Nga Armand Plaka
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në prillin e 1939-ës, dihet se ka gëzuar një rezonancë të gjerë në historiografinë shqiptare. Por me të, shpesh, ashtu sikurse ka ndodhur edhe me fragmente të tjera të historisë sonë, është abuzuar, apo më mirë nuk janë vënë pikat mbi “I”. Në fakt, duket sikur kemi pasur të bëjmë gjithë kohën vetëm me dy personazhe, (sigurisht, kjo nuk vlen për historianët profesionistë), të themi kështu, respektivisht me italianët e shqiptarët, duke harruar kontekstin historik e aktorët e tjerë që kontribuuan në këtë mesele të pisët, që në një farë mënyre fundosi dhe fatin e një populli të vogël.
Kështu, duke rrëmuar në një shkrim të marrë nga arkiva e revistës amerikane ‘TIME’, (titulli në origjinal: “Birth & Death”, e hënë, 17 pill 1939), botuar vetëm dhjetë ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga trupat e Musolinit, marrim vesh shumëçka rreth sfondit historik, politik e diplomatik, që i hapi rrugën kështu këtij pushtimi, që në historinë e Shqipërisë është shënuar me germa të zeza.
Mbreti Zog dhe Konti Ciano, 1937
jo që bie më shumë në sy në këtë artikull, është fakti se për këtë hap të ndërmarrë nga Italia asokohe, sigurisht, përveç ambicieve të vjetra të shpallura e të pashpallura të saj, për ta pasur plotësisht nën kontroll për vete Shqipërinë e vogël, është edhe roli, apo më mirë lojërat e fshehta politike e, flirtimi i diplomacisë angleze me Musolinin, në kurriz të fateve të Shqipërisë.
Ky fakt nxirret në pah në mënyrë eksplicite në artikullin në fjalë, ndërsa i referohet nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 1926, që njihet si Pakti i Tiranës, e që kishte marrë më parë edhe “bekimin” e ish-sekretarit të Jashtëm britanik, Sir Austen Chamberlain.
Përveç saj, aty kemi një panoramë të qartë e të besueshme mbi ditët e para të pushtimit fashist, atmosfera në Oborrin
Mbretëror, rrugëtimi i familjes dhe eskortës mbretërore, andrallat e përpjekjet për të organizuar një rezistencë sado të vogël kundër okupatorit të ri. Në fund nxirret në pah rëndësia që kishte marrë papritur Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik, duke u paraprirë me largpamësi në një farë mënyre fatin edhe fqinjëve të saj, ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore po trokiste në derë.
Në shkrim ka dhe ndonjë, të themi, pasaktësi, por gjithsesi, për të gjykuar më mirë rreth tij, ne po e botojmë atë të plotë e pa shkurtime, duke ju ftuar të zhvendoseni në kohë e të ndjeni atmosferën e atyre ditëve, përcjellë nga një revistë e mirënjohur e një shteti përtej oqeanit, i cili më pas, kur lufta të mbaronte, do të bëhej kësisoj edhe superfuqia numër 1 në botë e, do të vendoste për shumëçka në rruzullin tonë, por pa mundur të ndikonte gjithsesi në fatin e Shqipërisë. Le të shohim konkretisht më poshtë se ç‘na sugjeron artikulli i revistës TIME:
Shkrimi i revistës amerikane, ‘TIME’, për ngjarjet e prillit 1939
Një mëngjes, gjatë javës së shkuar, dy orë para se të agonte, zhurma e një krisme prishi qetësinë thuajse absolute rurale të Tiranës, kryeqytetit të vogël shtrirë mes maleve, në Mbretërinë e vogël të Shqipërisë. Krismë pas krisme e, shpërthim pas shpërthimi, derisa arritën në 101, duke e tundur qytetin e përgjumur.
Një djalë e një trashëgimtar sapo lindën për Mbretin Zog i I-rë, nga bashkëshortja e tij hungaro-amerikane, Mbretëresha Xheraldinë. Fëmija u quajt Skënder, sipas patriotit të madh shqiptar, i cili në shekullin e 15-të, ia doli të mbante larg turqit përgjatë rreth 30 vjetëve luftimesh të ashpra.
Më pak se 50 milje larg, në ngushticën e Kanalit të Otrantos, në portet italiane të Brindizit e të Barit, reparte të armatosura ishin bërë gati për aksion, thuajse në të njëjtën orë. Aty, ndërsa anije lufte, gjuajtës e mjete të tjera të motorizuara ushtarake, ishin bërë gati për udhëtim, njerëz e armë të rënda gjithashtu, po bëheshin gati për t‘u transportuar. 384 avionë luftarakë ndodheshin në aeroporte.
48 orë më vonë, Mbretëresha e sëmurë në shtratin e lindjes, po qëndronte në Pallatin e përkohshëm Mbretëror të Tiranës, e mund të dëgjonte kësisoj zhurmën e të gjitha fluturimeve të avionëve që i kalonin mbi kokë njëri pas tjetrit, duke e ditur mirë se nuk ishin të Shqipërisë, pasi vendi i saj numëronte vetëm dy të tillë.
Ata nuk po hidhnin bomba, por fletushka që fluturonin ashtu të ndihmuara nga flladi pranveror, duke paralajmëruar popullin shqiptar, se; trupat “miqësore” italiane, po mbërrinin atë ditë për të marrë kontrollin mbi vendin e vogël, për të “rivendosur rendin, paqen e drejtësinë”.
Në katër portet shqiptare, më i afërti prej tyre (Durrësi), vetëm 25 milje larg Tiranës, u panë shpejt anije luftarake, që nisën bombardimet. Trupat kishin zbarkuar tashmë. Lufta kishte filluar. Ushtria e vogël shqiptare, e përbërë nga 13.000 veta, u mobilizua shpejt, e luftëtarët trima malësorë nxorën nga shtëpitë pushkët e tyre të vjetra, pistoletat e sëpatat.
Por brenda një dite, legjione fashiste të armatosura rëndë, e tejkaluan këtë rezistencë fare të vogël dhe çanë rrugën përmes kodrave, duke arritur deri në kryeqytet. Brenda dy ditësh, ata pushtuan të gjitha pikat e rëndësishme të vendit, me humbje që kapnin shifrën e vetëm 21 të vrarëve e, 97 të plagosurve.
Ushtria shqiptare u zhduk në shkretëtirat e alpeve dinarike shqiptare, ku “Bijtë e Shqipeve” (siç e thërrasin shqiptarët vetveten), janë fshehur e kanë luftuar, derisa turqit dikur u morën vesh me ta. Ata pritet të organizojnë tashmë një luftë guerrile, derisa të rikthehet Mbretëria.
Ministri i Jashtëm italian, Konti Galeazzo Ciano, i cili në dasmën e Zogut vitin që shkoi ishte dhe miku e i ftuari më special, mbërriti aty menjëherë për të formuar një “qeveri provizore shqiptare” dhe Duçja, me sa mundi, kurseu kohë nga takimi që kishte në “Palazzo Venezia”, për të bërë tashmë të ditur në Tiranë, atë që ai sapo kishte ndërmend të bënte me “pronën” e tij të re.
Ajo që mund të merret me mend në rastin më të mirë, është se mund të bëhet kështu një protektorat nën sovranitetin e Madhërisë së tij perandorake, Mbretit Viktor Emanueli III-të të Italisë.
Ndërkohë, me afrimin e rrezikut, Mbreti 43-vjeçar Zog i I-rë, hipi në një automobil të përshtatur si autoambulancë, bashkëshorten e tij 23-vjeçare dhe të birin e sapolindur, të cilët i dërgoi me një eskortë më vete, në një udhëtim prej mbi 160 miljesh, në një rrugë të ashpër malore drejt Greqisë fqinje, duke bujtur në një han të vogël primitiv në Follorinë, ndanë kufirit.
Madhëria e saj, nëpërmjet gjyshes së vet hungareze, Konteshës D‘Estrelle D‘Ekna, i lëshoi një apel botës me fjalët: “Unë e lashë tim shoq duke udhëhequr trupat e tij, ushtrinë e gjorë e të vogël shqiptare — në luftë. Çfarë mund të bëjë Shqipëria kundër një ushtrie kaq të armatosur si kjo, e cila po na sulmon pabesisht”?
Ndërkohë, Mbreti Zog e zhvendosi kryeqytetin e vendit në Elbasan, një qytet ky 25 milje në juglindje të Tiranës. Mbreti Zog nuk vazhdoi më të udhëhiqte “ushtrinë e tij të vogël” në betejë. Vetëm një ditë pas mbërritjes së Mbretëreshës, ai iu bashkua asaj në Follorinë. Me të shkuan edhe 115 anëtarë të Oborrit të tij Mbretëror dhe gjithashtu dhjetë valixhe të rënda, me objekte me vlerë.
Duke shkuar fillimisht në Selanik e më pas në resortin bregdetar të Vollosit, familja mbretërore shqiptare më pas mori një njoftim ku thuhej se Greqia, duke pasur frikë për strehimin e tij, nuk mund t‘u ofronte atyre një azil afatgjatë. Sapo Mbretëresha u përmirësua nga gjendja shëndetësore, ata u bënë gati të shkonin drejt Egjiptit, një vend mysliman ky, që është shumë i sjellshëm e i përzemërt kundrejt vizitorëve të shquar.
Gjithashtu, një njeri që pritej të lëvizte pak më vonë drejt një vendi më pak të trazuar, ishte edhe bankieri J. P. Morgan dhe miku i tij, arqipeshkvi i Canterbury-it, që u prit kështu pa zhurmë në Athinë, në jahtin e Morgan-Corsair.
Vendi më i prapambetur e më primitiv në Evropë, më shumë oriental se sa perëndimor, dy të tretat e 1.000.000 banorëve të së cilit janë të besimit mysliman, Shqipëria, nuk paraqet shumë leverdi ekonomike për Perandorinë e diktatorit roman, Musolini.
Eksportet kryesore (thuajse plotësisht drejt Italisë), janë lëkurët, djathi dhe duhani. Nafta shqiptare në rastin më të mirë është e cilësisë së dytë, e me shumë gjasa e aftë të mbulojë me furnizime madje as një të dhjetën e nevojave të Italisë, edhe në kohë paqeje. Për më shumë te Mbreti Zog, Duçja është dashur të mposhtte një Mbret, sikurse do të donte çdo diktator normal.
Anëtar i fisit shqiptar të Matit, i biri i një kreu trashëgimtar të Luginës së Matit, Ahmet Zogu, ka trashëguar karakteristikat tipike të një politikani ballkanas, vendi i të cilit duhet të mbetet përgjithmonë peng i politikave të forcës. Një herë ai u detyrua ta linte vendin. Por u rikthye sërish, u bë President e më pas mori kurorën në vitin 1928.
Për sa i përket Mbretërisë së tij, opinionet janë të ndryshme. Italianët e akuzojnë se ai paskësh qenë një tiran, e se ka abuzuar me fondet shtetërore. Për të tjerë, ai shihet si një njeri i mirë-arsimuar (ai shkoi në shkollë në Kostandinopojë), ku në një vend me një ekonomi fshatare, ku njerëzit janë masivisht analfabetë dhe kanë gëzuar pavarësi vetëm 27 vjet, ka bërë të pamundurën për ta reformuar e zhvilluar.
Ai është përpjekur t‘i jepte fund gjakmarrjes, njëra ndër traditat e ngulitura thellë në atë vend. Nëse kryeministri Neville Chamberlain, tashmë ndjehet i alarmuar për sulmin e Italisë, ai për këtë nuk duhet të fajësojë tjetër në përgjithësi, përveç vendit të tij dhe në veçanti gjysmë-vëllain e tij, tashmë të vdekur, Sir Austen.
Në vitin 1926, Duçja po bënte presion kundrejt “interesave të zgjeruara” etiopiane. Për t‘i hequr vëmendjen ndaj kësaj çështjeje, sekretari i Jashtëm britanik, Sir Austen Chamberlain, i bëri me dije se Shqipëria, ishte një pazar më i leverdisshëm për interesat ekspansioniste italiane dhe që rastësisht nuk interferonin aspak me interesat strategjike britanike.
Duçja e pranoi këtë sugjerim, e menjëherë i dërgoi një notë Shqipërisë, ku këmbëngulte se ai bëhej kështu “garantuesi i pavarësisë së Shqipërisë”. Në një rast të mëparshëm, kur italianët i paraqitën kërkesat e tyre Presidentit Zog, ky i fundit i bëri apel Britanisë së Madhe dhe mori përgjigje të menjëhershme prej saj.
Asokohe, gjithsesi, ministri i Jashtëm britanik informoi Presidentin në Tiranë se “Londra priste që Shqipëria të arrinte një marrëveshje miqësore me Italinë, pa vonesa të panevojshme”. Sir Austen dhe Duçja u takuan më pas në një jaht jashtë Livornos, për të konsumuar rezultatet e marrëveshjes së tyre. Pakti i Tiranës, i cili e bëri Shqipërinë një protektorat ekonomik virtual italian, u nënshkrua pikërisht më 27 nëntor 1926.
Që pasojat e marrëveshjeve politike të pasluftës (së Parë Botërore; shënim i përkthyesit) priren të kthehen mbrapsht e të bien në kokë, kjo ishte evidente jo vetëm në atë që ndodhi në Shqipëri, por edhe në fatin e Etiopisë, tri vjet më parë. Javën që shkoi, Shqipëria papritur u bë e rëndësishme. Përgjatë Jugut të Shqipërisë, nga Durrësi drejt Selanikut, shtrihet një rrugë antike që lidhte dikur Romën me Bizantin (tashmë Stambollin).
Forcat italiane mund të avanconin sërish përgjatë kësaj rruge të vjetër imperiale, e përdorur së fundmi në Luftën e Parë Botërore (shënim i përkthyesit), në betejën e Selanikut, tashmë pjesërisht e pajisur edhe me hekurudhë, dhe kësisoj mund të ndërpriste praktikisht edhe rrugën, nga e cila britanikët e francezët, mund të dërgonin ndihmat e tyre për një Jugosllavi të rrezikuar. / Memorie.al
“TIME-Magazine”-USA 17.4.1939
Per te kuptuar nje shkrim kudo ne nje faqe propogande duhet te kuptohet edhe formula qe perdoret. Artikulli eshte shkruar nga Time por parathenia eshte nga perkthyesi Plaka. Qe ne fillim e bera gabimin. Nenevleftesova Plaka. E kuptoj gabimin se te gjesh nje artikull te 90 viteve me pare, te paken quhesh studiues, por titulli me I sakete per Plaka eshte historian. Por mendoj se parathenia eshte me me rendesi se artikulli sepse ka 2 shprehje kyce. 1- ’në kurriz të fateve të Shqipërisë’’ Cfare shprehje e goditur qe na jep te kuptojme shqiptari ka vuajtur gjithmone nga padrejtesite. Na jep te kuptojme se disa gjithone na duan te keqen. Na jep te kuptojne se pak ( shumica ) e komenteve shajne sepse se durojne me dote qe padrejtesia te vazhdojne te behen mbi kete popull……… dhe pafund ne emer te popullit , u dhemb populli jo vetja e tyre. Kejo eshte asyeja e varferise none sepse kane luajtur ne kurrizin tone. Por ska me ne kurriz te popullit derisa Enveri erdhi dhe i dha fundin kurrizit te popullit. 2 - ‘’Në fund nxirret në pah rëndësia që kishte marrë papritur Shqipëria’’ , pra ne jemi pika me strategjike. Jo Greqia, Italia, Spanja Anglia, Gjermania dhe me pakfjale cdo vend i botes. Pa ktheje pyetjen ndryshe. Cili vend ka me pak vlere se Shqiperia ? Si eshte pergjigjia ? Me kete citat mund te besh vepera me kapak te kuq pafund. Por cfare e shtyu studiuesin Armando te fusi keto 2 citate? Ne shqip e spjegon shprehja se pakica( shumica) jane akoma te qi.. ne by.. nga Enveri kurse ne anglisht eshte shprehja ''si meson dot nje qeni te vjeter zakone te reja''. Seriozish, pse Plaka qe ka par gjithe boten (sic duket) , mund te jete ulur ne shume tryeza me shume njerez te ndyshem dhe perseri perdor shprehje te tilla. Eshte cudi per mua dhe sinqerisht skam pergjigje. Nga ana tjeter krahaso psh Nolin apo Konicen si fjasin dhe shruajne, me keta moderrnet e sotem. Sigurisht ne s’jemi i njejti popull si ai 100 vite me pare. Dicka duhet te kete ndyshuar rrenjesisht ne botekuptimin e integjigjences dhe automatikish ne popullate, ‘’million dollar question’’ . Kush mund ti pergjigjet?
(Nga gazeta Liria Kombëtare¹ n.138 e 28 shkurt 1931) Kush është Ahmet Zogu Hipokritët e regjimit aktual, në raste të ndryshme, kanë thënë dhe shkruar shumë gënjeshtra për "patriotizmin" e këtij aventurieri "Liria Kombetare" kur ka mundur, ia ka bërë të njohur popullit shqiptar dhe mbarë botës, personazhin politik dhe aventurier Ahmet Zogollin, që e po e dërgon Shqipërinë në buzë greminës. Gjithsesi, besojmë se është e nevojshme të rendisim edhe një herë më poshtë të gjitha aventurat që karakterizojnë jetën politike të këtij armiku të popullit shqiptar. I biri Xhemal Pashë Mati dhe Fatime² (Sadije ) nga Tirana, Ahmet Zogu lindi në fshatin Burel të Matit³ Pasi mësoi pak shkrim e këndim në shkollën fillore të Dibrës, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare shkoi në Stamboll për të vazhduar studimet. Ai studioi 4-5 vjet në Gallata Saraj,⁴ kujdestar i tij ishte Abdurrahman Krosi,⁵ i cili në atë kohë i shiste bozë në Stamboll, tashmë milioner, boza (një pije orientale e bërë me miell misri të fermentuar në ujë). U njohë dhe u miqësua me Arif Hikmet Kumanovën ⁶, aventurierin e shitur që luftoi kundër lëvizjes nacional-revolucionare shqiptare. Ai iu bashkua “Mahfeliut” të Aksarajt ⁷ – një shoqëri politike e përbërë nga shqiptarë renegatë, të cilët luftuan kundër alfabetit të shqipes dhe gjithë lëvizjes kombëtare – dhe kështu filloi jeta e tij politike. Pas disa kohësh ai la shkollën dhe së bashku me Arif Hikmetin u dërgua në Shqipëri për të vazhduar atje luftën antikombëtare. Lufta Ballkanike, shpallja e Pavarësisë dhe ardhja e Viedit në Shqipëri në vitin 1914 hapi një fushë aventure për Ahmetin që në atë kohë njihej vetëm në Mat. Kur filloi lëvizja revolucionare e Esat Toptanit, kundër qeverisë tonë të Durrësit,⁸ Ahmeti mori disa mijëra napolona prej tij, (Vidit) duke i premtuar se do të organizonte forcat në Mat për të ndihmuar qeverinë. Ai i mori paratë, por i tradhtoi dhe u bashkua me kryengritësit, shkatërroi flamurin kombëtar në Mat dhe ngriti flamurin osman. Kur Shqipëria u pushtua nga trupat austro-hungareze, ay hyri në shërbim të austriakëve si mercenar, nga të cilët u akuzua për spiunazh dhe u internua në Vjenë ⁹. Këtu ai u takua me Faik Bej Konnicën,¹⁰ i cili e këshilloi të hynte në shërbim të italianëve fitues të luftës. Në vitin 1918 ai u kthye në Shqipëri ku filloi aventurat e tij me italianët, të cilët në atë kohë kishin pushtuar të gjithë Shqipërinë, italianët duke u besuar agjentëve të tyre më të këqij, si Myfid Libohova, Fejzi Alizoti etj., të cilët ishin sekretarët e (Kontit) Castoldit pranë qeverisë së Durrësit, nuk i dhanë asnjë rëndësi Ahmetit. Prandaj Ahmeti u bë antiitalian dhe hyri në mjedisin nacionalist që - në vitin 1919 - përgatiti lëvizjen revolucionare kundër pushtimin italian. Duke marrë pjesë në kongresin e Lushnjës dhe duke qenë se në atë epokë kaotike ishte e nevojshme të formohej një qeveri në të cilën të përfaqësoheshin të gjitha krahinat kryesore të Shqipërisë, Zogu u zgjodh ministër i Brendshëm.¹¹ Në vitin 1920 - në Vlorë vazhdonte lufta kundër italianëve ai punoi për të paralizuar veprimet e luftëtarëve të Vlorës ¹² dhe në të njëjtën kohë ai u përfshi në një marrëdhënie të fshehtë me Passiçin dhe me agjenturat e tjera të Serbisë, Cena bej Kryeziun. Halil Lleshi, Taf Kaziun dhe shoqëruesit e tyre ¹³. Në vitin 1920 ¹⁴, nën drejtimin e ndihmësit të tij, Zef Sereqit,¹⁵ provokoi intriga në kufirin serb dhe një ekspeditë e ushtrisë serbe që kishte kaluar kufirin tonë në Kopliku. E gjithë kjo për të kompromentuar triumfin kombëtar të Vlorës. Pas Vlorës, pasi fituam pavarësinë, u vendos që të bëheshin zgjedhje parlamentare, Zogu e kundërshtoi dhe nuk donte të jepte dorëheqjen nga ministria e tij ¹⁶, por në fund u detyrua të jepte dorëheqjen. Më pas ai shkoi në Romë ku filloi negociatat me italianët për shitjen e disa pyjeve në Mat. Mbas shitjes u kthye në Shqipëri. Ky gjarpër u tregua mjaft i zgjuar me shumë mjeshtëri mundi të fitonte simpatinë e shumë nacionalistëve naivë, me mbështetjen e të cilëve, në vitin 1921, u zgjodh deputet i Matit. Në atë vit shpërtheu revolucioni në Mirditë, i organizuar nga Serbia ¹⁷ dhe i provokuar nga Ahmeti. Italianët nuk e kishin njohur aventurierin ¹⁸, ndërsa Passiç ¹⁹, një dhelpër plakë, e përdori si të donte. Komploti i Hasan Prishtinës ²⁰ dhe disa të tjerëve, i nxitur, siç duket, nga Italia, që rrëzoi kabinetin e Pandeli Vangjelit më 6 dhjetor 1921, ishte një ngjarje fatale me pasoja brutale, sepse me këtë rast Ahmeti ishte rizgjedhur ministër i brendshme. Pasi shtypi revoltën e Elez Isufit dhe atë të Hamid Toptanit ²¹, Ahmeti u konsolidua në pushtet në marrëveshje të fshehtë me Serbinë dhe filloi një politikë krejtësisht individuale. Në fund të vitit 1923, ndërsa po zhvilloheshin zgjedhjet për asamblenë kushtetuese, Zogu hodhi tutje maskën e nacionalistit demokrat dhe formoi “Grupin” e bejlerëve feudalë ²². Vodhi mijëra napolona në thesar dhe organizon bandat e kriminelëve për të terrorizuar kundërshtarët e tij gjatë zgjedhjeve. Këto banda vranë në Kavajë Jusuf Kazazin ²³, i cili si nacionalist i vjetër kishte fituar simpati të përgjithshme dhe këshillonte popullin të votonte kundër fuedaliut. Në muajt e parë të vitit 1924, kur pasardhësi i tij (Shefqet Verlaci vajza e tij ka qenë e fejuar me Zogun) ishte ministër, nisi të vriste dy amerikanë pranë Krujës ²⁴, në mënyrë që ndërkombëtarët të binden se pa të në pushtet nuk mund të kishte paqe në Shqipëri. Më 2 prill 1924 me anë të kriminelit Jusuf Reçi vrau në Tiaranë Avni Rustemin ²⁵ të adhuruar nga i gjithë populli. Pas vrasjes së Avniut, indinjata dhe zemërimi i popullit arriti kulmin. Në qershor 1924 populli së bashku me ushtrinë pushtuan Tiranën²⁶ dhe Ahmet Zogulli u dëbua nga Shqipëria si tradhtar i interesave kombëtare. U strehua në Serbi dhe në dhjetor 1924 Pashiç dhe Ninçiç e vendosën Ahmetin në krye të një ushtrie serbe që pushtoi gjithë Shqipërinë ²⁷, terrorizoi dhe grabiti popullin. Ai shpalli diktaturën dhe u zgjodh president i Republikës. Në vitin 1925 vriten atdhetarët Gurakuqi, Bajram Curri, Salih Çeka, Nevruz Thaçi, Zija Dibra, Hoxhë Zogaj, Currie etj ²⁸, Vermoshi dhe Shën Naun ia dhuruan Serbisë ²⁹, i dha Italisë konceptin skandaloz të Bankës, e cila mblodhi të gjitha. arin e vendit dhe dhënien me koncesion të naftës në kushte që nuk kanë precedent në botë.³⁰ Në këmbim, Italia i ofroi Zogut miliona franga për vete dhe 50 milionë hua në favor të shtetit shqiptar. Në vitin 1926 vuri zjarrin dhe shkatërroi malet e Dukagjinit dhe Pukës dhe vuri në varje priftin nacionalist Don Gjon Gazulli ³¹. E kan torturuar në mënyrë barbare gjyqtarin Ali Tabaku ³¹, sepse ai kishte raportuar se vrasja e dy amerikanëve ishte urdhëruar nga Ahmet. Vrau babanë dhe vëllanë e Beqir Valterit ³² (Beqir Valteri ishte ai që kreu antentatin ndaj Zogut, asokohe ministër, në vitin 1923 teksa po hynte në Parlament. Në këtë sulm Zogu u plagos në dorë) Në Nëntor 1926 me Paktin e Tiranës vuri Shqipërinë nën kontroll politik dhe më 1927. Me Paktin e Aleancës nën kontrollin ushtarak të Italisë ³³. Vret në Tiranë kunatin e tij, senatorin Jusuf Dibra ³⁴ dhe më vonë kunati tjetër i tij Kryeziun ³⁵. Në vitin 1928 ka varur Ibrahim Arapin ³⁶ me dy maqedonas dhe mbi kufomat e këtyre dëshmorëve ai e shpall veten Mbret. Ahmet Zogolli zakonisht nuk dëshironë vdesë as për miqtë e tij. Në vitin 1930 një nga vrasësit e tij vrau luftëtarin e vjetër për pavarësinë kombëtare, Ali Koprencka ³⁷, që po jetonte mbas amnistisë në Korçë dhe jetonte në paqe me familjen e tij. Një njeri i pastër Teki Tatzati ³⁸, një idealist i ri i vdekur pak kohë më parë në internim dhe viktimë e regjimit të Ahmet Zogollit. Nga viti 1928 e në vazhdim Ahmet Zogolli vuri nën kontrollin italian të gjithë aparatin shtetëror, duke e lënë popullin e tij të vuante nga uria, e shndërroi vendin në koloni italiane dhe kështu anuloi pavarësinë e Shqipërisë, e cila ishte bërë me shumë sakrifica. Ja sa kushton Skenderbeu ³⁹ N.2 i Faik Konicës. Populli, pa dyshim, dikur nuk u mundua shumë për t'u marrë me këtë armik gjakatar dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Autori i shkrimit Q.H. Plotësime: • Artikulli i më sipërm është i shkruajtur në gjuhën italiane. 1. Liria Kombëtare: Organ i shqiptarëve, emigrantë anti Zogist. Botuar në Gjenevë në vitin 1926. 2.Sadije Toptani 3. Shënimi është i autorit të shkrimit:Babai i Ahmetit, Xhemal Pasha ishte djali i Mustafa Lalës nga Bureli. Mustafa Lala ishte bari i bagëtive të shtëpisë Spahia në Bicaj (Lumë), më pas kopshtar në pallatin e Sulltanit si shërbëtor përgjegjës për t'u kujdesur për disa zogj që gjendeshin në kopshtin e vogël të pallatit. Mustafa Lala i mbiquajtur “Kushxhi” në Mat mori mbiemrin Zogolli, duke përkthyer në shqip fjalët “Kushxhi”. Lala dërgoi në Stamboll djalin e tij Xhemalin, i cili studioi për ca kohë në medresenë (seminarin mysliman). Xhemali ishte i keq: masakroi dhe vari shumë fshatarë për të uzurpuar pronat e tyre. Barbarizmat e tij janë ende të njohura në Mat. Xhemali ishte martuar me një dibrane nga e cila lindi Xhelali, pastaj u martua me Fatimen ( Sadije) (Nëna) mbretëreshën - nga e cila lindi Ahmeti. Sipas deklaratës së Zija Bej Toptanit, Fatime nuk është nga familja Toptani, por mori mbiemrin Toptani të cilën Xhemali e përdori mbiemrin e gruas për të pretenduar ndikimin e tyre në Mat. Këto shpjegime gjenealogjike nuk na interesojnë aspak neve për personit politik të Ahmetit. Ky shpjegim është i dobishëm për oborrtarët që thonë se familja Zogolli është shumë fisnike dhe shumë e lashtë, nga sa dimë, Çelajt, Allemanajt dhe Kadizadelerët njihen si familje të lashta. ) 4. Shkolla e Lartë e Gallata Sarajit është një institucion edukativ e arsimor në Stamboll të Turqisë.Në vitin 1868 u riemërua me emërin Shkolla Perandorake e Gallata Sarajit. Nga kjo kohë gjuhë e mësimit në Shkollën e Gallata Sarajit në Stamboll u bë gjuha frënge. 5. Abduraman Krosi, (Mati) njeriu besnik i fisit Zogolli e Zogut. 6. Arif Hikmet Kumanova. Është trajtuar nga historiografia shqiptare si njeri që veprimtaria e tij ishte antishqiptar.Figura e tij është e mjegulluar nuk ka një studim të plotë për këtë person dhe rrolin e tij në ngjarjet shqiptare.Sipas Sefi Vllamasit ky është vrarë në Rekën e Dibrës nga dibranët. 7. Mahfil = njerëz që rinë bashkë për tu falur në xhami etj. Aksarajt = Lagje periferike e Stambollit. 8. Anarkia e Shqipërisë së Mesme e drejtuar nga Haxhi Qamili 9. Gjatë zhvillimet të luftës së parë botërore Shqipëria pushtohet pothuaj e gjitha nga Austro-Hungaria, Ahmet Zogu në fillimet e luftës ishte e mori pjesë me forcat e tija ushtarake nga Mati në ndihmë të Austro-Hungarisë, më vonë Austro-Hungaria nuk e besoj dhe e dërgoj në Austri për një studim në shkollat ushtarake, e njëkohësisht e kishte nën kontroll Ahmet Zogun. Arsyeja e saktë e mosbesimit nuk dihet. 10.Faik Bej Konica = (15 mars 1875 - Uashington, 15 dhjetor 1942) Mardhënjet e Zogut me Faik Konicën kanë qenë me dritë hijet e tyre. Nuk e donin njëri tjetrin por e repektonin peshën e tyre intelektuale e politike. 11. Në kongresin e Lushnjes Trupat ushtarake që i bindeshin Ahmet Zogut mbajtën sigurinë e rendin në Lushnje. 12. Në luftën e Vlorës kundër italianëve Ahmet Zogu ka dhënë një ndihmë të madhe në furnizimin e kryengritësve me vullnetarë nga shqipëria e mesme, ushtarak e armë. 13. Cena bej Kryeziun, Halil Lleshi, të dy këta janë vrarë dhe për vrasjen e tyre është akuzuar Ahmet Zogu por pa u faktuar. Të dy akuzohen nga bashkëkohësit e tyre si bashkëpuntorë të Jugosllavëve 14.Në vitet 1920-1921 Trupat ushtarake Serbe (Jugosllave) kanë hyrë në teritorin e Shqipërisë duke bërë vrasje e dëme të shumta në pasuritë e bagëtitë e fshatarëve. Ata i pretendonin këtë teritore për vete. Me ankesën e Shqipërisë një komision ndërkombëtar pa në vënd dëmet e shkaktuar dhe u akuzua Jugosllavia si shkaktare dhe e detyruan ti largojë trupat e saj nga kufiri shqiptar. Mbas kësaj presioni Jugosllavia i njohu kufitë e Shqipërisë të vendosur në vitin 1913 në Londër. 15.Zef Sereqi bashkëpuntor i ngushtë Zogut në vitin 1939 në prag të pushtimit Italian ai tradhëton Shqipërinë e i bashkohet pushtimit Italian. Të njëjtën gjë bënë dhe pothuajse e gjithë ushtria shqiptare që ju bashkëngjit ushtrisë pushtuese italiane. Hysen Selmani në librin e tij për Zogun shkruan që Zef Sereqi bënte lojë në favor të Shqipërisë e Zogut. 16. Ahmet Zogu në vitin 1920 kur po zhvillohej lufta e Vlorës ishte Ministër i Brëndshëm. 17.Kryengritja ose rebelimi i Mirditës. Shumë studius e quajnë rebelim i Mirditorëve të udhëhequr nga Kapedani i Mirditës Gjon Marka Gjoni i cili kërkoi ndihmën e Jugosllavëve dhe në Prizeren të Jugosllavi shpalli republikën e Mirditës. Rebelimi u shtyp me armë dhe më vonë u amnistuan të gjithë pjesmarësit e rebelimit. Gjon Marka Gjonit ju kthyen të gjitha privilegjet e nderet. 18.Dokumentacionet arkivore të Italianëve tregojnë që politika italiane kishte njohje e informacion shumë të mirë për klasën politike shqiptare të kohës, gupi i imigrantëve antizogist në emigracion në shumicën e tyre me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste u bashkuan me pushtuesit e vëndit të tyre. 19. Nikolla Pashic ( 1845-1926) Në vitet 1924-1926 Kryeministër i Mbretërisë Serbo,Kroate, Sllovene.Është shkruar shumë për një marveshje të Pashiçit me Zogun kur Zogu ishte i arratisur në Jugosllavi në vitin 1924. Marveshja në fjalë e kthente Shqipërinë në një krahinë Serbe, por dokumenti i marveshjes nuk ka as firmat e as vule e të dhëna të tjera që kanë këto lloj marveshje. Koha ka treguar se marveshja nuk u zbatua kurrë nga Zogu.Italia nga ana e saj për interesat e saj nuk lejoi Jugosllavinë të kishte fuqi reale imponuese në Shqipëri. 20. Hasan Prishtina ( 1873-1933) Në vitin 1921 me forma të paligjëshme (grusht shteti) u emërua Kryeministër i Shqipërisë. Qeverisi një ditë. Zogu dhe shumë të tjerë e detyruan me anë të armëve të jipte dorheqjen 21. Në mars 1921 kundërshtarët e qeverisë filluan një kryengritje, drejtues ishin, B.Curri, Mustafa Kruja, Hamit Toptani, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj.,U rrethua Tirana nga forcat ushtarake të drejtuar nga Elez Isufi. Me luftë, marveshje e pagesë trupat dibrane të Elez Isufit u tërhoqën. Zogu drejtoi fuqitë ushtarake kundër fuqive ushtarake të Elez Isufit dhe nuk lejoi pushtimin e Tiranës. 22. Gjatë vitit 1923 partitë “Popullore” e “Përparimtare” ishin shpërndarë. Gjatë rigrupimit të forcave u riformatuan dy grupime të reja, të drejtuara përkatësisht nga A.Zogu dhe F.Noli të parët kishin pozitën në pushtetin e kohës, të dytët përbënin opozitën. 23. U vra në Kavajë më 25 dhjetor 1923 tregtarit Haxhi Jusuf Kazazi së bashku me bashkëshorten e tij. Sipas kujtimeve të Xhemal Kusit, organizatorë i kësaj vrasje ishte Irfan Ohri, nipi i Aqif Pashë Elbasanit, i cili në këtë periudhë ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj politik të Ahmet Zogut. Kjo vrasje kishte si qëllim që ta paraqiste Zogun si kriminel që ta eleminontin ose ta komprementonin atë në sytë e shqiptarëve. Hetimet provuan të kundërtën. Me nxitjen e opozitës dhe personave të lartpërmendur vrasja në fjalë ishte realizuar nga Qamil Xhani, që do të deklarohet fajtor dhe do të ekzekutohet me vendim gjykate. 24. Nga shkurti i vitit 1924 e deri në Janar 1925 Zogu nuk kishte asnjë fuksion shtetëror. Në Mamuras u vranë nga banditët dy turist amerikan për qëllim grabitje. Grabitësit u ndoqën dhe vranë nga xhandarmeria. Opozita akuzoi Zogun. 25. Vrasja e Avni Rustimit ishte për motive kanunore e jo për politikë. Opozita e shfrytëzojë për të bërë grusht shteti. 26. Grushti i shtetit i vitit 1924 u organizua nga opozita shqiptare e kohës në bashkëpunim me disa njësi të ushtrisë. Populli nuk mori pjesë në këtë grusht shteti. 27.Pas grushtit të Shtetit të Fanolit dhe mbështetësve të tij, Zogu dhe shumë politikan shkuan në Jugosllavi. Jugosllavia i ndihmoi me mirëpritje, armë, veshje, ushqime e para, të cilët bënë të mundur krijimin e formacioneve të shumta ushtarake me shqiptarë nga Shqipëria e shqiptarë nga ish Jugosllavia. Këtyre trupave ju bashkuan dhe një batalion me ushtarak nga të Gjeneralit Ëranger të Rusisë që ishin strehuar në Jugosllavi rreth 104-108 vetë. Të gjithë me pagesë. Asnjë serb nuk ishte në këtë grupim ushtarak. Janë bërë luftime në gazermën e Peshkopisë dhe pak pushkë në Tiranë. Rusët kanë marë pjesë vetëm në luftimet në Peshkopi.Vrasje në popullsi nuk ka pasur popullsia u tregua indiferente në këto zhvillime politike ku armët vendosën fatin e Shqipërisë. 28. Në vrasjet e këtyre njërëzve ka pasur shumë hamendësime për rolin e Zogut në këto vrasje, edhe sot nuk kemi ndonjë hetim a vendim gjyqësor që të akuzohet Zogu si urdhërues i këtyre vrasjeve. Por gjithashtu kemi dhe shumë tentativa për të vrarë Zogun. Klasa politike e Shqipërisë së kësaj kohe, vrasjet i kishte mjete për të arritur qëllimin. Komunistët ma vonë vrasjet e kundërshtarëve politik e kthyen në mjetin e vetëm për t’ju imponuar kundërshtarëve të tyre politik dëshirën e tyre. 29. Shën Naumi ju dha me kompesim teritorial Jugosllavisë, ky vendim u muar nga Kuvendi i Shqipërisë. 30. Në kushtet e një ekonomia e pa aftë, të konflikteve të brëndëshme politike ekstreme, të kërcënimit për marje teritore nga Jugosllavia e Greqia, Zogu dhe qeveritë përkatëse pranuan ndihmat ushtarake e financiare të Italisë dhe e lejuan kapitalin italian të investonte në vënd. Sot në vitin 2024 kemi pothuaj të njëjtën panoramë ekonomike. 31. Në nëndor 1926 të nxitur nga emigracioni politik Anti Zogist, Dukagjinasit të kryesuar nga prifti Don Gjon Gazuli organizuan një kryengritje të armatosur kundër qeverisë të Tiranës. Kryengritja u shtyp me fuqinë e armëve. Padër Gjon Gazuli ishte kundërshtar i Zogut i cili propogandoi e nxiti rebelimin antiqeveritar në Dukagjin bazuar në popullsinë katolike. Krizën ushqimore që u krijua nga moti në këto zona propaganda ja vuri qeverisë së Tiranës që sipas tyre ishte myslimane e anti katolike. Gjon Gazuli u arestua dhe u dënua me vdekja nga gjykata. Ky ishte prifti i vetëm që u dënua me vdekja gjatë Mbretërisë Shqiptare. Kur erdhën në pushtet komunistët kleri katolik u masakrua i gjithi. 32. Beqir Valteri i bën antentat Kryeministrit Ahmet Zogu duke e plagosur në dorë. Dënohet nga gjykata dhe lirohet nga burgu mbas puçit të shtetit të vitit 1924. Mbas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit aratiset e qëndron jashtë atdheut. Kthehet me pushtimin e Shqipërisë nga Italia e kishte fuksione ushtarake në këtë periudhë. Dënuar me vdekje nga rregjimi komunist. Xhaxhai i tij është vrarë për motive gjakmarje.Nuk dihet vrasësi. 33. Shqipëria e Italia kanë bërë 2 pakte ndihme reciproke në rast lufte. Një në vitin 1926 e tjetra në vitin 1927. Një marveshje sekrete është dhe e datës 26. Gusht 1926 ku italia do ndihmohej nga Shqipëria në pushtimin e Jugosllavisë e Shqipërisë do ti bashkoheshin të gjitha tokat që banoheshin nga shqiptarët në Jugosllavi. Këto pakte ushtarake-ekonomike realisht e kufizuan shumë sovranitetin e Shqipërisë. Një nga arsyet që italia përdori për pushtimin e Shqipërisë ishte se Zogu nuk pranoi një pakt të tretë me Italinë që në fakt Shqipërinë e kthente në një teritor Italian. Në telegramin që kemi në këto materiale e datës 7 Prill 1939 Zogu e pranoi Paktin e tretë vetëm që Italia mos të bënte pushtim ushtarak por Musolini dëshironte pushtimin e Shqipërisë. 34. Jusuf Dibra Dahoshishti?? 35. Ceno bej Kryeziu, kunati i Mbretit Zog (burri i motrës) vritet në moshën 32-vjeçare në Pragë. Ishte Ministër i Brëndshëm i Shqipërisë dhe ambasador i saj në Çekosllovaki. Vritet nga Alqiviadh Bebi nga Elbasani në Pragë. Figurë e pak zbardhur nga historiografija shqiptare 36.Ibrahim Arapi. Pjesmarës në grushtin e shtetit e vitit 1924. Arsimtar. U dënua me vdekje nga gjykata në vitin 1928 nuk dihet arsyet.. 37. Ali Koprencka (1898-1928). Deputet, pjesmarës në grushtin e shtetit e vitit 1924. Aratiset në Greqi mbas dështimit të grushtit të shtetit. Kthehet në Shqipëri me amnistinë e vitit 1928. Nuk pranon ofertat e qeverisë së kohës për fuksione shtetërore. Është vrarë në Korçë për sherre pronash nga kushërinjtë e tij. Opozita e ka akuzuar Zogun për këtë vrasje. 38. Taki Tatzati ?? 39. Mbreti i shqiptarëve kishte titullin Zog i I-rë, dhe Skëndërbeu i III-të