AMF: Ulja me 3.6% për asetin neto në valute të huaj
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet neto të fondeve të investimit në valutë të huaj pësuan rënie në vlerën e 40.5 milionë Eurove, një rënie me 3.6% ose afërsisht 1.5 milionë Euro që nga fillimi i këtij viti.
Sa i përket monedhës vendase, rënia ishte më e lartë, për shkak të efektit të kursit të këmbimit. Më konkretisht e njëjta vlerë në Lekë e aseteve neto të fondeve në valutë të huaj ra në 4.3 miliardë Lekë, rreth 10% më pak krahasuar me fundin e vitit 2022.
Dobësimi i monedhave të huaja dhe mbiçmimi i monedhës vendase në mes të vitit, ndikoi në rënien statistikore të vlerës së aseteve në valutë në të gjitha segmentet e tregut financiar.
Sipas të dhënave nga AMF, në fund të muajit Qershor, asetet neto të fondeve në valutë të huaj përbënin 9.96% të aseteve neto të fondeve të investimit, nga 11.54% që ishte pesha e tyre specifike në fund të vitit 2022.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në Shqipëri janë të licencuara aktualisht trembëdhjetë fonde të hapura me ofertë publike, gjashtë nga të cilët kryejnë aktivitetin në valutë të huaj, kryesisht në Euro.
Kjo e fundit vijon të shënoje ulje në tregun valutor ku gjatë 24 orëve të fundit 1 Euro në shitje këmbehet me 107.7 Lekë, ndërsa në blerje këmbehet me 106.8 Lekë, gjë e cila sipas ekspertëve edhe gjatë këtij muaji monedha europiane do vijoje të mbetet e dobët.
Lini një Përgjigje