku pulson gjak historish, traditash, cilësish dhe dijesh të “…përvetësuara si armë në dorë”, sikundër shprehet themeluesi i bektashizmit, Haxhi Bektash Veliu…

80-vjetori i masakrës në Teqen e Rabijes. Historia e pushkatimit

 

 

Dëshmi lashtësie

 

Emri “Rabije” ka zënë vend në kujtesën time qysh në vitet e fëmijërisë. Ishte midis atyre “fjalëve të reja” që ne të vegjëlit mësonim nga njeri-tjetri, teksa tregonim për dajat, hallat apo njerëz të tjerë të afërt… Pikërisht në Rabije kishte dajat, shoku im i ngushtë, Selam Xhelili (ndarë nga jeta në vitin e fundit të Shkollës së Bashkuar). Madje emrin e njerit prej tyre, më duket e quanin Adem Fafa, e kam fiksuar qysh në ato vite. Pastaj aty nga vitet e shkollës fillore erdhi një mësues nga Rabija, Agim Memalikaj. Pak më vonë, kur unë sapo kisha mbushur 11 vjeç, emri i këtij fshati do bëhej i njohur anë e mbanë vendit tonë, si rezultat i tërmetit të fuqishëm të 3 prillit 1969 në Izvor e Rabije dhe aksionit mbarëkombëtar që pasoi këtë ngjarje të rëndë, për ndërtimin nga e para të të gjitha shtëpive të këtyre dy fshatrave. Do kalonin vite, që ky emër të rikthehej sërish në memorien time, në periudhën, kur unë kisha filluar punë si Redaktor tek Gazeta “Lajmëtari”, dhe Rabija po bëhej pjesë e kronikave apo shkrimeve të ndryshme nga jeta dhe veprimtaria social-ekonomike e asaj kohe, si gjithë fshatrat e tjerë të Tepelenës. Por emri i këtij fshati do më dilte përpara në atë periudhë edhe në Donije të Kalivaçit, ku çdo 10 gusht përkujtohej krijimi i Batalionit partizan “Baba Abaz”, në nderim të emrit dhe veprës patriotike të këtij kleriku të martirizuar nga fashistët italianë së bashku me 5 dervishët e tij dhe 26 rabijot të tjerë. Kësisoj, pak nga pak e ditë pas dite, Rabija me ngjarjet, historitë dhe njerëzit e saj po skedohej në “bibliotekën” e formimit dhe informimit tim profesional, ku e kaluara dhe e tashmja, ndonëse përbënin një të tërë, secila rrinte në vendin e vet. Nga aq sa kisha mundur të njihja të shkuarën e këtij fshati, përfshi dhe të shkuarën e largët, më ishte krijuar bindja, se ajo ishte jo vetëm më e lavdishme, por dhe më e pasur se sa e tashmja. Të paktën entusiazmi që provoja nga njohja e historisë së saj ishte shumë më i madh se sa ai që lidhej me punën dhe jetën e përditshme. Sidoqoftë, gjithçka fshihej në thellësi të shpirtit dhe përjetohej si një ndjesi, thjesht individuale. Shpesh provoja dhe një ndjenjë xhelozie, që vendlindja ime, vetëm pak kilometra më në Lindje, nuk e kishte kaq të ndritur e të pasur të kaluarën e saj historike.

E shkuara e Rabijes shkon aq larg, sa që për të hyrë në shtëpinë e të vërtetave të asaj kohe, duhet të hapësh derën e ngjarjeve dhe dëshmive, që kanë ndodhur e lënë gjurmë, ndoshta qysh në Shekullin e III-të (Para Erës së Re). Në truallin e saj, ashtu si në Hekal (Gradishta), Klos, Kalivaç dhe vendbanime të tjera midis lumit Aoos (Vjosës) dhe Apolonisë, janë zbuluar rrënoja qëndërbanimesh ilire të bashkësisë byline. Është një mbishkrim i atyre kohëve, i gjetur në kalanë e Rabijes me mure dhe gurë kalash pellazge (2.8 m x 1.4 m), ku tregohet për një njësit të posaçëm luftëtarësh dhe komandantin e tyre, të cilëve u ishte besuar mbrojtja e kufijve juglindor të qytetit ilir Bylis prej nga ajo varej. Natyrisht ende nuk thirrej me këtë emër (Rabije). Vendasit e quanin “Gradishtë” (qytet). Me shumë mundësi, vendosjen e emrit e ka marrë në dorë “metateza” apo “rrotacioni” i shkronjave, duke e bërë kësisoj, pak të besueshme atë “legjendën e një gruaje me emrin Rabije”!?... E para ka rënë “G”-ja dhe ka mbetur fjala rad(b)-ishtë… Nejse, këto janë çështje që kanë kompetentët e tyre, për t’i trajtuar. Unë duke treguar me pak fjalë për hershmërinë ilirike të këtij vendbanimi, desha të them, se jeta dhe ngjarjet e mëvonshme të Rabijes, përfshi dhe ato të shekullit të kaluar, nuk kanë qënë thjeshtë rastësi, por trashëgimi e vazhdimësi…

 

“Njerëz dhe fate” Qerbelaje…

 

Masakra e Teqes së Rabijes është një nga ngjarjet më të bujshme të kohës së luftës, e cila për nga numri i viktimave dhe mënyra e shkaktimit të tyre është krahasuar shpesh me masakrën e Qerbelasë. Si gjithnjë, reagimi më i ndjerë dhe më i vërtetë erdhi nga populli, me homazhin e vargjeve: “Pa dëgjoni o Shqiptarë, në Rabie çfarë u bë,/ Baba e dervish i vranë, teqeja nuk është më,/ Edhe besnikët s’u ndanë, vanë përjet me të,/ Njëzet e shtat të vrarë, si në Qerbela u bë...”. Nuk dihet sakt se kur është krijuar kënga, kush është “Naim Frashëri” i saj, por dihet që ajo është kënduar, pasi janë respektuar kodet e zisë për të rënët. Kjo është pjesë shpirtërore e nderimit të aktit sublim. E nderimit dhe e kujtimit brez pas brezi, si një aspekt mjaft i rëndësishëm i edukimit atdhetar e patriotik të njerëzve. Ndërkohë për t’u vlerësuar ishin dhe qëndrimet e para zyrtare, pavarësisht qëllimeve politiko-propagandistike që synohej të realizoheshin. Konkretisht, rreth dy javë pas masakrës, në 10 gusht 1943, në Donije të Kalivaçit krijohet Batalioni “Baba Abaz”, me komisar Zenel Shehun, një formacion luftarak ky që më vonë inkuadrohet në Brigadën e VI-të Sulmuese. Pastaj, pak javë pas çlirimit të vendit, ndërkohë që kishim hyrë në vitin e parë të lirisë, kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar me kryetar Omer Nishanin dhe sekretar Koço Tashkon i dhanë Teqes së Rabijes “Medaljen e Trimërisë”. Më tej vetëm heshtje, një heshtje që bëhet gjithnjë e më e thellë, sidomos pas fundviteve ’60.

Po le të kthehemi tek krahasimi me Qerbelanë. Janë kryesisht përmasat e gjakderdhjes dhe çështja e përkatësisë fetare që e mbajnë në këmbë një krahasim të tillë, ndonëse motivet janë krejtësisht të tjera. Veprimet e Ushtrisë së Jezidit në tetor të vitit 680, që vrau Imam Hysenin (nipin e Profetit Muhamed), së bashku me 72 burra -“luftëtarë” të familjes se Profetit, janë pak a shumë të njëjta me ato të “Jezidit” Italian ndaj Baba Abazit dhe 30 e ca burrave të tjerë rabijotë në 23 korrik 1943. Por pushtuesit italianë, përsa u përket veprimeve të kryera, mund të krahasohen edhe me Mavijen (guvernatori i Sirisë) - pinjollin e Umajadëve apo dhe me dinastinë e Abasaidëve me qendër në Bagdat. Mjafton të kujtojmë se Qerbelaja ndodhet vetëm 100 km larg kryeqytetit Irakian, në drejtim të lumit Eufrat. Sidoqoftë krahasimi çalon disi, teksa kujtojmë qëllimin e kryesimit të Kalifatit arab në rastin e masakrës së Qerbelasë, me atë të pushtimit (megjithëse pushtimi, një farë uzurpimi është) italian të vendit, që u bë “shkak pa shkak” për gjakderdhjen në Teqenë e Rabijes. Por i parë në tërësi, krahasimin “s’e luan topi”, për më tepër që autorsia i takon popullit, këngës dhe shpirtit të tij; jo zhvillimeve apo spekulimeve politike.

Madje kur politika desh të bënte disa interpretime përtej kontekstit popullor, padashje mbajti “anën” e pushtuesve, duke ua lehtësuar disi përgjegjësinë atyre. Të thuash, që italianët u ndihmuan në kryerjen e masakrës nga “spiunët e Ballit Kombëtar” dhe “spiunët” e një Babai tjetër në fshatin fqinjë me Rabijen, sigurisht që i ke shfajsuar pjesërisht ekzekutorët. Nga ana tjetër, në të njëjtën masë ke zbehur edhe vlerat e aktit sublim të Baba Abazit dhe martirëve të tjerë. Ndërkohë, Babai për të cilin aludohet se bashkëpunoi me fashistët, ashtu siç ka dëshmuar më vonë, dikush nga ata 4-5 vetë që i shpëtuan masakrës, e ka këshilluar dashamirësisht Baba Abazin, që të ketë kujdes, pasi situata ishte tepër e ndezuar dhe bisha fashiste po kryente reprezalje në fshatrat përreth. Kjo ishte jo vetëm një këshillë miqësore, por edhe tepër njerëzore; madje shumë herë më njerëzore, se sa ajo që i kërkoi Abaz Shehu, klerikut rabijot, që ta merrte atë me vete, duke lënë në mëshirë të fatit, 350-400 muhaxhirët e grumbulluar në Teqe për t’u mbrojtur. Po kështu ishte vetë Baba Abaz Memushi, që nuk pranoi as kërkesën e drejtuesit të operacionit italian, për t’i falur atij jetën, si njeri fetar, por u fut mes dervishëve dhe besimtarëve të tjerë, duke e pritur me qetësi pushkatimin. Kleriku patriot e kishte kthyer Teqenë e Rabijes në vatër të zjarrtë atdhedashurie, i bindur, se pa lirinë e atdheut nuk është e plotë as liria e besimit fetar.

Liria e atdheut erdhi, por liria e besimit fetar nuk është se njohu ndonjë zhvillim mbreslënës në raport me ngjarjet e tjera social-ekonomike të kohës. Përkundrazi filloi të cungohej, derisa sa u ndalua plotësisht në vitin 1967. Flasim sa për aspektin formal, aq dhe atë të heqjes së mundësisë së praktikimit. Të paktën 2169 objekte kulti u prishën me “aksion kombëtar” të organizatave të rinisë. Midis tyre dhe Teqeja e Baba Abazit në Rabije. Kësisoj “Qerbelanë” po e ndjenin tashmë dhe gurët, sikundër thellë dheut edhe eshtrat e të masakruarëve aty në 23 korrik 1943. Ishte koha, kur ne si shoqëri, për shkak të politikës, kishim hyrë në një fazë që “revolucioni po hante bijtë e vet”, madje me dhëmbët e çelikt të revolucionit kinez. Po ecnim kundër rrjedhës që buronte nga liria e vërtetë, siç ndodhte normalisht në vendet e tjera të aleancës antifashiste. Sepse përndryshe, jo vetëm Teqeja e Rabijes, por gjithë fshati mund të kthehej në një Oradur shqiptar. Është i njohur rasti i këtij fshati francez të krahinës së Limozhit, kur në 10 qershor 1944, nazistët gjerman masakruan 643 civilë, duke e kthyer gjithëçka në gërmadhë. Madje gratë dhe fëmijët i futën në një kishë dhe i dogjën. Vetëm 6 persona i shpëtuan masakrës. I fundit i mbijetuar, me një aktivitet të spikatur social-politik vdiq në shkurt të këtij viti, në moshën 97 vjeçare. Një ngjarje me shumë elementë të përbashkët me atë të Rabijes, por që nuk kanë asnjë lidhje përsa i përket mënyrës së nderimit dhe vlerësimit institucional në vitet e mëvonshme. Kësisoj, ndërsa ngjarja e Rabijes sonë u la në harresë, Presindeti Francez i asaj kohe, Sharl De Gol e shndërroi tërë fshatin në muze, në atë gjëndje që mbeti pas masakrës, duke e bërë një nga destinacionet turistike më të frekuentuara…

Sidoqoftë rabijotët, ashtu si mbarë shqiptarët, i ngritën objektet e rrënuara të kultit në thellësi të shpirtit besimtar, derisa u krijua mundësia t’i ringrenë edhe aty ku kishin qënë para 67-ës; por tashmë në një realitet të ri, ku në disa raste “tagrat” e revolucionit po i merrte emigracioni. Natyrisht emigracioni nuk të heq lirinë e besimit,  por ta komplikon mundësinë e praktikimit, për shkak të ndryshimit të vendqëndrimit. Por ndonjëherë të ndërron dhe emrin e trashëgimisë fetare, siç ndodhte jo rrallë me emigrantët në fqinjin tonë jugor. Sigurisht nuk të hyn në thellësi të shpirtit, por ta trazon e skllavëron atë. Ndërkohë, shteti formalisht i ka larë duartë me fenë, me kushtetutë. Një praktikë e njohur demokratike, kjo. Por këtu tek ne, ndryshe nga sa ndodh andej matanë, shteti i ka larë duartë edhe me investimet publike në fushën e infrastukturës, për t’u mundësuar besimtarëve që të mos i ndahen lutjes në Zot për shkak të pasojave nga “robërimi” i shpirtit në emigracion. Ja ashtu siç thotë Haxhi Bektash Veliu: “Lutjes së Zotit mos ju nda”! Por sa mirë do qe, që këtë lutje çdonjeri ta bënte në trojet e të parëve të vet, në pragje të pastruar nga shkurret e harresës.

80-vjetori i masakrës në Teqen e Rabijes. Historia e pushkatimit

 

23 korrik 2023 dhe shembulli i Eduart Zenelit

 

Qysh në orët e para të mëngjesit të sotëm, e diel 23 korrik 2023, lëndinat rreth Teqesë së Rabijes po e humbisnin qetësinë e zakonshme. Nga të gjitha rrugët që të shpinin në këto mjedise të shenjta, dukeshin grupe njerëzish duke ardhur. Ndërsa ora po afronte 10-ën, numri i tyre kishte shkuar mbi 200 vetë. Midis të pranishmëve ishin dhe pasardhës të Baba Abazit dhe të rënëve të tjerë në këtë masakër nga më çnjerëzoret në kohën e luftës. Vihej re, që gjallëria dhe pjesmarrja ishin shumë më të larta se çdo herë tjetër. Por më shumë se me jubileun e 80-vjetorit, duket se lidhej me masat organizative të marra; si nga Bashkia Memaliaj për rrugën Ninësh-Rabije, ashtu dhe me investimet private të Eduart Zenelit për rehabilitimin e Obeliskut dhe varrezave të dëshmorëve të masakrës së 23 korrikut 1943. Pjesmarrësit në këtë ceremoni përkujtimore, përveçse nga Rabija; vinin edhe nga Levani, Alkomemaj, Gëllava e fshtara të tjerë të Krahinës së Buzit, si dhe nga fshatrat e Mallkastrës. Ndodheshin gjithashtu; kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, Kryegjyshi Botëror Bektashin, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Prefekti i Fierit Lefter Shehaj, kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, kryetari i Organizatës Kombëtar të Dëshmorëve të Atdheut, Gjergji Velo, Kryetari i Shoqatës “Tafil Buzi”, Medin Duro, etj. Pa u ndalur në çështje rutinore të tipit; kush e çeli ceremoninë dhe kush foli, po përmendim; dekorimin me titull “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) nga Këshilli Bashkiak Memaliaj për Baba Abaz Memushin dhe “Çertifikatën e Mirënjohjes” për Eduart Enver Zenelin nga kryetari i Bashkisë Memaliaj. Por kështu në emër të Shoqatës “Tafil Buzi”, kryetari i saj, Medin Duro i akordoi Eduarit një tjetër “Çertifikatë Mirënjohje”. Një vlerësim i merituar ky për shqiptaro-amerikanin, Eduart Zeneli, i cili përveç investimit për rindërtimin e lapidarit memoraial dhe rehabilitimin e varrezave të martirëve të masakrës, ka meritën kryesore për organizimin dhe sponsorizimin e gjithë këtij aktiviteti, përfshi në fund edhe shtrimin e një dreke për rreth 100 të ftuar.

Në pllakën përkujtimore të obeliskut ngritur në nderim të veprës atdhetare të të rënëve në masakrën fashiste të 23 korrikut 1943, pas emrit të fundit të dëshmorëve lexojmë fjalët: “Rindërtuar nga Eduart Enver Zenelaj”. Pyesim për të. Na përgjigjen shkurt: “Është nipi i Maliq Rabijes”. Dhe s’ke ç’kërkon më tepër, për momentin. Kaq mjafton. Dimë që Maliq Zenel Fejzaj ka qënë një ndër aktorët kryesor të periudhës së luftës në Krahinën e Buzit dhe më gjerë; pjesmarrës aktiv në të dy luftërat botërore. 

Në kohën që punoja Redaktor tek Gazeta “Lajmëtari”, Komitetin Ekzekutiv të Tepelenës e drejtonte një rabijot tjetër i nderuar, Sami Jaupi. Kisha një miqësi të veçantë me të, edhe për shkak se ishim nga një krahinë, me fshatrat jo më shumë se 4-5 km larg njeri-tjetrit. Ai ka qënë i pari, që më ka folur për Maliq Rabijen. Sigurisht në vija të përgjithëshme, pasi kërkesat e kohës ishin të tjera. (Realizimi i planit në total dhe zë për zë nuk të linte shumë kohë për histori të tilla). Disa detaje, që bëjnë diferencën e personalitetit të tij në raport me të tjerët, i kam marrë vesh vonë. Midis tyre do të veçoja atë të trajtimit njerëzor të dy robërve Italian, mbas kapitullimit të ushtrisë fashiste. Maliqi i mbajti në shtëpi për pak kohë, sa të qetësohej situata. I trajtoi, jo vetëm sipas ligjeve të luftës, por edhe sipas zakoneve buziote. Pastaj i çon vetë në Portin e Vlorës të ktheheshin pranë familjeve të tyre në Pulja. U jep dhe nga një napoleon flori secilit t’i kishin rrugës… Një gjest që flet shumë për karaktetin e tij burrëror. Jo rastësisht ishte një ndër miqtë më të mirë të Mehmet Shehut, edhe pas çlirimit të vendit, ku nuk kishte Vit të Ri, që një ndër kartolinat e urimit të kryeministit shqiptar të mos postohej drejt Rabijes, në adresë të Maliq Zenel Fejzaj.

 

 

 

5 Komente

  1. Z
    Zenel zeneli

    Baba Feti efendiu shume shkurt e paske ket shkrim. Shtoja dhe ca rreshta se mbase del ndonje gamorr si ti me e lexu.

    Përgjigjjuni
    1. Q
      Qef o qef na bene dervishi.....

      ..pi raki ha tule mishi. E pra populli u thuri bejte qylaxhinjeve qe shfrytezonin injorancen e popullit.

      Përgjigjjuni
      1. P
        Pordhe me rigone....

        T'emen e s'emes nje carcaf me karlliqe per te treguar vleren e shurrsave turkoshqipfoles....!? Po pse o k@r paska qen fatkeqesi e madhe per vatonin se u vra baba dervishi me 5 koke laro/mufti!?

        Përgjigjjuni
        1. M
          Muhamet haxhi bektashi

          Respekt per myslymanet shiit ,,te ritit bektashi ,,,

          Përgjigjjuni
          1. K
            Kujtimi

            Kane vdekur historianet, jane ngritur llafazanet.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje