
Qysh më 1901, lëvizja sioniste themeloi Jewish National Fund. Qëllimi i vetëm i këtij fondi ishte që në Palestinë, në emër të popullit hebraik, të blejë tokë dhe që ta aftësojë atë për punë. Por, në fakt, një pjesë e madhe e tokës bujqësore hebraike në Palestinë u ble nga “populli”: nga bukëpjekësit, nga rrobaqepësit dhe nga latuesit nga Pinski, nga Belina dhe nga Milvoki. Që nga fëmijëria ime më kujtohen kutitë e vogla të kaltra të kursimit, të cilat i mbanim skaj qiriut në dhomën e pritjes dhe ku ne, por edhe mysafirët tanë, hidhnim para të metalta. Këso “arkëzash të kaltra” kishte në secilën shtëpi hebraike që e vizitonim. Dhe, paratë e mbledhura në këtë mënyrë i mundësuan popullit hebraik që, nga viti 1904, të blejë territore të tëra në Palestinë.
Kur më kujtohet kjo, më vjen mërzi të dëgjoj fjalët boshe se, gjoja, hebrenjtë “ua vodhën” tokën arabëve në Palestinë. E vërteta, pra, është krejt tjetër. Grumbuj të tërë parashë metalike bënë që të ndërrohen pronarët e tokave dhe shumë arabë u pasuruan shumë. Natyrisht se kishte edhe organizata të tjera dhe individë të panumërt, që gjithashtu blenin tokë. Mirëpo, rreth vitit 1947, vetëm Jewish National Fund u bë pronar – nga miliona “arkëza të kaltra” të mbushura – i më shumë se gjysmës së pronave të përgjithshme të paluajtshme hebraike në Palestinë. Pra, këtu le të jetë fundi i rrenës se hebrenjtë “ua vodhën” tokën arabëve në Palestinë!
I thamë kënetat dhe bëmë toka të punueshme
Hapi tjetër ishte ta bënim atë tokë të punueshme. Bujqit individualë as nuk ishin marrë e as që mund të merreshin me atë projekt të rëndë dhe të rrezikshëm, i cili vetëm pas disa vitesh mund të sillte fitime. Njerëzit e vetëm që ishin të aftë t’i hynin kësaj pune të tharjes së kënetave të Emekut ishin pionierët e motivuar idealistë të lëvizjes “Punëtorët-sionistë”. Ata i hynë kësaj pune, përkundër rrethanave të vështira dhe pa llogaritur viktimat në njerëz. Për më tepër, ata ishin të gatshëm që vetë të punonin, në vend të argatëve arabë të mbikëqyrur nga drejtuesit hebraikë të fermave. Banorët e parë të Merhavisë ishin njerëz të tillë. Shumë nga ata patën rastin të shohin se si u bë Emeku një nga luginat më të plleshme dhe më të bukura izraelite, me fshtrat që lulëzonin dhe me vendbanimet e reja kolektive.
Merhavia (fushat e gjera të Zotit) ishte një nga kibucet e para të themeluara në Emek. Më 1991, një grup të rinjsh nga Evropa e rregulloi këtë fermë, por mezi e mbajtën. Kur më 1914 plasi lufta, u bë e qartë se malaria, armiqësitë e fqinjve arabë dhe përpjekja e autoriteteve turke që t’i detyrojnë emigrantët të braktisin tokat, ishin tepër të forta. Grupi i themeluar u shpërbë dhe u tret. Pas luftës, një grup tjetër e pionierëve evropianë, themeloi vendbanimin në të njëjtin vend. Atyre iu bashkangjitën edhe veteranët britanikë e amerikaë të Legjionit hebraik (ndër ta, përfundimisht, edhe unë e Morrisi), por më vonë edhe ata u zhbënë, prandaj këtë vend, me 1929, e mori në dorë grupi i tretë dhe i fundit i punëtorëve-sionistë. Ata u kapën fytafyt me problemet dhe qëndruan aty.
Pse na refuzuan në kibuc?
Kishim dëshirë të flaktë të shkonim në Merhavia, prandaj kërkuam që sa më parë të pranoheshim. Por, ishim të tmerruar kur u refuzua kërkesa jonë për arsye që më dukeshin krejtësisht të palogjikshme. Në fillim, as që deshën të na tregojnë arsyet e refuzimit, por isha këmbëngulëse që të na thuhej e vërteta. Pastaj na treguan, jo fort me dëshirë, se ekzistojnë dy arsye kryesore kundër nesh: e para, se kibuci ende nuk do njerëz të martuar dhe se fëmijët janë luks që s’mund t’ia lejojë vetvetes vendbanimi i ri; dhe, e dyta (këtë assesi s’mund ta pranoja), se grupi, atëherë i përbërë nga shtatë gra dhe tridhjetë meshkuj, nuk mund ta marrë me mend se vajza “amerikane” do të dëshironte apo do të mund t’i dilte zot punës së rëndë fizike. Meqë shumë anëtarë kishin ardhur nga SHBA-të, ata e çmonin veten si ekspertë për gjithçka që kishe të bënte me Amerikën, përfshirë këtu ede aftësitë e vajzës amerikane, siç isha unë. Disa nga vajzat e pamartuara në Merhavia, të cilat në Palestinë çmoheshin si “veterane” dhe të cilat kishin dëgjuar shumë gjëra për vajzat amerikane nga ekspertët e tillë, na kundërshtonin pa masë. E ndjeja veten sikur të isha sërish para lituanezëve, të cilët u desh t’i bind, se edhe pse jam nga SHBA-të, jam shumë e aftë për punë të rënda. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë ashtu për dikë tjetër, mendoja e nervozuar, prandaj e vetmja gjë e drejtë o të ishte të na e jepnin rastin të dëshmoheshim. Më kujtohet se njëra nga pikat e theksuara kundër meje thoshte se në Tel-Aviv më me dëshirë kisha dhënë mësim në gjuhën angleze, në vend se të punoja fizikisht.
Megjithatë, e fituam betejën. Na ftuan që për disa ditë të shkojmë në Merhavia, me qëllim që anëtarët të mund të na vlerësonin aty pr aty dhe pastaj të vendosnin për ne. Isha e bindur se, në fund, do të mbeteshim aty. Kështu edhe ndodhi.
Ne ikëm, Shejnën e lamë në Tel-Aviv
“Komuna” jonë e Tel-Avivit filloi të shkapërderdhej. Regina zuri një punë të re, por edhe Josseli u largua gjithashtu. Vetëm Shejna mbeti në banesë me fëmijët e vet. Ende më kujtohet rasti kur, një nate të nxehtë shtatori po bënim gati gjërat për në Merhavia, kuptova ty për aty se po e lenim Shejnën në lloq. Ajo po mbetej vetëm në banesën, e cila ishte tepër e madhe për të. Shamaji ende ishte larg saj me mijëra kilometra. Të dy fëmijët ishin ende të sëmurë. E pata pyetur Shejnën se a të rrimë më gjatë në Tel-Aviv, ndërsa ajo as nuk deshi të dëgjojë për ndërrim të planeve tona. – Do ta marr me qira njërën nga dy dhomat – tha – dhe do të kërkojpunë. Për mua mos u brengosni – na porositi.
Shejna dëshironte të provonte që, si motër medicinale vullnetare, të pranohej në spitalin Hadass, që sapo ishte hapur në Tel-Aviv, me qëllim që më vonë të punësohej si e përhershme. Shamaji sigurisht do të vinte pakëz më vonë. Deri atëherë ajo do të gjendet vetë. Pse bëra kështu, sikur i besoja, kjo i përgjigjet ligjit inert njerëzor, por paraprakisht parandjeja se jeta e rëndë në Merhavia do të jetë shumë më e lehtë se ajo me të cilën do të ballafaqohej Shejna e vetmuar në Tel-Aviv.
Tash, Merhavia është e madhe, vendbanim i gjallë me shkollë të mesme rajonale, në të cilën vijojnë mësimet nxënësit nga tërë Emeku. Sikur edhe shumë kibuce të tjera të mëdha, me sukses lidhi mes veti bujqësinë me industri. Aty ndodhet fabrika e gypave plastikë dhe shtypshkronja. Meshkujt dhe femrat e Merhavisë moderne jetojnë mirë, ndonëse ende duhet të punojnë punë të rënda. Dhomat e banimit i kanë të mira dhe komode, dhoma e përbashkët e bukës është e madhe dhe me klimatizim, kuzhina është e automatizuar. E gjithë kjo u arrit dhe asnjë parim (sipas të cilëve u normua jeta në kibuce më 1921) nuk u desh të nëpërkëmbej a të modifikohej radikalisht.
Si duket jeta në kibuc?
Anëtarët e kibucit edhe sot punojnë tetë orë në ditë dhe kryejnë detyrat që ua cakton komiteti i punëtorëve. Por, marrë në përgjithësi, ata mund të zgjedhin punë të cilën mund ta bëjnë më së miri, punë për të cilën kanë kryer shkollë dhe të cilën punë e kryejnë me dëshirë. Punët e papërshtatshme për ta, siç janë shërbimi në dhomën për ngrënie, puna në kuzhinë ose roja, i kryejnë me ndërrime. Secili merr pjesë në vendimet e rëndësishme që merren në vendbanim, për të cilat debatohet dhe votohet në mbledhjet javore. Sikur edhe në vitin 1921, fëmijët e kibucit rriten bashkërisht: ushqehen bashkë, flejnë bashkë dhe mësojnë bashkë, por – megjithatë – dhomat e prindërve të tyre ende janë shtëpitë e tyre, vende të caktuara për familje. Në disa kibuce, fëmijët flejnë në dhomën më të afërt.
Personalisht mendoj, dhe gjithmonë kam menduar ashtu, se kibucët janë vendi i vetëm në botë, ku njerëzit kanë mundësinë që të bashkëpunojnë plotësisht në bashkësinë të cilës i takojnë; me ç‘rast lloji i punës që bëjnë, ose efekti i saj, nuk luajnë rol parësor. E rëndësishme është vetëm vlera e tyre reale si qenie njerëzore. Zaten, edhe në jetën e kibucit ka varshmëri, josinqeritet dhe dembeli. Anëtarët e kibucit nuk janë engjëj, por ata, më sa di unë, janë njerëzit e vetëm që vërtet ndajnë gjithçka: problemet dhe shpërblimet, përgjegjësinë dhe lumturinë. Me mënyrën e tyre të jetës, ata i kanë ndihmuar më shumë zhvillimit të Izraelit, se sa që mund të paramendohet në bazë të numrit të tyre. Në Izrael sot ka rreth 230 kibuce, por është e pamundur, së paku kështu më duket mua, që të paramendohet ajo se si do të dukej vendi pa to.
Vajza ime, Sara, qe tridhjetë vjet është anëtare e kibucit Revivim në Negev. Gjithmonë, kur e vizitoj atë dhe familjen e saj, që në të kaluarën kjo nuk ndodhte shpesh për shkak të obligimeve të mia, mendoj për atë se me çfarë shpresash dhe me çfarë frike qemë nisur babai i saj dhe unë para aq kohësh në Merhavia.
Merhavia u bë shtëpia jonë
Shumë vite kam shpresuar se një ditë do të mund të kthehem në ndonjë kibuc. Ndoshta, ndonjë nga dëshpërimet e mia më të mëdha është ajo që kurrë nuk ia arrita kësaj. Natyrisht se gjithmonë kishte arsye pse kjo ishte e pamundshme, para së gjithash për shkak të obligimeve përditë e më të mëdha në jetën publike. Kur përfundimisht pata kohë të mjaftueshme për këtë, isha tepër e moshuar për ndryshime.
Një gjë është e sigurt: po të jetoja si anëtare e kibucit, i cili nuk vizitohet vetëm gjatë uikendit, do të isha po aq e lumtur sa edhe me punën time publike.
Kibuci në të cilin u vendosëm në vjeshtë të vitit 1921 përbëhej nga disa shtëpi dhe nga një grumbull drunjsh që kishin mbetur nga vendbanimi paraprak. Nuk kishte as pemë, as livadhe, as lule, asgjë pos erës, kodrave dhe fushave të djegura nga dielli. Në pranverë, i tërë Emeku lulëzoi. Kodrat që rrethonin luginën, bile edhe kënetat e zeza, ishin të mbushura me lule të egra. Për disa javë, Merhavia u shndërrua në vendin më të bukur që kam parë ndonjëherë. Por, ne arritëm atje pak para shirave freskuese të dimrit dhe gjithçka ishte ashtu si nuk e kishim paramenduar. Unë pata vendosur që të dëshmoj se mund të kryej së paku punë po aq të rënda sikur gratë e tjera të vendbanimit dhe se mund ta kryej çdo punë që më caktohet. Tashmë nuk më kujtohen të gjitha ato punë të rënda që më jepeshin gjatë “punës prvuese”, por e di se me ditë të tëra kam vjelur bajame aty afër kibucit dhe se kam ndihmuar në pyllëzimin e një mali të vogël, mes gurinave në rrugë për në Merhavia. Tash ai është një mal impresiv dhe, sa herë kaloj përskaj tij, më kujtohet se si hapnim gropa të panumërta në dheun mes gurëve dhe me kujdes mbillnim çdo fidane, duke e pyetur vetveten se a do të bëhen ato drunj të vërtetë. Kurrë nuk do t’i harroj ditët e para të kaluara në këtë punë. Kur ktheheshim në mbrëmje në dhomë, as gishtrinjtë s’mund t’i lëvizja, por e dija se, po qe se nuk lajmërohem për të ngrënë darkë, të gjithë do të më përqeshnin: - Çka kemi thënë? Këto janë vajzat amerikane! – do të thoshin. Me dëshirë nuk do ta haja supën me bizele, por megjithatë shkova të darkoj. Dhe, në fund, mbijetuan drunjtë, por mbijetova edhe unë! Pas disa muajsh, Morrisin dhe mua na pranuan si anëtarë – Merhavia u bë shtëpia jonë.
Genjeshtra . E blete token me leket e mbledhura ne kutite e vogla.E vodhet dhe vrate nje popull te tere ju dhe ata qe ju prune per te mbajtur te shtypur popujt arabe...