2023, vit i mbarë për energjinë. U prodhua më shumë nga sa u konsumua, ndikuan edhe fotovoltaikët

18 Shkurt 2024, 22:23Ekonomia TEMA

2023, vit i mbarë për energjinë. U prodhua më shumë nga

Sasia e energjisë elektrike së prodhuar në vend arriti në gati 8,8 milionë megavat-orë gjatë vitit 2023. Ky është niveli i dytë më i lartë i shënuar në historinë e vendit, pas rekordit të vitit 2021.

Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në raport me vitin 2022, prodhimi i energjisë u zgjerua me gati 872 mijë megavat-orë apo 11%.

Azmer Duleviç, inxhinier elektrik, u shpreh për A2 CNN: “16% e energjisë është prodhuar nga hidrocentralet publike-shtetërore dhe pjesa tjetër nga hidrocentralet me koncesion apo blerjet në bursa”.

Të dhënat nga ERE tregojnë se në total, qytetarët, bizneset dhe institucionet konsumuan gati 7,9 milionë megavat-orë energji. Në raport me vitin 2022, konsumi total u tkurr me 47 790 megavat-orë energji elektrike.

Prodhimi më i lartë se konsumi bëri që vendi ta mbyllë vitin e shkuar me një bilanc pozitiv prej më shumë se 900 mijë megavat-orë energji tepricë.

“Ka pasur periudha kohore nga viti i shkuar gjatë së cilave ne kemi dalë në eksport për shkak të mbiprodhimit”, tha Duleviç.

Veç bilancit të përgjithshëm, viti i shkuar rezulton i mbarë për energjinë elektrike edhe në drejtim të prodhimit të saj nga panelet fotovoltaike. Energjia nga dielli gjatë vitit 2023 arriti në mbi 80 mijë megavat-orë energji nga rreth 50 mijë gjatë vitit 2022.

“Megjithatë, ky është nivel relativisht i ulët. Përbën më pak se 1% të totalit të energjisë së prodhuar gjatë vitit të shkuar”, shton Duleviç.

Qeveria ka shpallur si objektiv që me anë të diversifikimit të burimeve të prodhimit, Shqipëria të kthehet në vend eksportues neto në vitin 2030.

1 Komente

  1. T
    Trojan

    Por prape se prape ne ngelemi me energjine me te shtrenjte ne rajon

    Lini një Përgjigje