Popujt e egër dhe ato të qytetëruar ku ndryshojnë?

19 Janar 2026, 13:54Dossier TEMA
Popujt e egër dhe ato të qytetëruar ku ndryshojnë?

Per Stërvitjen Morale dhe Sociale te Popullit

Nga Faik Konica

Po të më pyeste njeri ç’ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të më lutej të përgjigjesha mirë me katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, do t’i thosha: Popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel “Dekalogun” ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut.
Popuj të egër janë ata që nuk njohin asnjë rregull të

këtillë.
I pesti urdhër i Dekalogut thotë: MOS VRIT!
Për të vënë këtë urdhër në veprim janë bërë kanunet, gjyqet, xhandarët, burgjet. Katër vegla, të cilat kurrë nuk mbeten të ndryshkura, por punojnë si duhet, janë shenjat e para të një populli të qytetëruar.
Do të më presë njeri fjalën a do të më thotë: Pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, nuk ka përditë vrasje, vjedhje dhe njëqind të liga të tjera?

Pëgjigjem: Pa dyshim ka dhe do të ketë kurdoherë. Këtë nuk e mohon njeri.Po vini re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të qytetëruara, krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; sicilido qe i ndih policisë që ta zërë. Edhe nëqoftëse keqëbërësi shpëton nga të mos paturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për të ftohur e për të larguar botën.
Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar, hapen që t’i bëjnë udhë kur ikën, e fshehin nga i vetethëni gjyq, në i’u tektë së vetëthënës policë të bëjë sikur e kërkon, edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm.Prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë. Kur i dëgjohet emri në një sallon a në rrugë, njerëzve u ngjethet mishi e u vjen ndot. Në qendra diturie, e shikojnë si një shpellë kafshësh të egëra ku nuk është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie.Në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull, i cili s’ka ditur gjë tjetër në më tepër se dymijë vjet, veçse të derdhë gjak dhe s’njeh tjetër zanat veç vrasjes.Të tilla fjalë janë thënë mijëra herë me gojë dhe me penë.
Për cilin vend, për cilin popull flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’iu them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, por në Evropë.

Kur nisa luftën time për çlirimin e Shqipërisë, njëzet e pesë vjet më parë, kujtoja, si shumë i ri që isha , se problemi ish vetëm një problem kombësie. Besoja se pa të arrinte të zgjohej plotësisht ndjenja e kombësisë në zemër të shqiptarëve, themelimi i Shqipërisë së lirë ish një punë e mbaruar, porsa të vinte rasti dhe pa dyshim rasti do të vinte një ditë.Kur m’u poq mendia, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar, ish një problem moral. Me të tjera fjalë, kuptova se ky popull që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjetër që t’i stërvitet e lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i pastrohet zemra. Dëshmimi i gënjeshtërt, shpifja dhe vjedhja kanë qënë kurdoherë buka e përditshme e çdo shqiptari “të ndershëm”, por më tepër se të gjitha kanë qënë pusia dhe vrasja.
Shikoni pak një fakt karakteristik dhe të tmerruar: Mblidhet në Lushnje një i vetëthënë “Kongres” për të zgjedhur një “Qeveri Kombëtare”, edhe s’gjen më të mirë se kryeministri Sulejman Delvina, një njeri i cili është anëtar i dorës së zezë xhon-turke dhe ka marrë një pjesë të njohur në vrasjen e përgjithshme të armenëve të mjerë në 1915-16.Sipas mendjes së këtyre patriotëve të “ndershëm”, të vetmit njerëz që mund t’a përfaqësojnë me vërtetësi Shqipërinë janë ata që i kanë duart të fëlliqura me gjak gjerë në sqetulla. Dhe ato gojë që qahen nga masakrat e Kosovës, gjithë ato gojë ftojnë një masakronjës të marrë kryesinë e qeverisë.

Unë mundohem që prej pesëmbedhjetë vjetësh t’i japë të kuptojë popullit se sa e shenjtëruar është jeta nga njëra anë dhe nga ana tjetër sa dëm i ka sjellë dhe do t’i sjellë Shqipërisë, emrin e saj si një fole katilësh.
Besoj se shumë shqiptarë në Amerikë mbajnë mend protestimet e mia të nxehta, të ashpra dhe shumë herë të përsëritura kur u vra despoti i Korçës (besoj 1906) dhe më 1912 kur u vra në Vlorë oficeri xhon-turk Niaziu. Nuk më hante malli mua për Fotin a për Niazinë, por urreja principin e vrasjes, edhe desha me atë rast t’i japë të kuptojë popullit tonë poshtërsinë dhe kafshërinë afrikane të pusisë.
Kur vajta në Amerikë më 1909, u nisa me mendimin të krijoj atje një qendër për stërvitjen morale dhe sociale të popullit tonë, që kur t’i jepej rasti i çlirimit, të ish gati për të kuptuar themelet dhe detyrat e një Shteti.Po të këndoni me kujdes kanunoren e vjetër të “Vatrës”, të shkruar që nga radha e parë e gjer tek e fundmja nga dora ime, do të shihni se s’është tjetër gjë veçse një plan për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit.
Në këtë pikë të artikullit, çdo këndonjës e ndjen që arritëm në kufij të fakteve edhe që duhet fjalëve t’u lëmë ”me shëndet”.Ja pra një fakt lakuriq megjithë shëmtimin e tij.
Kur u kthye nga Amerika, dy vjet më parë, Kol Tromora qëndrojë në Romë që të piqet me mua. Si zbrazi mirë e mirë thesarin e mendjes së tij dhe më nginji me këshilla, iu tek një ditë kur ishim në odën time të më japë një raport me gojë të punimeve që mbaroi Federata jonë në vjetët e fundit. Bashkë me të tjerat më mësoi edhe një vrasje sensacionale që qenka bërë në Amerikë me urdhër dhe me pagesë të “Vatrës”!
Më thotë kapedan Kola se rronte në Worcester një Morait me të shoqen korçare, me të vjehrrën dhe me një vajzë të vogël që kishin marrë nga një fshat të Korçës dhe nga muhamedane e kishin bërë të krishterë.”Vatra”, që të fitonte influencë ndër muhamedanët, dëshironte ta hiqte vajzën nga dora e Grekut dhe t’ua kthente njerëzve të saj. Po “Vatra” s’mejtojë as të zërë një avokat që t’a marrë vajzën me gjyq, as të përdorë shtypin amerikan për shpëtimin e saj.Ja “Vatra” zuri të vetmen udhë që dinë barbarët, vuri dhe e vranë Grekun.
Kol Tromara m’i rrëfente këto me një erë trimërie edhe priste pa dyshim të ngrihesha dhe t’i shtrëngoja dorën me entuziasëm dhe ta uroj për punën e bukur që bëri. Po s’u tunda nga vendi, s’më lëvisnë buzët, mbeta i dalldisur në mejtime. Ca minuta pastaj pyeta:” Atë vajzën e mundonte Greku?” “Për kundër – tha Kol Tromara,- e ushqente mirë, e vishte bukur, e rriste me kujdes”.
Gjeta një shkak që të ndahem nga brigandi, edhe si mbeta vetëm rashë në shtrat me ethet e dëshpërimit. Mejtohesha:”Themelohet një shoqëri për të stërvitur e për të qytetëruar popullin dhe mësimi që i jep popullit është të shkelë kanunet e popullit dhe të njerëzisë, të zërë pusi dhe të derdhë gjak. O fat tragjik që më ke bërë shok me vrasësit dhe brigandët, mua që mjë vjen keq të shtyp një mizë kur eci udhës!”
Edhe s’e dija si të sillem, të heqë maskat dhe të bërtas apo të hesht nga frika e shkandullit?…

Eshtë për të besuar që vrasja e Worcesterit s’është i vetmi delikt që ka bërë “Vatra”, edhe të tjera vrasje në Amerikë do t’a kenë burimin në Tremont Street.Kryetarët e degëve dhe anëtarët e Federatës jo vetëm s’kanë gisht në këto gjaqe e në këto turpe, po jam i sigurt që edhe i dënojnë me tërë forcën e shpirtit të tyre. Pa dyshim, në Kuvend të afërm do t’i shfaqin ndjenjat që kanë duke qëruar me themel jo vetëm hesapet materiale, po ca më tepër edhe hesapet morale.Duhet që faqezinjtë që shkelnë dhe shkelin kanunet e Amerikës mirëbërëse, të marrin një mësim të fort, duhet që puna e Worcesterit të dalë në shesh dhe fajtorët të jepen në duar të policisë.Duhet që të gjithë ata që dinin edhe mbyllnë sytë, të zbohen një herë e mirë me çnderim nga Federata.
Vatra që të rrojë e t’i bëjë shërbime të vërteta Shqipërisë, duhet të pastrohet nga çdo qelbësirë, edhe nga një “Black-Hand” (dora e zezë) ose “Gang of hooligans and murderes” (gangu i huliganëve dhe i vrasësve), që e kanë bërë njerëz pa shpirt e pa tru, të lartësohet e të bëhet një “League for the social and moral education of the people” (lidhje për edukimin moral dhe social të popullit)
Jam i bindur që Kuvendi i afërm do të ketë kurajon e lartë dhe patriotizmin e thellë t’a reformojë Vatrën që nga rrënja, duke marrë masat e nevojshme për të bashkuar të gjithë shqiptarët e Amerikës për nderin dhe përparimin e vendit.
Romë 10 Maj 1921

12 Komente

  1. A
    ANITA

    KONICA I MADH, SIC ESHTE, DUHET TE SHTONTE EDHE NJE SENTENCE THEMELORE: TE EGER APO QYTETERUAR PARE/MARRE/SHIKUAR/STUDJUAR NE NJE PERIUDHE KOHORE TE CAKTUAR - HORIZONATLISHT. SIGURISHT KETU DALIN NE, EUROPIANET ETJ. POR, ANALIZA KETU NUK ESHTE E PLOTE. PASI DUHET PARE HISTORIA EDHE NE THELLESI - VERTIKALISHT: PO TA SHOHIM EDHE KETE DEL SE POPUJT QE SOT JANE TE QYTETERUAR (SIPAS KRITERIT TE KONICES), KANE QENE TE EGER NE NJE ETAPE TE MADHE KOHORE, NDERKOHE QE - PO NE ATE ETAPE- POPUJ TE TJERE JANE QENE VERTET TE QYTETERUAR 9KRAHASIMISHT) PSH EGJIPTI, BABILOINIA, PERSET ETJ.

    Përgjigjjuni
    1. k
      k

      100 vjet më parë kishim gjigantin Konica.Sot kemi nokun dhe NON GRATËN. Dështim dhe disfatë totale.

      Përgjigjjuni
    2. G
      Gjigand Konica

      Permblodhi problemet e Shqiperise se sotshme para 100 vitesh, dhe permblodhi historine Shqiptare pa propagande. Kjo ese duhet te lexohet perdite ne programet shkollore qe te kemi nje shprese per zhvillim!

      Përgjigjjuni
      1. n
        nje e vertet e modhe........

        Nje rrealitet i 100 vjeteve te shkuar por edhe i sotem qe verteton magjiken time se: "....ne asnje vend Arab nuk funxionon Dhimokratia dhe se sunite a shiite nuk behen njerez....DNA e arabit!

        Përgjigjjuni
        1. a
          arseni

          Nje nga mendjet me te ndriitura te kombit Shqiptar ky duhet te futet ne programed shkollore te historise,filozofise Keto qe shkruan Jane aktuale ne ditet e some ne Shqiperi ku Shteti vret dhe plagos ne mes te dites qytetar pa fajshem kjo nuk ndola ne populate te civilizuar

          Përgjigjjuni
          1. H
            Hajredini Jr

            Apostull te SHqiptarizmës : Faik Konica , Fan S. Noli . Mendoj qe Noli me perkthimet që i beri Shaekspar_it fitoi epërsi .

            Përgjigjjuni
            1. F
              Fshatari

              Te pergjigjem ty thjeshte per 2 gjera te vogela teknike qe ti permend ne komentin tend te shkurter. 1- Fjala Apostuj ka kuptimin original si fillimtare( pra te kristianismit). Cdo perdorim tjeter i kesaj fjale ka kuptim negative, por duket se ne shqip kejo ben perjashtim. 2- Kur permend Nolin si perkthyes te Shekspirit shpresoj se ti s’je si ‘’ne nje here e nje kohe’’ ku na mesua qe ‘’kur pinim qumeshtin e memes’’ se perkthimet e Nolit ishin me te mirat nga cdo gjuhe ne bote. Sigurisht qe kejo eshte pothuaj e pamundur( pra genjeshter) sepse kush mund te dije gjithe gjuhet e botes. Nga eksperienca ime ta lexosh edhe 5 here Shekspirin eshte e veshtire ta kuptosh per arsye se ai perdor fakte historike te atij kombi qe do finese te jashtezakoneshme edhe per nje anglez. Plus mbi kete kur ai perdor loje fjales si fjala anglese ‘’shpirt’’ qe shqiptohet njelloje per shpirt dhe thunder te kembes, por shkruhet ndryshe. Nga ana tjeter gjuha shqipe eshte gjuha me e varfer evropiane dhe anglishtja nje nga me te pasurat. Pra nje tjeter pengese e madhe. Ti te pakten duhet ta kesh lexuar Shekspirin te pakten ne dy gjuhe te tjera pervec shqipes, qe te arrish ne kete konkluzion, por une them ‘’ possible but not probable’’. Mund ta perkthesh kete ne shqip?

              Përgjigjjuni
            2. F
              Fshatari

              Ne disa rraste Tem me qellim ve artikuj shume te mire qe te shikoje nqs ka akoma njerez qe e kuptojne te verteten. Tem eshte barometer i opiniont publik ku elita kupton sa e sukseseshme eshte politika e saj mashtruese . Fatkeqesia eshte ( me sa kuptoj une) se edhe ketu lexuesit se kuptojne thelbin. Konica e thote hapur qe ne fjaline e pare, se thelbi i shoqesise se civilizuar eshte Dekalogu. Pra eshte Bibla, eshte besimi ne Zot, eshte Krishti dhe Konica ne kete rrast spjegon sakte vetem 1 nga 10 urdherat ‘’mos vra’’. Sa nga ju besoni dhe jetoni per kete ?Arsyeja pse Zoti e shkruajti ne gur Dekalogun eshte qe te simblolizoje se ky eshte themeli i cdo njeriu dhe i cdo shoqerie njerezore. Automatikisht dhe pa u menduar fare kupton se Shqiperia e Enverit ishte barbare, mbeshtetesit e saj jane njerez te eger dhe kejo eshte e vertete e padiskutueshme, te pelqen apo ste pelqen. Nga ana tjeter Konica me qellim permend si zevendesim te Dekalogut me ndonje kanun te ngjashem me Dekalogun sepse Kanunet e Dukagjinit ishin organike shqiptare dhe te bazuar ne Bible, por fatkeqesisht vetem ne Dhiaten e Vjeter. Zgjidhja s’eshte te studiohet Konica ne shkolle. Atehere kalohet tek nje ekstrem tjeter qe eshte kulti I individit. Zgjidhja eshte, sic ishte dhe eshte sot ne pak pjese te vendeve te civilizuara ku Dekalogu eshte pjese e edukimit familjar dhe shkollor. Them ne ‘’pjese te vendeve te civilizuara” sepse kudo sot luftohet te ndajne njeriun nga Krijuesi I tij. God bless you all.

              Përgjigjjuni
              1. X
                Xhezo Smokthina

                Po ç'mund të presësh nga një shoqëri që nuk beson në zot? A nuk jemi ne i vetmi vënd në glob, i cili ndërton kisha e xhamija, por kurrë këmba e njeriut nuk shkel brënda tyre? Po ashtu, a nuk janë politikanët tanë që shkojnë vetëm në festat fetare në kishë apo xhami pa pikën e përuljes, por si sundimtar të shpirtit njerëzor, sikur ju bëjnë nder predikuesve me prezencën e tyre madhështore? Ne jemi edukuar përjetësisht me ndjenjën e urrejtjes për vëllain tonë të një gjaku dhe rrace, ne nuk dimë se ç'është dashuria për tjetrin dhe shërbimi me përulësi ndaj të afërmit tënd.... Po ç'them edhe unë, më mirë t'a mbyll me kaq se do më përvishet ndonjëri dhe jo vetëm do më quaj të marrë e të shkarë nga mënt, por si diçka aq të pavlerë sa edhe globit i rëndohem qe më mban mbi supe.

                Përgjigjjuni
                1. X
                  Xhezo Smokthina

                  Po ç'mund të presësh nga një shoqëri që nuk beson në zot? A nuk jemi ne i vetmi vënd në glob, i cili ndërton kisha e xhamija, por kurrë këmba e njeriut nuk shkel brënda tyre? Po ashtu, a nuk janë politikanët tanë që shkojnë vetëm në festat fetare në kishë apo xhami pa pikën e përuljes, por si sundimtar të shpirtit njerëzor, sikur ju bëjnë nder predikuesve me prezencën e tyre madhështore? Ne jemi edukuar përjetësisht me ndjenjën e urrejtjes për vëllain tonë të një gjaku dhe rrace, ne nuk dimë se ç'është dashuria për tjetrin dhe shërbimi me përulësi ndaj të afërmit tënd.... Po ç'them edhe unë, më mirë t'a mbyll me kaq se do më përvishet ndonjëri dhe jo vetëm do më quaj të marrë e të shkarë nga mënt, por si diçka aq të pavlerë sa edhe globit i rëndohem qe më mban mbi supe.

                  Përgjigjjuni
                  1. H
                    Hajredini Jr .

                    O " Fshatari " i ores 15:26 : 1▀ Une e pranoj qe ju jeni më i kompletuar nga mua ne shumë aspekte . 2▀ Me thoni te lutem nje perkthyes Shqiptar që é ne nivelin e F.S.Nolit ose mbi nivelin e tij . 3▀ As for English i am better than every Albanian of Albania ( i worked in translation office of K.Q.P.P.SH. ).May be is matter of taste . Tani punoj ne nje plantacion kafeje ne Somali, ku te gjithe vendasit ketu ku jam une ,flasin Somalisht,Anglisht,Kineze,Japoneze , Arabe ( fluently ).

                    Përgjigjjuni
                    1. O
                      O Faik - ja ke fut kot plako...

                      Historia pa dorashka na tregon qe "te qyteteruarit" kane sulmuar, vrare e grabitur "te egrit" ne shekuj. Pushtimet koloniale prej shekujsh ne Afrike, Azi, Ameriken e Veriut dhe Ameriken Latine etj. jane shembull i pamohueshem qe "qyteterimi Europian" ka qene egersira e vertete (vrasje, djegje, grabitje, perdhunime, konvertime fetare me force etj etj.)

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje