Relacioni i drejtorit të Sigurimit, për RTSH-në: Arrestuam Muhamet Osekun, se u shpreh: ‘mbasi të vritet udhëheqësi kryesor, me dy tre ushtarë, duhet pushtuar Radio-Tirana dhe të njoftojmë botën se…

18 Korrik 2023, 10:45Dossier TEMA

 

Relacioni i drejtorit të Sigurimit, për RTSH-në: Arrestuam

Nga Dashnor Kaloçi

Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist, deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata në  “sitë”  vit pas viti.

Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te dyert ky hynin e dilnin. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore, që janë pjesë e një dosje që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.

Nga kjo dosje e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat tashmë janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), kemi përzgjedhur disa dokumente që i përkasin viteve ’70-‘80-të, duke filluar publikimin e tyre me tre dokumente të periudhës së viteve 1978, 1980 dhe 1981, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni.

Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, ku krahas një numri të madh punonjësish të atij institucioni, që janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit ndër vite, rezultojnë gjithashtu edhe disa prej emrave shumë të njohur, që janë konsideruar si “ikona” të Radio-Televizionit Shqiptar, para dhe pas viteve ’90-të, si; Robert Shvarc, Gaspër Çurçia, Alfon Gurashi, Gjon Simoni, Qemal Xhomo, Viktori Xhaçka, Meropi Xhai, Shpresa Musliu, Gjergj Pekmezi, Alfred Papuçiu, Xhezair Abazi, Shpëtim Gina, Edmond Dilaveri, Mërkur Bozgo, Agron Aranitasi, Jochen dhe Irene Blanke, Muhamet Oseku, Arben Xoxe, Janka Selimi, Timo Luto, Xhuni Tejlor, Arjan Bakiri, Gazmor Halilaj, Mond Lako, e deri te Vera Grabocka, etj. Këto dokumente, publikohen për herë të parë.

DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, ZEF LOKA, DËRGUAR SEKTORIT PËRKATËS PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, LIDHUR ME SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONEVE TË TIJ, ME AGJENTURËN PËRKATËSE

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                           

S E K R E T

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                      

Ekzemplar Nr. 4

DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                  

E përkohshme 5 vjet

ANA E SIGURIMIT                                                                                    

Tiranë, më 27.8.1981

Nr. 2396                                  

A N A L I Z A PËR PUNËN E BËRË PËR SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONET 

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

Drejtorisë I-rë (Degës së III)

T I R A N Ë

Në zbatim të porosive të dhëna nga ana juaj, me shkresën Nr. 2345, datë 9.7.1981, bëmë analizën e objekteve të rëndësisë së veçantë, Radio-Televizionin, antenën e Dajtit dhe radiostacioneve të Kamzës dhe Kasharit, nga e cila rezultoi:

Nga ana e Drejtorisë së Punëve të Brendshme, këto institucione janë konsideruar objekte të rëndësisë së veçantë, për shkak të rolit të tyre të madh si përçues së propagandës së Partisë, brenda dhe jashtë vendit dhe në arenën ndërkombëtare. Për funksionin që kryejnë, këto kanë qenë dhe mbeten objekt i veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse.

Nga ana jonë, në këto objekte është ndërtuar puna operative agjenturore, për të zbuluar dhe parandaluar çdo veprimtari të mundshme armiqësore e keqbërëse; për ruajtjen e pastërtisë në radhët e punonjësve. Njëkohësisht për ruajtjen e këtyre objekteve nga ana fizike, janë marrë edhe masa ushtarake. Për secilin objekt, gjendja paraqitet si më poshtë:

Secila nga këto drejtori, ka disa redaksi e sektorë, sipas drejtimeve përkatëse. Për kohë lufte, ky objekt ka katër pika, të cilat ndodhen në Priskë, Martanesh, Gramsh dhe Tepelenë. Secila drejtori, ka rëndësinë e vet, por brenda çdo drejtorie, ka disa sektorë, të cilat janë ndër më të rëndësishmit, vende këto, ku dhe puna jonë agjenturoro-operative, është përqendruar më tepër.

Në këtë objekt të rëndësisë së veçantë, punojnë aktualisht katër persona nën kontroll operativ 2/B, që janë: Robert Shvarc, Prokop Nishku, Janka Selimi dhe Vjesllava Hidri. Po kështu, punojnë dhe dy kontingjente: Demail Tola dhe Haki Katroshi. Para vitit 1980, në këtë objekt, ka pasur edhe 8 objekte përpunimi në 2/A, por në bazë të informacioneve të bëra nga ana e Komitetit të Partisë, i ka larguar nga ky objekt. Gjatë vitit 1980-1981, në bazë të të dhënave, për veprimtari armiqësore në këtë institucion, janë këshilluar katër persona, nga të cilët dy në 2/A dhe 2 jashtë përpunimit.

Të dhënat për aktivitete armiqësore, janë kryesisht për agjitacion e propagandë kundër vijës së Partisë në drejtim të kulturës dhe artit tonë të realizimit socialist. Nga të dhënat e tjera për disa objekte përpunimi, që nuk punojnë në këtë institucion, del se kanë zhvilluar aktivitet armiqësor të mprehtë dhe këtë e kanë lidhur me dëshirën për të pushtuar Radion e nëpërmjet saj, të zhvillonin propagandë kundër pushtetit popullor.

Kështu objekti i përpunimit, Muhamet Oseku, i cili është arrestuar nga ana jonë, kohët e fundit është shprehur se: “Mbasi të vritet udhëheqësi kryesor, me dy tre ushtarë, duhet pushtuar Radjua dhe nëpërmjet sajë, të njoftojmë botën dhe Shqipërinë se diktatura mori fund”.

Si nga të dhënat e agjenturës, ashtu dhe nga burime të tjera, përveç të dhënave për aktiviteteve armiqësore që përmendëm, del se gjatë këtyre dy vjetëve që analizojmë, kanë dalë disa probleme, ku ndër më kryesoret, janë:

Duke qenë se ruajtja e pastërtisë në radhët e punonjësve të këtij institucioni, ka qenë dhe mbetet një ndër detyrat kryesore, në procesin e punës kanë dalë të dhëna se disa punonjës, në kontaktet që kanë pasur me të huajt, (në bazë të marrëveshjeve që ka Radio-Televizioni ynë, me disa qendra televizive të huaja), kanë manifestuar qëndrime dhe shfaqje të huaja, që nuk përputhen me normat e moralit socialist.

Po kështu disa punonjës, kur kanë qenë në Prishtinë, kanë pranuar dhurata të ndryshme në kundërshtim me rregullat. Nga ana jonë, sapo jemi vënë në dijeni, janë bërë problem duke informuar Komitetin e Partisë dhe Degën e 8-të në Ministri dhe në bazë të porosive të dhëna nga prej tyre, janë marrë masa.

Ruajtja e pastërtisë e punonjësve të këtij institucioni, nga veprimtaria e zbulimeve të huaja, ka qenë objekt i analizës sonë, këtë e kemi analizuar edhe në mars të këtij viti dhe një kopje e saj u është dërguar dhe juve, (Me nr. 852, dt.19.3.1981). Aktualisht jemi duke kryer detyrat e dala nga kjo analizë.

Nga ana jonë u filluar çështja penale dhe u vërtetuan plotësisht të dhënat e agjenturës. Magazinieri me dy persona të tjerë, u pushuan nga puna, u detyruan të paguajnë vlerën e shpërdorimit, por çështja penale në ngarkim të tyre, u pushua për politikë penale.

Në bazë të informacionit të dhënë Komitetit të Partisë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit, u hoq nga kjo detyrë dhe u dërgua punëtor. Aktualisht janë marrë masa për ruajtjen e pronës socialiste, por kemi të dhëna se ka përsëri raste, sidomos në Televizion, që vidhen sende të ndryshme, si llamba, saraçineska, sende personale të punonjësve, etj. Këto të dhëna janë konsumuar me drejtuesit e Televizionit dhe nga ana tjetër, janë marrë masa për gjetjen e autorëve.

Një kujdes i posaçëm, i është kushtuar edhe ruajtjes së vlerave monetare e materiale, sidomos në grupet e xhirimit të filmave nëpër rrethe. Megjithatë, ka të dhëna se koha e punës nuk shfrytëzohet dhe kjo rrit artificialisht koston e filmave, automjetet në ndonjë rast janë shfrytëzuar për punë personale, ndonjë drejtor filmi, nuk zbatonte kriteret me ndarjen e honorareve, etj.

Për këtë është informuar Komiteti i Partisë dhe për një drejtor filmi, u muar masa dhe u dërgua për riedukim. Gjithashtu shumë nga këto të dhëna janë shfrytëzuar me drejtuesit e RTV-së, të cilët i kanë vlerësuar dhe janë marrë masa të menjëhershme.

Megjithatë, ka pasur raste dhe agjentura ka sinjalizuar që këto rregulla, nuk zbatohen plotësisht. Kështu në vitin 1980, në Televizion, ka pasur raste zjarri nga pakujdesia dhe ky rast është analizuar edhe nga ana juaj. Aktualisht janë marrë masa, duke ngritur grupe vullnetare të MKZ, janë vendosur tabela sinjalizuese për ndalimin e duhanit nëpër ambiente me rrezik zjarri, etj.

Për dy persona në Televizion të cilët pinin duhan në vendet e ndaluara, u muarrën masa duke u dërguar dy muaj në prodhim. Duke pasur parasysh se, kemi të bëjmë me një objekt shumë të rëndësishëm, ku ka rreziqe të mëdha zjarri dhe vlera të rëndësishme, ne jemi të mendimit se duhet të ndërhyhet për t’u vendosur organikisht një inspektor civil i MKZ-së.

Detyra e hyrje daljeve nga institucioni, kryhet nga reparti i Policisë të cilët kryejnë edhe detyrën e ruajtjes së objektit. Kemi mendimin që reparti i Policisë nuk duhet të kryejë detyrën e nëpunësit të rojës që duhet ta kryejë RTV-ja, si çdo institucion tjetër.

E themi këtë, mbasi Policia në Radio e Televizion, merret edhe me lajmërimin e punonjësve që thirren nga qytetarë të ndryshëm dhe në këtë mënyrë, largohet vëmendja nga detyra e tij kryesore, e nga kjo mund të përfitojë elementi armik, ose keqbërës, për t’u futur në institucion. Për këtë, kemi mendimin që në Radio-Televizion, të funksionojë nëpunësi i shërbimit gjatë orarit zyrtar, siç bëhet edhe në institucione, megjithëse ka roje policie.

Është vendosur që këta zhurmues, pas një studimi që do të bëhet nga sektori teknik i Radios, të vendosën në pika të përshtatshme, ku ekzistojnë mundësitë për t’u ruajtur nga roje ushtarake, apo civile, për këtë problem, ju kemi informuar me shkresën tonë, Nr.831, dt. 17.3.1981.

Për ruajtjen e pastërtisë së tyre, është ndërtuar puna agjenturore-operative dhe nga të dhënat rezulton se, shërbimi kryhet në rregull, ka vigjilencë etj. Duhet theksuar se vitin e kaluar nga radhët e policëve që kryenin shërbimin në Televizion, është marrë një polic në përpunim aktiv, për aktivitet armiqësor në agjitacion e propagandë, mbasi u vërtetuan të dhënat, ky polic u këshillua dhe u qit në lirim.

Për ruajtjen fizike të institucionit, jemi të mendimit që të shtohet edhe një vend-roje në Radio, në hyrjen kryesore të brendshme. Kjo do të garantojë më mirë ruajtjen e institucionit, nga depërtimi i elementëve armiq dhe keqbërës, pasi në kushtet e sotme siç thamë më sipër, kjo gjë nuk garantohet plotësisht. 

ZËVENDËS DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME

ZEF LOKA       

Memorie.al   

8 Komente

  1. Z
    Zef preshi

    E KUJT PO I RRUHET PER SPIUNLLIQET E SPIUNEVE TE SIGURIMIT KOMUNIST. MUR ISH PER TI DENONCU TI KALOSH STA MBATE SUMA. TANI PASI SHQIPOT U LODHEN NGA KY MUHABET NUK I INTERESON KUJT O KALOÇ. PO KE SUM MERRU ME GJONA ME TE RENDESISHME TE SOTMET JO ME KUFOMAT QE AS NUK KUTERBOJN ME PASI AUTORET DHE VIKTIMAT KAN COF. KE SUM ME U MOR ME SERVILAT SPIUN TE SOTEM. DHE NJE KSHILL MOS FIRMOS DHJET BORDERO NE RTSH SE DO SHKOSH PER LESH. TFALA KOMISARIT POLITIK TE RILINDJES MILARDERIT T PENALIZUM ALFRED PEZA

    Përgjigjjuni
    1. G
      Gjirokastriti

      Problem nuk eshte se dikush arrestohet sepse ka bere thirrje per te vrare kreun e shtetit, pra zbatim ligji qe ndodh ne te gjithe boten demokratike, problem eshte qe 1 ish president vret qytetaret e vet ne mes te sheshit gjate nje proteste paqesore, problem eshte qe nje ish president deklaron qe do ta kisha vrare edhe kreun e opozicionit dhe pas gjithe krimeve qe ka kryer institucini gjyqesor qe merret me krimet e kryera fut koken ne rere tamam si struci dhe nuk do te degjoje e as te shikoje! Kaloc, ti jeton ne nje realitet tjeter dhe ke nje perceptim te gabuar te jetes reale, po une habitem se si ka mundesi qe ty ne kete shtet muti te pagujne rrogen mujore e te mbajne ne nje vend pune.

      Përgjigjjuni
    2. m
      mendim

      Zgjidhi dokumentat por mos i manipulo, o Dashnori i te gjitheve atyre qe dashurine e quajne vete qirje. Une sa lexova titullin dhe emrin tend, shkova e shkrova dy fjale , njesoj sikur bera shurren mbi shkrimin tend e u lirova. Lexohet gjithe ky shkrim qe ka si qellim vetem te denigroje ate qe s'e ben dot logjika. Po si te mos arrestohej nje njeri qe bente thirrje dhe organizonte vrasjen e udheheqjes se kohes? Duhet te jeshe o psikopat, o i çmendur te flasesh ndryshe. Vetem Sali Berisha lejohe te thote çfare te doje sot se SPAK nuk ja ve dot koqet e fishkura ne big, se eshte vete pjese e hajdutellekut dhe krimit. Te fala mendjes se une do bej nje xhiro poshte nga baçéte.

      Përgjigjjuni
      1. Q
        QYTETARI

        Bravo o Mendim!!!

        Përgjigjjuni
      2. D
        Dardani i Ri

        Dashnor Kaloçi, ka kohë që, e ka vërtetuar marrëzinë e vet. Ai është një i vetburgosur i përjetshëm. Eshtë edhe i marrë. Vështirë se mund të gjendet një tjetër më i marrë se ai që, të lexojë marrëzitë e tij. Në të gjithë botën, edhe në vendet më demokratike, nëse dikush me funksion në pushtet, bën thirrje për puç, kundër rendit kushtetues, arrestohet dhe denohet. Ka faj Mero Baze që boton marrëzira të tilla, i fyen lexuesët.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mohamed

          Or llacaxhi qe ben gam gam. Je"usta" qe ti mbledhesh ashtu si do ti dokumentat. Po mire mor spiun i sigurimit shtetit,po cfar i ka bo personelit te rtsh osman mula si sek partie,pse nuk shkru nje fjale?! Te sfidoj,behu burre dhe merr e publikoje proces verbalin mbledhjes byrose politike per tufzimin dhe tregoju shqiptarve kush ka votuar pro kush kunder. Shkoni mor klyshe te ramiz alise e xhelil gjonit e sigurimit shtetit e merrni dokumenta ne arshive por jo me arna sic ja u do interesi. Pse nuk shkruan per mehdi bushatin qe sdi sa sportiste ka fik e sot ti me klyshin e tij andi mehdi bushati beni goren????????????????????????

          Përgjigjjuni
          1. M
            Mohamed

            Or llacaxhi qe ben gam gam. Je"usta" qe ti mbledhesh ashtu si do ti dokumentat. Po mire mor spiun i sigurimit shtetit,po cfar i ka bo personelit te rtsh osman mula si sek partie,pse nuk shkru nje fjale?! Te sfidoj,behu burre dhe merr e publikoje proces verbalin mbledhjes byrose politike per tufzimin dhe tregoju shqiptarve kush ka votuar pro kush kunder. Shkoni mor klyshe te ramiz alise e xhelil gjonit e sigurimit shtetit e merrni dokumenta ne arshive por jo me arna sic ja u do interesi. Pse nuk shkruan per mehdi bushatin qe sdi sa sportiste ka fik e sot ti me klyshin e tij andi mehdi bushati beni goren????????????????????????

            Përgjigjjuni
          2. S
            Shaqo

            ...do te vritej nje njeri, kete do ta bente nje kriminel, dhe pastaj sipas loqe kaloqes, personi te mos parandalohej e t'i tregohej vendi. Bej prove sot e kaloqe dhe ta shohesh te sateme, jo aq nga ligji se sa nga te demtuarit.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje