Në vitet ’30 numëroheshin më shumë se 60 gazeta dhe revista në gjuhën shqipe, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Prej botimit të gazetës së parë në gjuhën shqipe në fund të shekullit të 19, historia e shtypit shqiptar do të përshkohej nga një rrugëtim i vështirë, i kushtëzuar fillimisht nga ndalimi i gjuhës shqipe gjatë periudhës osmane dhe më pas nga censura e vazhdueshme e pushteteve në kohë të ndryshme. Jo të gjitha organet mediatike ishin në standardet e duhura përsa i përket cilësisë së përmbajtjes, informacionit dhe raportimeve të artikullshkruesve, por shumë prej gazetave dhe revistave ku shkruanin intelektualët e kohës bënë hapa të rëndësishëm përpara. Vazhdimësia do të rrëfente të gjitha tiparet e shoqërisë shqiptare të kohës. Censura do të ishte padyshim një pengesë e rëndësishme për zhvillimin dhe lirinë e shtypit në Shqipërinë e gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Censura do të ishte në përmasa mjaft modeste gjatë kohës së monarkisë për t’u kthyer në ndalim të shtypit dhe fjalës së lirë në kohën e diktaturës komuniste. TemA sjell artikuj të dy kohëve ku gjenden detaje të censurës ndaj shtypit prej qeverive apo regjimeve.
Censura në kohën e monarkisë
Në pamje të parë, shtypi i viteve të monarkisë shqiptare duket si një hapësirë që merr frymë, me dhjetëra gazeta e revista që lindin dhe përpiqen të formësojnë një mendim publik ende të brishtë. Por pas kësaj pamjeje, fshihej një tjetër realitet: fjala e lirë ishte e kushtëzuar, e filtruar dhe shpesh e frikësuar. Censura nuk vinte gjithmonë si një goditje e drejtpërdrejtë, por si një prani e heshtur që orientonte çdo rresht, çdo titull dhe çdo qëndrim.
Me shpalljen e monarkisë dhe vendosjen e pushtetit të përqendruar në duart e Ahmet Zogut, marrëdhënia mes medias dhe shtetit mori një drejtim të qartë: tolerancë në sipërfaqe, kontroll në thelb. Gazetat lejoheshin të ekzistonin, por jo të sfidonin; mund të kritikonin periferinë e pushtetit, por kurrë qendrën e tij. Në këtë klimë, autocensura u kthye në mekanizëm mbijetese, ndërsa guximi për të thënë të vërtetën shpesh paguhej me mbyllje, ndalim apo përjashtim.
Kjo është historia e një shtypi që përpiqej të fliste në një kohë kur fjala kishte kufij të padukshëm, por të pakalueshëm.
Shumë botues u përpoqën t’i shpëtojnë censurës duke përdorur një gjuhë më të kujdesshme, më të moderuar dhe duke i kanalizuar konfliktet me monarkinë më tepër si përplasje e ideve konservatore me ato të reja, që i ngjante një debati të parrezikshëm për mbretin Zog.
Në artikullin “Naltmadhnija e tij, Mbreti dhe Djalëria”, botuar më 15 mars 1933 në revistën “Minerva”, në një takim të drejtuesit të kësaj reviste Nebil Çika, me Mbretin Ahmet Zog, tregohet raporti që botuesit kishin me monarkun. Gazetari dhe drejtuesi i revistës “Minerva”, kishte kërkuar një audiencë me mbretin, për të folur për rolin e rinisë shqiptare në reformat që po planifikoheshin për zhvillimin e Shqipërisë.
Në artikullin që ai botoi pas takimit me mbretin përshkruhen ndër të tjera edhe vlerësimet shumë të larta për mbretin, ndoshta i detyruar edhe nga kushtet në të cilat gjendej media në atë kohë, sepse në janarin e vitit 1931 ishte miratuar një ligj për median, që përmbante disa kushte.
Sipas ligjit çdo botues duhet të ishte mbi 25 vjeç, të kishte një dëftesë gjimnazi, një depozitë prej 5,000 frangash ari etj. Këto kushte nuk mund t’i plotësonin të gjithë në atë kohë. Kështu, dispozitat e këtij ligji me më shumë se 60 artikuj, cënonin të drejtën e lirisë së shtypit dhe shumë gazeta e revista u mbyllën.
Në vitin 1936 situata me lirinë e shtypit do të përkeqësohej me dekretin mbretëror ku sanksionohej ndër të tjera se: “Ato fletore ose revista që me botimet e tyre mund të cenojnë sigurimin e interesit të brendshëm ose të jashtëm të shtetit dhe janë kundër regjimit, përkohësisht pushohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kur e lyp nevoja, përgjegjësit burgosen apo i dorëzohen gjyqit”. Bazuar mbi këtë ligj, mund të ndalohej çdo gazetë që nuk ishte në përputhje me interesat e elitës. Do të ndodhte shumë shpejt në rastin e revistës “Përpjekja shqiptare”, e drejtuar nga Branko Merxhani, e cila u ndalua të botohej për katër muaj, me urdhër të Drejtorisë së Censurës.
“Akti i ndalimit
Dhjetor 1938 Viti i dytë i botimit, numri 18-24
Z. Branko Merxhani
Drejtor i revistës
Përpjekja shqiptare
Këtu
Zoti Drejtor!
Kemi nderin me ju njoftue se këshilli ministruer, me vendimin e tij, nr.711 datë 30.6.1938, ka vendosur ndalimin e botimit për katër muaj të revistës “Përpjekja Shqiptare” që drejtoni zotnija juej, për arsye se, në kundërshtim me deklarimet në kërkesë dhe të përmbajtjes së lejes, në një artikull të numrit të fundit, ka përdorë fjalë diskredituese dhe asht përzie me çashtje fetare, tue shkel kështu qëllimin që ndiqet me revistat kulturore.
Me nderim
P. drejtor i Shtypit
Halil Maçi (d.v)” shkruhej tek Përpjekja Shqiptare në dhjetor 1938.
Reagimi i revistës tregon se gazetarët dhe drejtuesit e kanë gjykuar vendimin e censurimit të padrejtë. Situata sqarohet përmes një shënimi të redaksisë ku analizohet akti shtetëror i ndalimit të revistës përmes një njoftimi, i cili botuesve nuk i plotësonte kriteret zyrtare.
“Dy fjalë këndonjësvet!
Në faqen e mëparshme kënduam tekstin e plotë të shkresës së drejtorisë së shtypit me të cilën na u njoftua ndalimi i revistës për katër muaj, nga shkaku se në një artikull të numrit të fundit paskemi përdorur “fjalë diskredituese” dhe jemi përzier në “çështje fetare”.
Meqenëse vendimi i mësipërm nga shkaku i të cilit u shtrënguam të ndalojmë botimin e revistës për një kohë kaq të gjatë, na dëmtoi ne, ashtu dhe juve, gjejmë veten tonë të detyruar t’ju themi dy fjalë rreth kësaj ngjarjeje të hidhur.
Literatura zyrtare, ashtu siç përfaqësohet në tekstin origjinal të ndalimit, përbën frazeologji të mbyllur dhe lakonike dhe është e mangët edhe nga pikëpamja thjesht teknike. Shkresat zyrtare sidomos ato që kanë të bëjnë me shërbime të interesit publik, ashtu siç janë botime kulturore që i përgjigjen nevojave morale të vendit, duhet t’i respektojnë me një mënyrë shumë të kujdesshme formalitetet ligjore në fuqi, dhe të kenë një qartësi shprehjeje rreptësisht korrekte. Shkresës sonë i mungojnë thuajse të gjithë këto elemente:
Cili është ai artikull i numrit të fundit?
Si e ka titullin?
Në ç’faqe të revistës është botuar?
Cilat janë ato “fjalë diskredituese” që kemi përdorur?
Pse, ku dhe me ç’formë jemi përzier në çështje fetare?
Çfarë lloj vërtetimi ligjor i bëhet fajit tonë?”
Koha e monarkisë do të mbetej gjithsesi një kohë e mirë për gazetarët dhe shtypin. Kjo për shkak se gjithçka kishte ndodhur në këtë kohë do të tejkalohej në ekstrem në kohën e diktaturës kur do të ndalohej me ligj liria e fjalës dhe shtypi i lirë.
Censura e plotë në diktaturë
Kur komunistët erdhën në pushtet, në mars të vitit 1946 miratuan kushtetutën e re, ku në nenin 55 të saj parashikoheshin dënime të ashpra për të gjithë ata që guxonin të flisnin apo të shkruanin kundër regjimit. I ashtuquajturi “nen për agjitacion e propagandë” ishte neni që u përdor më shumë nga prokurorët dhe gjykatat e diktaturës, neni që do të dënonte dhjetëra mijëra shqiptarë me dënime të rënda me pushkatime, burgje dhe kampe internimi.
Në vitin 1948 gjykata popullore mori një tjetër vendim, i cili ndalonte të qarkullonin nëpër librari dhe biblioteka të gjitha veprat e një numri të konsiderueshëm shkrimtarësh, gazetarësh e publicistësh shqiptarë. U hoqën nga qarkullimi librat e autorëve të mirënjohur dhe të dashur për shqiptarët, si: Gjergj Fishta, të cilit iu hoq e gjithë vepra nga qarkullimi, për të vazhduar me të tjerë emra të njohur si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Kristo Floqi, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Terenc Toçi, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Anton Harapi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Mustafa Kruja, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako, Fiqiri Llagami, Nebil Çika e të tjerë.
Të gjitha shkrimet dhe librat e tyre të botuara u ndaluan me motivacionin: “janë libra dhe artikuj të dëmshëm për shoqërinë”. Vendimi i gjykatës u botua në gazetën “Bashkimi” të 13 marsit 1946, ku sqarohej se vendimi ishte marrë pasi këta shkrimtarë konsideroheshin “agjentë intelektualë të kalbur në shërbim të të huajve; njerëzit e lekut dhe të njëqind flamujve, shkrimet e të cilëve u kanë shërbyer gjithnjë armiqve të popullit tonë”.
Librat e ndaluar u mbyllën në Fondin e Rezervave të Bibliotekës, të vulosura me damkën R (I rezervuar), ShR (Shumë i rezervuar), RA (Autor i rezervuar).
Këto vendime ishin të rëndësishme për fillimet e instalimit të diktaturës komuniste. Deri në kongresin e vitit 1948, Partia Komuniste ishte në ilegalitet, por merrte vendimet nën siglën e organizatës politike të Frontit Demokratik.
Në raportin mbi aktivitetin dhe detyrat e reja të Frontit Demokratik, mbajtur në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate më datë 7 tetor 1946, theksohet: “…Shtypi të shpërndahet dhe të lexohet nga të katër anët dhe ky të jetë një shtyp jo vetëm informativ, por sidomos edukativ dhe të pasqyrojë jetën dhe frymën e re…”.
Kështu, shtypi i kohës u vu në funksion të plotë të sistemit totalitar, duke e humbur përfundimisht rolin e parë, atë të informimit. Detyra e shtypit gjatë regjimit komunist ishte: mobilizimi i masave në konsolidimin e shtetit diktatorial. Në vitet e para të diktaturës, shtypi përmes gazetës “Bashkimi”, u përqendrua tek lufta kundër “armiqve të popullit”, ku si pasojë do të vinin ekzekutimet e shumë gazetarëve, shkrimtarëve e profesionistëve të elitës shqiptare.
Tema, perse nuk keni vene emrin e shkruesit te ketij lajmi? Dhe kjo nuk eshte vetem per kete shkrim. Mungojne emrat ne shume shkrime.
Cenzura e Enver Hoxhës ishte absolute.