“Delfini i Duçes, Konti Ciano i i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut dhe më 27 tetor 1938…”/ Shkrimi i gazetarit të famshëm italian

3 Maj 2026, 07:37Dossier TEMA
“Delfini i Duçes, Konti Ciano i i cili ishte jashtëzakonisht i

Gazetari i famshëm italian, Indro Montanelli, cili la gjurmë të pamohueshme me veprën e tij jo vetëm në Itali, e shtriu ndikimin e tij edhe në fusha të tjera, duke spikatur pikësëpari në atë të historisë, ku ai ishte në fragmente të saj edhe dëshmitar okular e përcjellës i eventeve më të rëndësishme të kohës. Një kolanë e ribotuar shpesh nga shtëpitë botuese më në zë në Itali, janë edhe vëllimet e “Storia d”italia”, të cilat kanë njohur më vonë edhe bashkëpunimin e redaktimin profesional të Mario Çervit.

E ndarë në shumë seksione e kapituj, sigurisht se për lexuesin shqiptar do të kishte vlerë të dihej vlerësimi që Montanelli jep për një periudhë shumë të diskutueshme të historisë sonë, siç është pushtimi italian, por edhe periudha e monarkisë. Si e shihte dhe çfarë shkruante Indro Montanelli (1909-2001) mbi ish-monarkun shqiptar dhe prejardhjen e tij e të parëve të tij, rrugën që ndoqi për të bërë karrierë, marrëdhëniet me italianët, fqinjët dhe popullin e vet, dhe në fund fare, edhe qëndrimin dhe lëvizjet në ditët dhe orët e fundit para se të niste pushtimi.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen të ndërthurura më shumë informacione e detaje të tjera në faqet 204- 215 të Volumit 8, Kapitulli XII, botim i “Rizzoli Editore”, Milano, 1982.

Kundërshtari që Musolini kishte shpikur për t’iu kundërvënë një suksesi që po kishte Hitleri, ishte në fakt i biri i tij. Mbreti Ahmet Zog, siç thuhej, “nuk lindte”. Ai i përkiste një dinastie të bosëve të mafies Mati, që do të ishte pak Kalabria e Shqipërisë dhe emri i tij i vërtetë ishte Ahmet Zogolli. Zogollët, që pas pushtimit turk, ishin të parët që u konvertuan në fenë e Islamit, duke pohuar pushtetin e tyre mbi shtetin, falë mbrojtjes së pashallarëve që gradualisht qeverisën vendin në emër të Sulltanit.

Ata zotëronin disa dele, disa kullota dhe një grup vrasësish, të cilët i përdornin për të mbështetur sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të përshtatur sipas dëshirës së tyre, gjakmarrjet dhe luftën guerile, endemike në mesin e atyre barinjve malorë, por nuk rezulton se ndonjë prej Zogollëve kishte pohuar dëshirën për të shtrirë ndikimin e tij mbi atë kanton të papërfillshëm, të banuar nga disa dhjetëra mijëra burra, pothuajse të gjithë analfabetë, të lidhur me mjaft fanatizëm me autonominë e tyre, të cilën turqit e respektuan. Zakonisht ata lindnin, jetonin dhe vdisnin atje, midis deleve dhe minareve, duke bërë gjueti, duke bërë intriga dhe duke administruar një drejtësi arkaike, nën pemën e fikut.

Ahmeti ishte ndoshta i pari i dinastisë së tij që e zgjeroi horizontin e ambicieve të tij. Lindur në vitin 1895, ai studioi në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, por kur Shqipëria kaloi, pas luftërave ballkanike, nën sundimin e Vjenës, ai u transferua në ushtrinë austriake – mjeti që përdorte Perandoria Habsburge për të themeluar elementet e ndryshme kombëtare nga të cilat ishte përbërë – dhe atje ai u bë kolonel. U shkarkua në fund të Luftës së Parë Botërore dhe mbeti pa gradë, pa para dhe pa flamur, ai u kthye në Mat, por nuk u mësua me vegjetimin si paraardhësit e tij.

Regjimi demokratik që kishin vendosur traktatet e paqes në vend ishte, sigurisht, një mashtrim, por lejonte këdo që të bënte përpara. Ahmetit i mjaftoi emri për t’u bërë deputet i rrethit të tij dhe për të hyrë kështu në lojën e pushtetit. Ambicia e tij ishte servirur mirë nga trashëgimia dinake e Zogollëve, me një guxim të shquar dhe një mungesë totale të skrupujve.

Para të tridhjetave ishte ministër i Brendshëm, një pozicion të cilin ai e përdorte për të shumëfishuar miqtë, t’i binte në qafë armikut dhe menjëherë më pas të instalohej si President i Këshillit. Kur, në zgjedhjet e ardhshme, ai u mund nga liberali Fan Noli, nuk pranoi t’i lëshonte atij vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën.

Ai nuk pati sukses për shkak të mungesës së forcave brenda dhe mbështetjes nga jashtë, dhe i detyruar të shpëtonte veten, u largua për në Beograd. Tashmë, e dinte se askush nuk mund të sundonte në Shqipëri përveçse si prokonsull i një fuqie të huaj dhe në mesin e atyre që pretendonin për dominim – Italia, Greqia dhe Jugosllavia – ndoshta ai mendonte se kjo e fundit ishte më e besueshme. Kështu duhej të dukej dhe ai me jugosllavët, të cilët hezituan shumë për ta bërë “ushtarin” e tyre.

Kur më në fund e vendosën, Nikola Pashiç – një lloj Gioliti serb (kryeministër italian) dhe njohës i mirë i njerëzve – duke vënë mbi tryezë një numër qesesh plot stërlina floriri, duke i shtyrë drejt tij, e  pyeti: “Dhe tani Zog, sa kohë do të duhet për të marrë para nga italianët dhe të kalosh në anën e tyre”? – Ndoshta Zogu nuk e bëri atë që kishte parashikuar Pashiç, vetëm për stërlinat.

Si mbrojtës, italianët kishin më shumë pikë se jugosllavët në avantazh: Së pari, nuk kishin vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, gjë që i jepte më shumë pavarësi kësaj të fundit, pastaj ishin më në gjendje ta ndihmonin nga ana ekonomike dhe në fund, pas ardhjes në pushtet të Musolinit, dhanë dëshmi të një aktivizimi diplomatik shumë më agresiv dhe të vendosur. Megjithatë, pasi kishte përvetësuar stërlinat e Pashiçit, Zogu përvetësoi dhe ato të Musolinit, të cilit pak i interesonte kjo; vetëm të jepte disa garanci të suksesit, dhe nga kjo pikëpamje nuk ishte e gabuar.

Me ushqim të dyfishuar, Zogu e rimori shpejt pushtetin dhe u kurorëzua dhe President i Republikës, por kjo nuk i mjaftoi. Tri vjet më vonë, ai mori një kurorë të vërtetë, atë të Mbretit, që Musolini ia dha në shkëmbim të një deklaratë besnikërie të pavdekshme ndaj Italisë, që e shqiptuar nga një njeri si Zogu, vlente aq sa vlente. Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë.

Pasi u bë Mbret, Zogu e mori seriozisht mbretërimin, duke marrë qëndrimet e pavarësisë dhe duke treguar shpesh arrogancë, që dikur rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë dhe nënshkroi një me Jugosllavinë. Këto veprime u justifikuan pjesërisht nga politika e Romës, që e kryente detyrën e saj si “mbrojtëse” shumë keq. Ndihmat e mëdha më pas përfunduan duke shtuar llogaritë private të Zogut dhe të preferuarve të tij, por edhe ato ndërhyrëse dhe paternaliste.

Kjo politikë dukej e bërë me qëllim që të fyente ndjenjat e një Mbreti si Zogu që pa tradita dinastie, u përpoq të kompensonte me gjeste krenarie kombëtare dhe shkëlqimin e një oborri operetash. I fshehtë dhe dyshues, Zogu e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën, megjithatë, ishte një mjeshtër. Rrallë shfaqej në publik, kërkonte nga të gjithë, madje edhe nga diplomatët italianë, duke filluar nga kreu i misionit, ministri Jakomoni, të respektonte një ceremonial të përpiktë, ku fliste pak dhe nuk hapej me askënd.

Ndikimi i vetëm që ushtronte ishte ai ndaj familjes dhe në veçanti ndaj motrave, që prej tij kishin marrë gradën e gjeneralëve dhe të veshura me uniformë, luanin në Pallatin Mbretëror motin e mirë dhe të keq. Ato ishin anti-italiane edhe kishin frikë se Roma do t’i jepte mbretit një grua italiane, që do t’i shpronësonte.

Në të vërtetë, ky ishte projekti që Roma kishte, dhe për ta realizuar, dikush i kishte sugjeruar gjithashtu të “sakrifikonin” për Zogun një princeshë të linjës së gjakut mbretëror të Savojës, por nuk ishte gjetur ndonjë aq e gatshme dhe më pas ishte kthyer tek një baroneshë e cila, megjithëse italiane, kishte prejardhje të drejtpërdrejtë dhe mbante emrin e kampionit më prestigjioz të nacionalitetit shqiptar: Skënderbeut, por për Zogun kjo ishte një masë e përkohshme, me krenari e refuzoi atë dhe për të ripohuar pavarësinë e vet, dëshironte të bënte një zgjedhje të tijën.

E bëri mbi një fotografi ku ishte një vajzë hungareze, që ia kishte propozuar sekretari i tij. Zogu e refuzoi vajzën, por e mbajti fotografinë dhe e ftoi në Tiranë origjinalen: Ajo ishte Geraldine Apponyi, trashëgimtare e një familjeje të madhe hungareze e rënë nga vakti; nuk kishte asgjë përveç emrit dhe një fytyre të ëmbël, e njëjtë edhe në karakter.

Dasma u mbajt më 28 nëntor 1937, në njëzetepesë vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (Shënim i përkthyesit: këtu, me shumë gjasa, kemi të bëjmë me një lapsus të vetë autorit, gjë e cila mund të ketë ardhur nga mos-thellimi apo neglizhenca e tij ndaj këtij detaji historik, pasi dihet tashmë se dasma në fjalë u zhvillua në prill 1938) dhe ishte një tjetër burim i fërkimit, këtë herë më të thellë me Italinë.

Jo vetëm për shkak se Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për kundërshtitë e vrazhda që iu bënë, veçanërisht nga motrat gjenerale, të dy përfaqësuesve italianë, të cilët ishin Çiano për qeverinë dhe Duka i Bergamos, i Shtëpisë së Savojës. Ishte më se e kuptueshme se: Kriza, për arsye të parëndësishme, ndodhej tashmë në ajër, por ka shumë mundësi që edhe acarimi i Cianos, t’i ketë dhënë një shtysë përshpejtimit të saj. Por as Zogu, në mungesë të një ideje, ose për shkak të krenarisë, nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Ndoshta ai mendonte se Italia nuk mund të bëjë pa të dhe sigurisht, u mbështet dhe nga të motrat për këtë bindje. Geraldina nuk mund t’i ofronte asnjë ndihmë, qoftë edhe me anë të këshillimit. Shumë e re në moshë (ajo ishte njëzet vjet më e re se ai) dhe pa përvojë, ajo e gjeti veten krejtësisht të papërgatitur për të luajtur rolin e vështirë të Mbretëreshës. Për më shumë, ajo ngeli menjëherë shtatzënë dhe burri i saj, edhe pse dukej shumë i dashuruar me të, vepronte ende si një mysliman, i cili nuk i jep rëndësi fjalës së gruas.

Por, sipas një tjetër hipoteze, ai kurrë nuk kishte pasur ndonjë iluzion në lidhje me stabilitetin e fronit të tij, përkundrazi, Zogu donte t’i jepte fund aventurës së tij në mënyrën më të hijshme, duke e shtyrë pavarësinë deri në sfidën e radhës. Ndoshta po përgatiste kthimin e tij në momentin kur rregullat e lojës europiane të kishin ndryshuar. Megjithatë, edhe pse i mungonte etika, atij nuk i mungonte karakteri.

Në fakt, u bë më se e qartë kur goditja gjermane në Çekosllovaki i dha Ciano-s një mundësi për të kryer planin e aneksimit të Shqipërisë, plan që “vlonte” prej kohësh. Ministri i Jashtëm kishte marrë urdhra që jugosllavët t’i kishin “duart e lira” për të vepruar në Shqipëri, sipas klauzolave të fshehta të traktatit të vitit 1937: Musolini kishte marrë në dorë raportet që e tregonin Shqipërinë si një vend “të pasur, të pasur me të vërtetë” dhe parashikonin një ndërhyrje të mundshme gjermane në atë zonë, për aq kohë sa kjo ndërhyrje  mbikëqyrej nga italianët.

Në këto përshkrime, “sociale” të Cianos, nuk mungonin edhe idetë anti-Zog. “Ky popull, ku kushtet e mjerimit në të cilat jeton, na sjell ndërmend fshatrat e largëta kineze përgjatë Jang-Ce….! “120,000,000 lirat e mjerueshme, të cilat përbënin buxhetin e shtetit, përdoreshin për blerjen e diamanteve, rrobave, makinave që motrat e Mbretit i reklamonin me pamaturi të vazhdueshme”. Falë kësaj taktike, Ciano, në maj të vitit ’38, arriti të bindte Duçen, të jepte aprovimin e një përgatitje të përgjithshme.

Ndërkohë, delfini i Duçes, i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut. Më 27 tetor të vitit 1938, ai vuri në dukje në ditarin e tij: “Aksioni fillon me vrasjen e Mbretit (duket se do jetë detyrë e Këshilltarit Koçi, përballë një tarife prej dhjetë milionësh), lëvizjet përgjatë sheshit, udhëzimi i bandave besnike ndaj nesh (pothuajse të gjithë komandantëve, përveç atyre të KMIA), lutje Italisë për ndërhyrje politike dhe ushtarake, nëse është e nevojshme, ofrimi i kurorës së Mbretit dhe aneksimi i mëvonshëm. Jakomoni siguron se çdo gjë mund të bëhet në bazë të rregullave, me një muaj paralajmërim.

“Një manovrim i tipit ‘Anschluss’ me pak fjalë, si aneksimi i Sudeteve. Deri në atë moment, Ciano kishte reaguar me iniciativën e vet. Ekzistonte tashmë një duel mes Cianos dhe Zogut, pra Musolini do e bazonte aprovimin ose pengimin e aneksimit, në përputhje me stadin e ngjarjeve në rend ndërkombëtar. Rënia e Stojadinoviçit, një mik i madh i Cianos, në Jugosllavi, kishte komplikuar akoma edhe më shumë situatën. “Duart e lira”, nuk mund të vepronin si më parë dhe Zogu e dinte mirë këtë. Ideja e vrasjes se Mbretit, ishte venitur. / Memorie.al

2 Komente

  1. A
    Abc

    Dhe te mendosh qe ketij sharlatani i kemi bere edhe monument e i kemi perjetesuar emrin ne bulevardine e Tiranes. Ende nuk kemi bere edhe per Saliun nje permendore e per te gjithe keta plehra qe na kane qeverrisur e na "qeverisin" ne menyren me te mbrapesht.

    Përgjigjjuni
    1. a
      astrit

      Pak fjalë për fuqinë imponuese ekonomiko - politike - kulturore të Italisë fashiste Në çdo rast, historia është një formë dijeje që arrihet duke ndërtuar një lidhje me të kaluarën dhe që shërben për të kuptuar botën. Veçantia e saj konsiston në vënien në dukje të hendekut pak a shumë të madh që ekziston midis së tashmes dhe asaj përpara, që fshihet në të tashmen dhe del në dritë nga puna kërkimore. Nga pikëpamja deontologjike (Deontologjia është një teori etike që përdor rregulla për të ndarë të drejtën nga e padrejta.) e kjo është detyra më e vështirë. Marrëdhëniet e historisë me pushtetin duhet të jenë konfliktuale ose të paktën të karakterizohen nga autonomia absolute. Në marrëdhëniet e tyre përkatëse me të kaluarën ato duhet të përjashtojnë njëra-tjetrën, “pushteti tenton të futet në repertor e vetëlegjitimimit e të përvetësimeve, nga çfarë përpiqen ta mbrojnë historianët të vërtetën.” Në shumë studime të historiografisë shqiptare të periudhës komuniste, egzistoi një vullnet i vetëdijshëm militantist e diskriminues i periudhës politike të viteve 1928-1939 që përkon me Mbretërinë Shqiptare e më saktë e kam fokusimin, në rrolin i Italisë fashiste në zhvillimet social-ekonomike e politike shqiptare. Kishte e ka një mungesë dëshire për njohje të saktë të historisë së Shqipërisë në këtë periudhë kohore, ka studime të cekta shkencore e mbi të gjitha të deformuar me qëllim,ku mungojnë kërkimet e plota mbi burimet parësore dokumentare si dhe një autoçensur nga presioni ideologjik enverist për të lexuar dokumentacionin arkivor me objektivitet. Falë injorancës kolektive e mbizotërimit të një pragmatizmi banal të popullsisë shqiptare lejoi që propagandistët enveriste të vazhdonin ta argumentonin historinë e tyre për këtë periudhë historike në bazë të “moralit envero-komunist”. Është ç’përfillur, injoruar e anashkaluar studimi i qytetërimit italian e pesha e saj në qytetërimin e shqiptarëve. Nuk është marë në konsideratë vizioni, dëshira, mundësia e arroganca dominuese e dhunëshme fashiste për kolonizimin e qytetërimin e shqipëtarëve dhe jo vetëm të shqiptarëve. Kemi studime historike më shumë të karakterit ideologjik e propogandistik, se sa studime serioze historike, ku i është mëshuar me një qëllim pevers “paaftësisë e degjenerimit” të klasës politike shqiptare të kohës e në fokus kanë Zogun si “ si mesjetari, analfabeti, i keqi, i dështuari, vrasësi, hajduti, maloku, i koruptuari e pa fund epitete denigruese”. Në përgjithësi Shqipëria në këtë periudhë historike me të padrejtë trajtohet nga historiografija Enveriste si shtet i “dështuar e i pa aftë”. E vërteta është që shqiptarët qenë shumë vital në ndërtimin e shtetit të tyre në kushtet e një prapambetje social-ekonomike e shoqërore e trashëguar nga historia, shoqëruar me armiqësinë e egër të shovinizmit të Jugosllavisë e Greqisë që pretendonin teritoret shqiptare. Është lënë në haresë me dëshirë politike, aftësia e dhunshme fashiste, potenca ekonomiko-ushtarake, ndikimi kulturor i Italisë fashiste te kombi shqiptar drejt Europianizimit të saj si pjesë e “haruar” e genit Europian, nuk është prekur pothuajse fare, braktisja e mbrojtja e Shqipërisë nga vëndet e mëdha Europjane e mbi të gjitha, nuk kishte një analizë serioze për zhvillimin shoqëror të shqiptarëve, që ishin vite larg nga zhvillimi shoqëror italian e europian. Shqiptarët panë te Italia shembullin e shtetit të tyre që do zhvillonin, ndërsa Italia fashiste pa te Shqipëria koloninë e tyre të ardhshme si pjesë e ish Perandorisë Romake tashmë e ëndëruar nga fashistët. Në prag pushtimi qytetërimi Italian në Shqipëri ishte pikë referimi drejtë evropjanizimit të shoqërisë së saj pothuajse mesjetare. Mbretëria Shqiptare e detyruar nga kriza ekonomike Botërore e viteve 1929-1933 e mos zhvillimi i vëndit ashtu si ata kishin ambicje, u detyruan të nënshkruaj disa marrëveshje ekonomike politike me Italinë, si e vetmja që u tregua bujare e ofroi ndihmë, duhet theksuar se Italinë, Kombet e Bashkuara në vitin 1921 i kishin dhënë të drejtën e kujdesjen për zhvillimin dhe sigurinë e shtetit shqiptarë, si në fushën politike, të sigurisë dhe ekonomisë. Britania e Madhe për interesat e veta politike bëri një sy qorr për të penguar ekspasionin ekonomik fashist në Shqipëri.Fashistët italian e çfrytëzuan për qëllimet e tyre ekspasioniste fashiste, qëndrimin tolerues të Britanisë ndaj tyre. Kjo situatë gjeopolitike krijoi shkak pasojën e saj në marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë e Italisë. Gjeopolitika e kohës nuk i la kohë e mundësi shtetit të brishtë shqiptar, për të gjetur hapësirën e manovrimi ndaj dhunës fashiste përkundrazi Shqipëria u braktis e u sakrifikua pa të keq nga Fuqinë e Mëdha. Gjithsesi Shqipëria gjatë mardhënjeve me fashizmin Italian njohu një zhvillim ekonomik e social të mirë. Gjatë kohës së Mbretërisë 1928-1939 Shqipëria fitoi stabilitetin dhe sigurinë në vënd,u nënshkruan marveshje të rëndësishme në përgjithësi me kapitalin Italian në fushën ekonomike, politike e ushtarake që e forcuan pozitën e Shqipërisë në Ballkan. Shumë kompani italiane, angleze, franceze e amerikane filluan të jenë pranishme në tregun shqiptar dhe nëpërmjet sigurimit të marrëveshjeve koncesionare apo nëpërmjet investimeve direkte që nisën aktivitetin e tyre. I tillë ishte rasti i shoqërisë SISMA (Societa Italiana Sfrutamento Miniere Albania); shoqëria SEIA (Sociata Electrica Italo-Albanese); shoqëria ALBA (Azienda Lavori Boschi Albania); shoqëria EIAA (Ente Italiano Attivita Agraria); shoqëria SESA, që mori koncesionin e elektrikut në 7 qytete të Shqipërisë; shoqëria anglo-persiane “Oil Kompani”; shoqëria amerikane “Standart Oil Kompani”; sindikata franko-shqiptare e vajgurit (naftës); shoqëria gjermane INAG për shfrytëzimin e pyjeve etj. Kjo i dha një shtytje të mëtejshme ekonomisë së vendit, e cila njohu një zhvillim të evidentueshëm. Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan 850 km rrugë kryesore, 456 km rrugë rurale, 4,062 ura të vogla me 10,250 ml dhe 76 ura të mëdha me 2,050 ml. Rrugët automobilistike më të rëndësishme ishin Shkodër-Pukë, Ura e Matit-Peshkopi, Krujë-Burrel, Tiranë-Elbasan, Lushnjë-Mbrostar ku arkitektët Italian ishin projektuesit e rrugëve por dhe të zhvillimit të kryeqytetit e qyteteve kryesore. Në bujqësia u ngitën fermat e para moderne me kapital e specialist Italian etj. Shumë studiusë serioz konfirmojnë se Mbretëria e la Shqipërinë më mirë sa kur e mori në drejtim. Zogu dhe e gjithë klasa drejtuese e kombit të kohës aritën të riformatojnë nacionalizmin fisnor të kombit drejt një nacionalizmi bashkëkohor Europian. Mbreti Zogu pa dhunë sociale ju imponoi fiseve shqiptare që ndërgjegjen nacional-fisnore ta zhvillonte në ndërgjegje kombëtare, fiset u futën në rrugën e shtetformimit, zhvilloi e rriti cilësinë e arsimit kombëtar, vuri themelet e një shteti Europian. Parlamenti Shqiptar miratoi një numër rekord ligjesh moderne për vëndin. Shqipëria nga një vënd anarkik e i prapamendur, u zhvillua në një vënd i rregullt ku ligji mbizotëronte, qytetarët jetonin të qetë e sistemi politk mbretëror fuksiononte normalisht. Mardhënjet me fqinjët njohën një stabilitet të respektushëm në raport me armiqësitë që kishin shqiptarët me serbët e grekët. Shqipëria tani e kishte një klasë intelektuale ku gërshetoheshin fuksionarët e lartë të Perandorisë Osmane me intelektualë të dalë nga shkollat ma të mira të Europës e SHBA.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje