Golda Meir: Izraeli im (9)Veshja jonë ishte thesi me tri vrima: një për kokë dhe dy për duar

19 Tetor 2023, 16:43Dossier TEMA

 

Golda Meir: Izraeli im (9)Veshja jonë ishte thesi me tri vrima: një

Jeta në kibucet e viteve të njëzeta ishte gjithçka tjetër, por jo luksoze. Kishte shumë pak ushqime, ndërsa ato që na jepeshin kishin shije të tmerrshme. Ushqimi ynë përbëhej kryesisht nga një kaçamak i thartë elbi dhe nga vaji i parafinuar, të cilin e blenim nga arabët në qeset e lëkurës së dhive dhe këto qese i jepnin atij një shije shumë të keqe. Veç të tjerash, kishim ngapak perime që i merrnim nga kopshtet e çmueshme të kibucit, pastaj kishim mish viçi në kuti nga rezervat ushtarake të britanikëve, të mbetura nga lufta, dhe kishim një ushqim të jashtëzakonshëm që përbëhej nga harenga e konservuar me salcë domateje dhe që, në mënyrë ironike, quhej “Fresh”. Kjo na jepej çdo ditë për mëngjes. Kur më erdhi radha të punoj në kuzhinë, për çudi të të gjithëve, isha shumë e lumtur. Tash, më në fund, do të provoj ta përmirësoj pakëz ushqimin.

 

Gratë e kibucit e urrenin punën në kuzhinë

 

Në atë kohë, gratë e kibucit e urrenin punën në kuzhinë, jo pse ishte e rëndë (në krahasim me punët e tjera në vendbanim, kjo ishte punë shumë më e lehtë), por nga fakti se ndjeheshin të nënçmuara. Ato dëshironin t’u jepeshin punë të njëjta sikur burrave: shtrimi i rrugëve me kalldrëm, hapje tokash djerre, ndërtimi i shtëpive ose të bërit roje. Është fakt, prandaj, se gratë në kibuce ishin ndër luftëtarët e parë të suksesshëm në botë për të drejta të barabarta me meshkujt. Mirëpo, unë mendoja ndryshe për punën në kuzhinë. I pata pyetur gratë që me zor punonin në kuzhinë: - Pse është më mirë të punosh në shtallë dhe të ushqesh lopët, se sa në kuzhinë dhe të ushqesh shokët? Kurrë asnjëra nuk m’u përgjigj bindshëm në këtë pyetje.

Fillova energjikisht ta riorganizoj kuzhinën. Para së gjithash, e hoqa nga përdorimi vajin e tmerrshëm. Pastaj u kujdesa që ”Fresh”-i të hiqet nga mëngjesi dhe në vend të tij aplikova kaçamakun nga tërshëra, kështu që njerëzit, kur ktheheshin nga mëngjeset e ftohta dhe të lagështa dimërore, bile të kishin të hanin diç të ngrohtë dhe ushqyese, karshi dozës së tyre të obligueshme të kininës.

Askush nuk kundërshtoi që e hoqa vajin nga përdorimi, por menjëherë filluan të reagojnë për kaçamakun e tërshërës. Thoshin: - Kjo është për fëmijë. Ky është një zbulim i amerikanes! Por, unë nuk lëshova pe dhe Merhavia ngadalë filloi t’i përshtatet risive. Shumë shpejt, pastaj, u angazhova për ndryshimin e mënyrës së të ushqyerit tonë. Shtambat tona të emajluara për çaj aq të bardha dhe të pastra derisa ishin të reja, filluan të nxihen dhe të ndryshken pas disa javësh. Më humbaste disponimi vetëm kur i shikoja. Para se të më vinte sërih radha për punë në kuzhinë, e trimëruar nga suksesi me kaçamakun nga tërshëra, bleva gota për të gjithë. Ato ishin shumë më të mira dhe nga to njeriu mund të pinte shumë më mirë, edhe pse duhet ta pranoj se gati të gjitha u thyen që në javën e parë, prandaj i tërë kibuci duhej të pinte me rend nga dy apo tri gotat e mbetura.

 

Më thoshin: “Po ia qet zërin e zi kibucit!”

 

Harengat, të eliminuara nga kafjalli por të shërbyera për drekë, gjithashtu paraqisnin problem, ngase secili prej nesh nuk kishte thikë, piru e lugë. Shumica ose kishin vetëm thikë, ose vetëm piru, ose vetëm lugë. Gratë që punonin në kuzhinë zakonisht i pastronin harengat dhe i copëtonin në pjesë të vogla, por nuk ua qëronin lëkurën, prandaj këtë punë duhej ta bënte secili për veti. Meqë nuk kishim asgjë për t’i fshirë duart, ato i fshinim për rrobat tona të punës. Kur fillova të punoj në kuzhinë, vendosa t’i qëroj harengat. Gratë e tjera më shanin. – Do të shihni, ajo do t’i lazdrojë burrat edhe kështu! – thoshin. Por, unë i pyeta: - Çfarë do të bëshit ju në shtëpinë tuaj? Si do t’i shërbenit harengat për famljen tuaj? E, kjo është shtëpia juaj! Kjo është familja juaj!

Të shtunave në mëngjes zakonisht piçnim kafe. Meqë të premten nuk mund ta dërgonim qumështin në Haifa, kafjalli përbëhej nga qumështi. Bënim leben (prodhim qumështi i ngjashëm me jogurtin) dhe lebenia (njëlloj lebeni më i pasur). Gruaja, e cila të shtunën në mëngjes punonte në kuzhinë dhe ishte përgjegjëse për biskotat, i ruante ata sikur t’i varej jeta nga kjo, ngase kafjalli përbëhej nga biskotat dhe kafeja. Të premteve mbrëma, pas darkës, disa nga djelmoshat zakonisht provonin t’i vidhnin biskotat. Nganjëherë edhe ia arrinin t’i vidhnin, kështu që pastaj e shtuna ishte tragjedi e vërtetë. Kur më erdhi radha mua të punoj në kuzhinë të shtunën në mëngjes, llogarita kështu: më nuk kemi as vaj, as sheqer, as vezë (ia patëm nisur me disa pula të gjora të cilat vetëm kohë pas kohe bënin nga një vezë), pra t’ia nisim me pak ujë më shumë dhe me miell e të bëjmë biskota për të mjaftueshme për darkën e të premtës dhe për kafjallin e të shtunës. Në fillim, kjo dukej vepër “kundërrevolucionare”, por pas pak kohësh të gjithë u ndanë të kënaqur që, me të njëjtat para, po hanin biskota dy herë në javë.

Risia ime më e famshme “borgjeze”, për të cilën më morën nëpër gojë me muaj të tërë banorët e gjithë Emekut, ishte “cilorja” (mesallë, e bërë nga pëlhura), të cilën e shtrija në tryezën e bukës të premtën për darkë dhe mbi të vëndosja lule të egra. Anëtarët e Merhavisë kundërshtonin, ofshanin dhe ma tërhoqën vërejtjen se po ia qes zërin e zi kibucit, por në fund më lanë të punoj ashtu si dua.

 

Veshja jonë ishte thesi me tri vrima: një për kokë dhe dy për duar

 

Të njëjtat zënka bëheshin, për shembull, edhe rreth veshjes. Të gjitha femrat në atë kohë vishnin fustana nga një cohë e vrazhdtë të cilin e kishin endur arabët. Ato, në atë material, bënin tri vrima: një për kokë dhe dy për duar. Pastaj lidhnim një konop rreth belit dhe kjo ishte e tëra. Të premteve mbrëma zakonisht i ndërronim rrobat: meshkujt vishnin këmisha të pastra, ndërsa femrat vishnin funda dhe bluza në vend të rrobave të punës. Nuk më hynte në kokë assesi ajo pse njeriu të dukej mirë vetëm një herë në javë.

Për mua ishte krejt njësoj se çka mbaja të veshur gjatë tërë javës, por gjërat duhej të ishin gjithsesi të hekurosura. Për çdo mbrëmje hekurosja “thesin” tim me një ujti të rëndë plot qymyr, duke ditur se banorët e kibucit më konsiderojnë të luajtur mendësh dhe më shikojnë me dyshime nëse jam pioniere e vërtetë. Njësoj gjykonin edhe për lulet që i vizatoi Morrisi në muret e dhomës sonë, me qëllim që ajo të dukej më bukur. Edhe sëndukët, që Morrisi u dha formë dhe i shndërroi në dollapë, nuk u pritën fort mirë. Dhe, u desh të kalojë një kohë bukur e gjatë derisa kibuci nuk i pranoi shprehitë tona të çuditshme “amerikane”. Rolin më të madh në gjithë këtë e lozi gramafoni ynë. Atë ia lashë Shejnës në Tel-Aviv, por pas disa muajsh e pashë se ai ishte më i nevojshëm në kibuc. E mora me veti në Emek. Dhe, së shpejti, dhoma jonë filloi të mbushej me banorë të kibucit sikur dikur në Tel-Aviv.

Atë dimër më thanë të punoj në avllinë e shpezëve në kibuc. Më dërguan disa javë në shkollën bujqësore, me qëllim që të mësoja imtësi të për rritjen e shpezëve Pas shumë vitesh, kur u tregoja prindërve të mi për këtë pjesë të jetës sime, ndaheshin të kënaqur që isha bërë eksperte për rritjen e shpezëve. Para se të niseshim për në Merhavia, në familje më njihnin si njeri që nuk i donte fort shtazët. Kjo vlente për zogjtë. Nuk mund të them se i kam dashur realisht banorët e avllisë së shpezëve, por me ta merresha në mënyrë intensive, prandaj isha shumë e lumtur kur mbajtësit e shpezëve nga tërë Emeku vinin në Merhavia të shihnin avllinë e shpezve për të zbuluar se si arrinim aq shumë rezultate në këtë fushë. Ditën dhe natën flisja për shpezët, për mënyrën e rritjes së tyre, për ushqimin e tyre. Por, kur çakalli u mëshoi kotecëve, me avë pastaj kam ëndërruar për kasaphanën e bërë. Ne, edhe pse nuk mund ti lejonim vetes luks të tepruar, nganjëherë kishim në meny edhe vezë, bile edhe mish të pulës e mish të patës. Nganjëherë, kur na vizitonte Shejna me Juditën e Haimin, përgatisnim një specialitet të Merhavisë: qepë të pjekura dhe vezë të ziera fort me çaj të vakët. Sot kjo nuk duket joshëse, por asokohe këtë e konsideronim ëmbëlsirë.

 

Në kibuc praktikisht nuk kishte jetë private

 

Muajt kalonin shpejt. Nuk kishim fuqi të mjaftueshme punëtore. Shumica vuanin nga malaria, të tjerët nga barkqitja ose nga papataça, një lloj temperature shumë e papërshtatshme lokale e përcjellur me ethe, që vinte si pasojë e kontaktit me mizat ranore. Tërë dimrin kibuci notonte në një det lymi nëpër të cilin shkelnim duke shkuar për të ngrënë bukë apo duke shkuar në punë. Verat nuk ishin të lehta: shumë të gjata dhe tmerrësisht përcëlluese. Nga pranvera e deri në vjeshtë na pushtonin re të mizave të vogla, të mizave ranore dhe të mushkonjave. Zakonisht, në punë shkonim në orën katër të mëngjesit, sepse kur dielli piqte pa masë nga lartësitë, ne duhej të strehoheshim në dhomat tona. Mbrojtja e vetme nga insektet për ne ishte vazelina (kur kishim), me të cilën i fërkonim pjesët e eksponuara të trupit. Mizat e vogla dhe mizat ranore ngjiteshin për vazeline. Përveç kësaj, përkundër vapës së madhe, gjatë gjithë verës ne mbanim jakë të larta, funda të gjatë, dorëza dhe shami rreth kokës. Një a dy herë u sëmura edhe unë. Edhe sot më kujtohet se sa falënderuese isha ndaj një djaloshi, i cili më solli një copë akull dhe pak limon nga fshati i afërm, sepse me to arrita ta bëj një limonatë. Disciplina në kibuc ishte e tillë që nuk mund të kërkoje diç që nuk mund t’u ndahej edhe të tjerëve.

Unë i kuptoja dhe i arsyetoja shkaqet e një qëndrimi, në dukje të parë, të papranueshëm, për dallim nga Morrisi. Ai vuante për atë se në kibuc praktikisht nuk kishte jetë private dhe mënyra jonë e jetës nuk ofronte asgjë shpirtërore. Në Merhavia, në atë kohë, askujt nuk u interesonin gjërat, të cilat ishin të rëndësishme për Morrisin: shkrimtarët, librat dhe vizatimet. Anëtarët e kibucit nuk ishin të paarsimuar. Përkundrazi. Por, për ta ishte më e rëndësishme nëse arrinim të blenim inkubator “gjigant” për 500 vezë, ose të debatonin për kuptimin ideor të ndonjë vërejtjeje të theksuar në mbledhjen e të martës së fundit. Sipas Morrisit, njerëzit në Merhavia mendonin tepër njëkahshëm, por edhe ajo kahje ishte tepër e ngushtë.

Natyrisht, Morrisi deri-diku edhe kishte të drejtë. Po të kishin kibucet mjete, në atë kohë, dhe po të ishin ideologjikisht më fleksibilë të pranojnë dy gjëra që sot janë të kuptueshme vetvetiu – dushat dhe nevojtoret private si dhe që çaji të përgatitej privatisht nëpër dhoma – atëherë, me mijëra njerëz, sikur Morrisi, të cilët më vonë braktisën kibucet, do të mbeteshin në to. Mirëpo, këto ishin gjëra të cilat nuk do të mund t’ia lejonte vetvetes asnjë kibuc i viteve të njëzeta. Mua, personalisht, kjo mungesë nuk më pengonte.

 

Gratë e kibuceve mplakeshin më shpejt se sa ato të qyteteve

 

Unë shoqërohesha me njerëzit që mendonin si unë dhe që ndanin me mua mendimet politike e shoqërore. Në kibuc më pëlqente gjithçka: puna në avllinë me shpezë, ose puna në një shtallë të vogël, të cilën e shfrytëzonim si furrë për të pjekur bukë, e në të cilën mësova fshehtësinë e gatimit të brumit, ose ndejat e vonshme me jelmoshat të cilët ktheheshin nga roja dhe ë cilët rrinin me orë të tëra në kuzhinë duke treguar rrëfime të ndryshme. Për një kohë shumë të shkurtër fillova të ndjehem sikur në shtëpinë time dhe kisha bindjen se kurrë nuk kam jetuar askund tjetër. Mua më pëlqenin më së shumti ato forma të jetës kolektive, të cilat Morrisi i konsideronte pengesa për lumturi individuale. Edhe në Merhavia kishte njerëz me të cilat kisha telashe, para së gjithash me “veteranet” e caktuara të cilat e konsideronin vetveten përgjegjëse për të përcaktuar se çka është në rregull e çka jo në kibuc. Megjithatë, kryesisht e ndjeja veten plotësisht të lumtur.

Natyrisht se duhej paguar çmimin e asaj që në çdo kohë punonim në ara dhe që jetonim në mënyrë primitive. Era dhe dielli kishin pjekur dhe e kishin bërë të vrazhdtë lëkurën time. Në atë kohë, në kibuce nuk kishte salone ondulimi dhe salone bukurie, si sot. Gratë e kibuceve mplakeshin më shpejt se sa ato të qyteteve. Por, përkundër rrudhave të tyre, ato nuk ishin më pak tërheqëse. Një shoqe imja, vajzë e re nga Nju-Jorku që kishte ardhur në Merhavia gjysmë viti para nesh, më pat treguar se si kishte shkuar një herë të përshëndetej me një poet të ri, i cili kishte ardhur në Palestinë me Legjionin hebraik, por që kthehej në SHBA. Kur kjo ia kishte dhënë dorën e saj të vrazhdtë e të plasaritur nga puna, ai i kishte thënë: Në Amerikë, do të kisha kënaqësinë ta mbaja dorën tënde. Këtu kam nderin ta bëj këtë!

Ajo ishte magjepsur nga fjalët e tij, por mua kjo më dukej e pakuptimtë. Meshkujt, edhe atëherë i përkëdhelnin, por edhe tash i përkëdhelin duart e femrave njësoj si në kibuc ashtu edhe tjetërkund. Romancat e dashurisë në kibuc dhe martesat ishin dhe janë mu sikur edhe tjetërkund. Natyrisht, të rinjtë asokohe ishin më diskretë në dashuri, për të nuk flisnin hapur sikur flasin sot. Më 1921, gjithkund në botë morali ishte më i rreptë. Por, njerëzit në Merhavia dhe në Degania dashuroheshin gjithsesi njësoj dhe gjithsesi aq shpesh sa edhe tjetërkund.

6 Komente

  1. S
    Stardust

    A kemi gjuhe letrare ne , apo jo ? Mjaft shkruajtet ne dialekt, ju lexojne gjithe shqiptaret.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Arbërori

      Stardust,. Mos u lodh kot, duket qartë që përkthimi nga origjinali është kryer nga një autor i Shqipërisë së veriut dhe ai nuk ka faj, e ka interpretuar artikullin në dialektin e vetë. Problemi është te gazeta Tema që refuzon të paguajë një redaktues. Redaktuesi këtë bën, përshtat artikujt në gjuhën letrare dhe zyrtare. Gjithashtu qemton edhe gabimet drejtëshkrimore dhe sintaksore. Jemi ku thërret qameti me drejtëshkrimin e gjuhës shqipe nga të ashtuquajturit gazetarë dhe intelektualë.

      Përgjigjjuni
      1. A
        Arbërori

        Stardust,. Mos u lodh kot, duket qartë që përkthimi nga origjinali është kryer nga një autor i Shqipërisë së veriut dhe ai nuk ka faj, e ka interpretuar artikullin në dialektin e vetë. Problemi është te gazeta Tema që refuzon të paguajë një redaktues. Redaktuesi këtë bën, përshtat artikujt në gjuhën letrare dhe zyrtare. Gjithashtu qemton edhe gabimet drejtëshkrimore dhe sintaksore. Jemi ku thërret qameti me drejtëshkrimin e gjuhës shqipe nga të ashtuquajturit gazetarë dhe intelektualë.

        Përgjigjjuni
      2. A
        Alb

        Po kujt i plasi kari per ty dhe izraelin shkrim pa lidhje postoni me mir mbishkrime nga aushwitzi jan me viktimizuese

        Përgjigjjuni
        1. a
          a

          Ajo flet per njerzit,jo per kafshet.

          Përgjigjjuni
        2. D
          Ded Miri

          Zonja qe citohet ne shkrim , qe ka shkruar keto kujtime autobiografike eshte e nderuara Golda Majer (Mejer) ish kryeministria e Shtetit Izraelit. Ajo nuk jeton me por ka zene vend ne historine boterore.Ded

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje