Në librin “Në shërbim larg vendit” Christopher R. Hill rrëfen momentet kur mori detyrën e ambasadorin në Shqipëri, I pari pas rënies së komunizmit. Ndër të tjera ai kujton bisedën me telefonike me Nënë Terezën por edhe pritjen nga Gramoz Pashko në Tiranë.
Adrenalina e verës së vitit 1989 më në fund ishte zhdukur. Shpresoja për një emërim jashtë vendit dhe po kërkoja një vend që, ashtu si Polonia e viteve 1980, kishte filluar të ndryshonte. Ai vend ishte Shqipëria.
Për njerëzit jashtë shërbimit, pranimi i emërimit në Shqipëri nga ana ime ishte i pakuptueshëm. “Çfarë keni bërë gabim?” ishte reagimi më i zakonshëm, i thënë si gjysmë me shaka. Megjithatë, nuk doja të humbja mundësinë e rihapjes së një selie diplomatike që ishte mbyllur prej vitit 1946 kur Shqipëria u shndërrua në Korenë e Veriut të Europës. E mbyllur kundrejt pjesës tjetër të kontinentit për dyzet e pesë vjet, Shqipëria kishte rrëshqitur në një epokë të errët, duke u bërë një vend i harruar nga koha. Një diktaturë e egër e kishte mbajtur jashtë Europës dhe jashtë syrit të mendjes.
Kur mbërrita atje, kisha me vete dy valixhe që kishin brenda sende MRE[1] (ushqime të gatshme ose jo) dhe një thes gjumi. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë më takuan sapo dola nga avioni, ndërkohë një vagon i ndryshkur që tërhiqej nga një traktor po merrte bagazhet prej tij. Më pas, më çuan në “ambasadën” tonë, në dhomën nr, 215 të hotel Dajtit. Unë u futa në dhomën 216, në “residencë”.
Më tej u njoha me detyrën time të re, mësova sesi të komunikoj me Uashingtonin me telefona dhe fakse të pasigurta, punësova shqiptarë që të më ndihmonin për të krijuar lidhjet për organizim dhe kështu, fillova të krijoj një ambasadë. Ne kishim një ndërtesë ambasade bashkë me mjedisin e saj rrethues, të ndërtuar në vitin 1931. Në vitin 1946 ua kishim dhënë francezëve dhe më vonë italianëve për ta ruajtur. Italianëve që qëndronin atje ua kishim bërë të ditur se do të hynim në mjediset e ambasadës në 1 tetor të vitit 1991.
Atë javë mora një telefonatë nga Nënë Tereza (shumë njerëz nuk e dinin që ishte shqiptare), e cila, gjatë periudhës së verës ishte duke ndërtuar një jetimore dhe një njësi të shërbimit mjekësor në Tiranë. Kur më pyeti nëse kisha mundësi ta takoja në zyrën e saj, bllokova telefonin me dorë dhe pyeta njërin prej ndihmësve të mi nëse vërtet po flisja me Nënë Terezën apo dikush tjetër kishte të njëjtin emër në Tiranë. Në Shqipëri isha mësuar të mos befasohesha nga asgjë...
Nënë Terezën së bashku me ndihmësen e saj nga New York-u, i takova në një dhomë ndenjjeje të vilës që e përdornin si klinikë. Ajo fliste butë, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Më falënderoi për ndihmat ushqimore që ishin dërguar nga Agjencia e Ndihmave Ndërkombëtare e SHBA-së (USAID), të cilat do t’u jepeshin jetimoreve. Më kërkoi ndjesë që nuk i kishte plotësuar të gjithë formularët, duke më shpjeguar se mbikëqyrja kryesore e saj vinte në të vërtetë nga lart, ndërkohë që me humor e drejtonte gishtin lart në ajër. Më pyeti nëse do të mundeshim t’i mbanim në ambasadë barnat mjekësore të dërguara për klinikën e saj, pasi ta kishim marrë atë prej italianëve. Nuk doja të isha njeriu i parë në botë që do t’i thoshte “jo” Nënë Terezës dhe kështu, pranova menjëherë. Ndihmësja e saj na ndërpreu për të pyetur nëse do të ndërtohej një portë e re në anën e prapme të ambasadës. “Nuk mund të flasim për këtë”, iu përgjigja. Më pas e pyeta Nënë Terezën nëse mund të bënte diçka për mua. Doja që ajo të takonte njerëzit e njërit prej avionëve tanë të transportit që sillte ushqime për shqiptarët dhe të pranonte disa prodhime të konservuara për jetimoren e saj. Ajo pranoi.
Mëngjesin tjetër, në aeroport u takova me përfaqësues të avionit C-141, një avion i madh me katër motorë, ngarkesa e të cilit po shkarkohej atë moment. I shpjegova kreut të ekuipazhit të avionit që e kishte qendrën në bazën ajrore McGuire Air Force Base, në Neë Jersey, se do t’i duhej të priste një njeri shumë të rëndësishëm. Pak minuta më vonë, një makinë e vogël Jeep iu afrua avionit. Pjesëtarët e ekuipazhit të avionit ndaluan për pak punën dhe hodhën një vështrim mosbesues nga Nënë Tereza, e cila rrinte ulur në vendin e parë. Ajo zbriti ngadalë nga makina, iu afrua atyre dhe u dha nga një medaljon të Virgjëreshës Mari.
Pilotja, një grua e vogël me flokë të kuqe të tërhequra prapa kokës në formën e një kulaçi dhe e veshur me kostumin e fluturimit, e ftoi atë të hipte në avion. Nënë Tereza ngjiti tri-katër shkallë dhe duke vështruar vendin jashtëzakonisht të madh të ngarkesës i tha pilotes, “Ky avion është tepër i madh për të fluturuar”. Por pilotja e siguroi se nuk ishte ashtu. “Sido që të jetë, unë do ta bëj një lutje”, iu përgjigj Nënë Tereza. Dhe ashtu, duke qëndruar në hyrje të avionit, bashkoi duart dhe u fal në heshtje. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time dhe këtë çast të jashtëzakonshëm, që pothuajse shumë prej nesh na i mbushi sytë me lot, e fotografova. Fotoja e Nënë Terezës, e cila dukej si siluetë në hyrjen e një avioni MAC, më vonë, do të shkonte te ndihmës administratorja e USAID-it, Carol Adelman, te zyra e kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm të Bashkuar (Joint Chief of Staff),[2] Colin Poëell, si dhe në shumë zyra dhe vende publike të Military Airlift Command.[3] Në vitin 1991, ajo foto simbolizonte një çast më të qetë dhe optimist për Shtetet e Bashkuara, ku dukej se aftësia e vendit tonë për t’iu përgjigur rrethanave të rastit nuk kishte kufij.
Punën që po bëja unë në Tiranën e Shqipërisë, po e bënin edhe shumë kolegë të mi në rajonet e Bashkimit Sovjetik që tashmë ishin ndarë në shtete të veçanta. Nga viti 1990 deri në vitin 1992, ishin ngritur më shumë se 12 ambasada të reja në vende ku thuajse mungonte infrastruktura. Madje, edhe fluturimet drejt tyre, me linjat e sapokrijuara ajrore, ishin të rrezikshme për jetën. Duke përdorur një klishe të mërzitshme të kohëve më të vona, ajo do të quhej një “civilian surge”, ose lëvizje e madhe civile.
Megjithatë, Shërbimi i Jashtëm atë veprimtari e zhvilloi me sukses. Ne gjetëm njerëz të cilët ishin të gatshëm të shkonin në këto vende, shpesh, pa familjet e tyre dhe pa asnjë interes material. Tirana kishte gjithsej dy restorante, si edhe një tjetër në ballkonin e pasëm të hotel Dajtit. Të ngrënit jashtë në atë kohë, në Tiranë ishte një aventurë kulinare që mbetej shpesh e panjohur deri pas mesit të natës.
Ndërsa javët kalonin, ne po na bashkoheshin pak kolegë, por shoqëria e vërtetë ishte të dija se ajo çka për mua mund të ketë qenë diçka e papërsëritëshme ishte diçka tipike për Shërbimin e Jashtëm. Flluam t’i njihnim shqiptarët, një nga një, ashtu siç vepron një diplomat i mirë. Dhe kjo është diçka që lidhet me marrëdhëniet, jo me marrëveshjet. Vizita ime e parë te zëvendëskryeministri Gramoz Pashko u pasua nga një ftesë për të shkuar në shtëpinë e tij të vogël. Ai dhe gruaja e tij, Mimoza, më mirëpritën me gjithçka që kishin, përfshirë edhe një shishe uiski. Atje erdhi edhe vëllai i Mimozës, ministri i ri i Financave në Qeverinë e Përkohshme, Genc Ruli. Ata më pyetën për Amerikën, por kryesisht më treguan për Shqipërinë. Me mikpritjen e tyre, duke qenë larg prej familjes dhe shtëpisë sime, më bënë të ndiehesha rehat.
Në një çast, Gramozi mori nga rafti një kasetë me muzikë, dhe përpara se ta vendoste në kasetofon më pyeti, “A i pëlqen Dire Straits-at?”
“Më të parapëlqyerit për mua”, iu përgjigja.
Përkthyes kishim Ketrina Budinën dhe Andi Dervishin, të cilët ishin punësuar disa muaj më parë nga personeli i përkohshëm i periudhës së verës që kishim në Tiranë, si dhe një zyrtar konsullor FSO,[4] të quajtur Bill Rayerson. Bill-i vendosi standardin e SHBA-së, të përkujdesjes së thellë dhe të frymëzuar për Shqipërinë, madje ai mësonte edhe gjuhën shqipe gjatë kohës së lirë. Meqenëse nuk kishim njeri tjetër më të kualifikuar, ai u bë ambasadori ynë i parë. Unë u bëra numri dy i tij, d.m.th., zëvendësshefi i Misionit. Detyra ime ishte të drejtoja punët e brendshme të ambasadës, ndërsa ambasadori merrej me veprimtarinë jashtë saj. Fillova të mësoja gjuhën shqipe me profesor Ukë Buçpapaj. Ndërkohë, nënshkruaja punësimin e shumë punëtorëve ditorë që kishin mësuar pak anglisht dhe na ndihmonin për të riparuar ambasadën.
Në çfarë kohe e paska njohur Shqipërinë dhe shqiptarët! Përshtypja e parë nuk harrohet, është vulë e përjetshme.
Nuk ishte ambasador në Shqipëri. Ishte i dyti mbas ambasadorit Rajerson.
Shume i bukur pershkrimi i takimit me nene Terezen dhe sidomos kur ajo shkoi ne aeroport. Jane individe si ajo qe me bejne krenar per origjinen time shqiptare.
Zotin Hill unë e kam njohur nga afër, ka qënë adin trein i USA në Shqipëri. Ka qënë në shtëpinë time sëbashkut me Kestrina Budinën dhe me shofer Petrit Pullazi. Shumë njerëzor dhe masovik zoti Rajerson ka ardhur pas tij me atë kam pasur një mardhënie të shkëlqyer.