Në qershor të vitit 1992, një debat i fortë publik u pasua nga një deklaratë e ministrit të Jashtëm të kohës, Alfred Serreqi, për një sistem aparaturash përgjimi të gjetur në zyrën e tij dhe në dy salla pune të asaj ministrie.Serreqi paraqiti një kërkesë me shkrim për trajtimin institucional të problemit në parlament dhe ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e çështjes. Pak muaj më pas, komisioni paraqiti një raport në Kuvend përmes deputetit Tonin Alimhilli. Ai e përmblodhi problematikën në disa pika, duke sqaruar se aparaturat e përgjimit kishin ekzistuar që prej kohës së diktaturës, ndërsa punonjësit nuk kishin njoftuar për praninë e tyre.
Detajet e raportit tregojnë mënyrën se si përgjoheshin diplomatët e huaj gjatë diktaturës në zyrat e Ministrisë së Jashtme. Praktika e përgjimeve do të vazhdonte edhe në institucione të tjera, duke u përqendruar kryesisht te survejimi i atyre që shpalleshin “armiq” të liderit, për t’u përgatitur dosje që më pas do të përdoreshin në betejat politike dhe sulmet publike kundër tyre.
Në raport jepen hollësi që nga momenti i parë i vendosjes së aparaturave të përgjimit në vitin 1982 dhe mënyra se si vijoi survejimi i bisedave të zyrtarëve shqiptarë me diplomatët e huaj që vizitonin Ministrinë e Jashtme. Raporti ndalet edhe te një tjetër detaj i rëndësishëm: grabitja e zyrave të përgjimit pas vitit 1990, me qëllim, ndoshta, zhdukjen e informacioneve të caktuara.
Në pamje të parë, çështja vijimësisë së funksionimit të aparaturave edhe dy vite pas rënies së diktaturës dhe shpërbërjes së Sigurimit të Shtetit, u duk si një problem i trashëguar nga administrata e diktaturës. Por koha tregoi se nuk bëhej fjalë për një rast aksidental. Ministra dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë do të përgjoheshin në vijimësi nga SHIK-u, në funksion të luftës së brendshme në PD, e cila nisi pak muaj pas fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992.
Tema sjell raportin në Parlament për përgjimin e ministrit të Jashtëm, të përmbledhur në disa pika thelbësore nga deputeti demokrat Tonin Alimhilli, si dhe reagimin e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision përmes deputetit Luan Hajdaraga.
Raporti
“Në datën 01.09.1992 komisioni parlamentar i ngritur për këtë qëllim, mori takim me zotin Alfred Serreqi dhe zëvendësin e tij, zotin Arian Starova. Takimi u zhvillua në zyrën e ministrit, i cili na njohu me hollësi për problemin.
Zanafilla e çështjes së përgjuesve është plot 48 ditë pas fillimit të zotit Serreqi në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme.
Më 3 qershor të këtij viti, shefi i ri protokollit i këtij dikasteri, u njoftua nga i mëparshmi, i cili po dorëzonte detyrën për një sistem përgjimi të instaluar në zyrën e ministrit dhe në dy sallat që përdoreshin për pritje. Ky sistem përfundonte në një dhomë që nuk e dinte asnjë nëpunës nga kjo ministri nëse ekzistonte, aq më tepër përse përdorej. Nga të dhënat e hetuesisë del se vendosja e këtyre aparaturave ka filluar në vitin 1981, kur ishte ministër i Punëve të Jashtme Nesti Nase. Ky deklaron se ka marrë urdhër gojor nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu që në godinën ekzistuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendoseshin aparatura regjistrimi të bisedimeve me të huaj për efekt arkivimi.
Këto aparatura janë blerë jashtë shtetit dhe janë vendosur nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili, me një dëftesë dorazi, ia ka dorëzuar ish-shefit të asaj kohe Jovan Andonit.
Montimi i parë përfaqësohesh nga një mikrofon në sallën nr. 1 të katit të parë dhe nga një magnetofon tip "UHR" për regjistrimin e bisedimeve, i vendosur po në katin e parë në një dhomë ngjitur.
Sipas Jovan Andonit, i cili administronte këto aparatura, deklarohet:
Në atë periudhë bëheshin regjistrime të bisedave vetëm për të huaj, me urdhër të ish-ministrit dhe zbardheshin nga daktilografistja Svetllana Rroku. Rregullore apo udhëzime të brendshme nuk ka pasur në këtë kohë për mënyrën dhe qëllimet e përdorimit të këtij sistemi.
Në qershor të vitit 1982 Nesti Nase i dorëzon detyrën Reiz Maliles dhe për aparaturat nuk i ka thënë asgjë, se ky i fundit i dinte paraprakisht kur ishte zëvendësministër. Në këtë kohë ka pasur tre mikrofonë në sallën nr. 1 dhe funksiononin dy manjëtofonë " UHER" në dhomën përkatëse.
Më pas Jovan Andoni ka shtrirë vetë nga kati i parë në katin e dytë, ku tani bëheshin regjistrime me të njëjtën praktikë punë.
Në gusht të vitit 1985 Jovan Andoni emërohet në një detyrë tjetër dhe çelësat e kësaj zyre misterioze ia dorëzon zëvendësministrit të asaj kohe, Sokrat Plakës, i cili pasi ka filluar punën si shef i protokollit Kostaq Çifliku, e thërret për t'i dhënë çelësat.
Gjithashtu, ky, Kostaq Çifligu pra, instruktohet për përdorimin e aparaturës nga Dashnor Andoni, djali i Jovan Andonit.
Në vitin 1987, pra pas dy viteve punë të Kostaq Çifligut, me urdhër të Reiz Maliles, ky sistem është vendosur edhe në sallën nr. 2 të katit të parë. Mikrofoni është vënë në një vazo me lule artificiale.
Në vitin 1989, me urdhër të ish-ministrit Reiz Malile, nga një punonjës i Këshillit të Ministrave është vendosur një lidhje nga dhoma misterioze e katit të dytë për në zyrën e ministrit. Nëpërmjet këtij instalimi ministri përgjonte bisedat që zhvilloheshin në dy sallonet e katit të parë.
Duke ngrënë e duke u shtuar oreksi, nga viti në vit, morali i kontrollit dhe i përgjimit të paligjshëm po rritesh. Kështu, në vitin 1990 ish-ministri Reiz Malile ka kërkuar që të instalohesh një magnetofon "UHR" në zyrën e sekretarit që të bëhesh i mundur regjistrimi i bisedave që zhvilloheshin në zyrën e tij. Ky magnetofon komandohesh nga zyra e sekretarisë. Pas shkarkimit të Reiz Maliles, ky shpjegon se ka vënë në dijeni pasardhësin e tij Muhamet Kapllani, por ky i fundit nuk ka pranuar një gjë të tillë, por thotë se nuk ka dijeni për këtë sistem përgjimi. Një ballafaqim midis Kapllanit dhe Çifligut për këtë problem, nga hetuesia nuk është kryer. Edhe Ilir Boçka që ka zëvendësuar, në rolin e ministrit, Muhamet Kapllanin mohon njohjen e një sistemi të tillë përgjimi, megjithëse shefi i protokollit, Kostaq Çifligu, shpjegon se e ka vënë në dijeni dhe i ka kërkuar se çfarë do të bëhet me këtë aparaturë.
Gjatë ndjekjes së procedurës nga organet e hetuesisë, si dhe nga deklarimet e atyre që përmenden në këtë çështje, rezulton se ministri Alfred Serreqi nuk është njoftuar nga asnjë person për ekzistencën e kësaj aparature.
Për përcaktimin e llojeve të këtyre aparaturave dhe funksionimin e këtij sistemi është kryer ekspertimi nga inxhinierët elektronikë, të cilët shpjegojnë se këto aparatura janë aparatura regjistrimi, kurse nëse përdoreshin për përgjim apo jo ekspertët sqarojnë se kjo varet nga qëllimi i përdorimit të tyre, pasi mund të shërbejnë edhe për përgjim.
Komisioni parlamentar, duke dëgjuar raportimet e bëra, si dhe duke parë dokumentacionin dhe fotografitë, krijon bindjen se sistemi i përdorur ka qenë i fshehtë. Këtë e vërteton dhe mënyra e vendosjes së mikrofonave. Në sallën nr. 1 mikrofoni është vendosur pas një dërrase dekorative që vesh murin e asaj salle. Në sallën nr. 2 është vendosur me lule artificiale dhe në zyrën e zotit Serreqi mikrofoni ka qenë pranë kaloriferit dhe së bashku me të kanë qenë të mbuluar me një rrjetë metalike.
Sistemi i instaluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka qenë i pamoralshëm dhe i kundërligjshëm jo vetëm për faktin se ku ka qenë i vendosur, por dhe pse ai nuk është njohur nga punonjësit e atij dikasteri, të cilët për më se 11 vjet që ka ekzistuar ky instalim duhet të kenë punuar dhe komunikuar në këto salla që përgjoheshin.
Nga ana tjetër, bashkëbiseduesit e huaj apo shqiptarë kanë qenë viktima të një survejimi auditiv. Përdorimi i këtij sistemi ka qenë i pabazuar në asnjë ligj apo rregullore, por në duart e një ose dy personave, të cilët e kanë shfrytëzuar me prirjen dhe sensin e tyre. Ky kanal informimi jo institucional mbetet mjaft i dyshimtë se ku përfundonte brenda apo jashtë vendit. Këtë e vërteton fakti se për 11 vjet e gjysmë shiritat e regjistrimit janë administruar pa asnjë rregullore zyrtare. Ato nuk janë protokolluar, s'janë zbardhur dhe arkivuar sipas rregullave, kur edhe për shkresa fare të parëndësishme kjo praktikë ka qenë ligj në administratën e asaj ministrie.
Përfundime të dyshimta të materialeve të regjistruara në këtë sistem, që përbëjnë shkelje flagrante të ligjit, tregon edhe fakti se në dhomën sekrete janë gjetur 42 shirita të regjistruar, kur për 11 vjet e gjysmë, sado të izoluar që ishim, takime me ambasadorë dhe të huaj nuk kanë qenë të paktë, sa të përbënin këtë numër prej 42 shiritash.
Thyerja e zyrës misterioze për qëllime vjedhjeje që është bërë në vitin 1989 është mjaft e pabesueshme, kur në atë kat të Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte të vendosur një sektor të Sigurimit të Shtetit, ndaj krijohet e drejta për të menduar se vjedhja është një truk i organizuar për të zhdukur shiritat më të rëndësishëm dhe për të justifikuar materialet sekrete që kanë dalë nga kjo ministri në favor të sigurimit apo të shteteve, me të cilët kemi qenë të lidhur ideologjikisht ose për të kompromentuar trupat diplomatikë dhe personalitetet e huaja dhe të vendit.
Luan Hajdaraga – Ashtu siç e theksoi dhe zoti Alimhilli, ne kemi disa vërejtje për saktësime të mëtejshme të këtij raporti. Më lejoni që të shpreh këto rezerva përpara Parlamentit.
Komisioni i ngritur nga Parlamenti për të sqaruar çështjen e përgjimit nëpërmjet aparaturave speciale të zotit Serreqi, ministri i Punëve të Jashtme, paraqiti sot një raport, i cili për ne, përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Socialist, Luan Hajdaraga dhe Alfred Paloka, nuk është i plotë dhe në disa përfundime i pasaktë. Por ky vlerësim për pjesë të veçanta nuk do të thotë se komisioni ad hock nuk ka punuar me synimin për të ndriçuar çështjen në fjalë dhe as materiali i paraqitur nga zoti Alimhilli, si kryetar i tij, nuk përmban të vërtetat e nevojshme.
Rezervat tona më thelbësore për raportin e paraqitur përpara Parlamentit për ta plotësuar dhe saktësuar më tej, janë si më poshtë:
1. Në raport nuk bëhet kritikë e adresuar për zvarritje të pajustifikuar në sqarimin e çështjes. Deklarata e zotit Serreqi në televizion është e datës 14 qershor 1992, ndërsa përfundimet e komisionit paraqiten pas 4 muajsh. Kryesia e Kuvendit, me gjithë këmbënguljen e Grupit Parlamentar Socialist e ngriti komisionin pas dy muajsh, ndërsa për paraqitjen e materialit u deshën edhe dy muaj të tjerë.
Deklarata e zotit Serreqi në Radiotelevizion dhe buja e madhe në shtyp, intervistat e disa parlamentarëve të ish-funksionarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të ish-shefit të SHIK-ut etj., rreth çështjes në fjalë, reflektimi i tyre në opinionin shoqëror e bënë tepër të ngutshëm hetimin e plotë nga ana e organeve kompetente, përfshi këtu dhe Parlamentin.
Ngutja për ta deklaruar zbulimin sensacional erdhi duke u zvarritur e shpërfillur nëpër korridoret e burokracisë shtetërore partiake deri sa kaluan plot 4 muaj.
2. Në raportin e komisionit, me gjithë ndërhyrjen tonë të argumentuar, nuk shpjegohet qartë nëse aparatura e vendosur në atë ministri është për regjistrim apo për përgjim. Kjo duhet përcaktuar prerë, pasi ka të bëjë me vetë deklaratën e zotit Serreqi. Pra, është përgjuar ministri Serreqi apo jo?
Sikundër del nga ekspertiza e kryer prej Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka përgatitur një material të hollësishëm për çështje, material që është vënë në dispozicionin tonë dhe nga konsulta e zhvilluar nga një grup përfaqësues të saj, rezulton se aparatura e vendosur në Ministrinë e Punëve të Jashtme përbëhet nga mikrofona të thjeshtë dhe magnetofon të tipit "UHR", që përdoren me shumicë në institucionet tona kulturore, artistike dhe mësimore. Lidhjet midis magnetofonave dhe mikrofonave janë realizuar përmes kabllove, të shtrira në mënyrë të dukshme për rreth 30-35 metra. Montomi i kësaj aparature, sidomos i kabllove është vënë në mënyrë diletanteske, pa kurrfarë mbulimi për faktin se dhe vetë aparatura e përdorur nuk mundëson maskimin e sofistikuar të saj.
Aparatura, në gjendjen që paraqitet dhe në mënyrën e funksionimit, është përdorur për regjistrim bisedash. Teknika e përgjimit që kundërvihet aplikohet me mikrofona mikroskopikë dhe aparate incizimi të vendosura në distancë, të cilët regjistrojnë valë zanore pa ndërmjetësinë e kabllove.
3. Pajisja e regjistrimit, e vendosur në zyrën e ministrit, të vendosura në sallat 1 dhe 2, vihen në funksionim vetëm me urdhër të ministrit. Regjistrimi i bisedave në zyrën e titullarit kryhej në paradhomë, që shërben si sekretari nga sekretari, ndërsa regjistrimi i bisedave në takimet që zhvilloheshin në sallat 1 dhe 2 nga shefi i protokollit të kësaj ministrie në një dhomë të veçantë të katit të dytë.
TemA
Ishte koha kur filloi ti vihej kazma shtetit. Injorantet dhe hajdutëtët qe erdhen ne qeverisje e rrenuan shtetin derisa i vune flaken ne ikje ne vitin 1997. Po ne cdo vend te botes, bisedat diplomatike rregjistrohen, por per politese kjo nuk behet ne menyre publike. Po ku ta dinte Serreqi si pasardhes i Zef Serreqit qe nga adujtant i mbretit tradhetoi me Duçen kur e çoi Zogu per negociata. Jetonte akoma me fantazmen e sigurimit te shtetit. I kujtoheshin raportet e dikurshme.
Edhe çfarë frike ka këtu.Në çdo shtet bisedimet regjistrohen dhe arkivohet. Por budallenjtë kujtojnë se kane bërë ndonjë zbulim. Turp i madh për shtetin që tregon sa të paaftë kane qene drejtuesit e tij.
Nē kētē Parlament deoutetja Kimete Rushit Goxhi ishte antare e komisionit tē tregētis.