Kina, SHBA dhe BE po ngadalësojnë

4 Janar 2023, 12:22Ekonomia TEMA

Kina, SHBA dhe BE po ngadalësojnë

Për pjesën më të madhe të ekonomisë globale, viti 2023 do të jetë një vit i vështirë pasi motorët kryesorë të rritjes globale – SHBA, Evropa dhe Kina – po përjetojnë dobësim të aktivitetit ekonomik, ka paralajmëruar kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Viti i ri do të jetë “më i vështirë se viti që lëmë pas”, tha drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, për CBS TV.  “Pse? Sepse tre ekonomitë e mëdha – SHBA, BE dhe Kina – po ngadalësojnë të gjitha njëkohësisht”, tha ajo.

“Ne presim që një e treta e ekonomisë botërore të jetë në recesion. Edhe në vendet që nuk janë në recesion, qindra e miliona njerëz do të ndihen sikur po e përjetojnë një të tillë”, shtoi ajo.

Në tetor, FMN-ja zvogëloi perspektivën për rritjen ekonomike globale në vitin 2023, duke reflektuar zvarritjen e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë, si dhe presionet e inflacionit dhe normat e larta të interesit të krijuara nga bankat qendrore si Rezerva Federale e SHBA-së, që synojnë t’i dobësojnë presionet e çmimeve.

Georgieva tha se Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka të ngjarë të rritet aq sa, ose më pak se sa rritja globale për herë të parë në 40 vjet, teksa  rastet e Covid rriten pas sprapsjes së politikës së saj të rreptë “zero-Covid”.

Për më tepër, një shpërthim i infeksioneve të pritshme nga Covid në muajt në vijim ka të ngjarë të godasë më tej ekonominë e saj dhe të ngadalësojë ndjeshëm rritjen ekonomike rajonale dhe globale, tha Georgieva, e cila udhëtoi në Kinë në fund të muajit të kaluar.

Ndërkohë, tha Georgieva, ekonomia amerikane po qëndron e veçuar dhe mund të shmangë tkurrjen e drejtpërdrejtë, që ka të ngjarë të prekë shumë nga ekonomitë e botës.

“SHBA-ja është më elastike”, tha ajo, dhe “mund të shmangë recesionin. Ne shohim që tregu i punës mbetet mjaft i fortë.”

“Ky është … një bekim i përzier sepse nëse tregu i punës është shumë i fortë, Fed-it mund t’i duhet të mbajë normat e interesit më të shtrënguara për një kohë më të gjatë, për të ulur inflacionin,” tha Georgieva.

Java e parë e vitit të ri sjell një sërë të dhënash kyçe në frontin e punësimit në SHBA, duke përfshirë raportin mujor të pagave, i cili pritet të tregojë se shkalla e papunësisë në SHBA ka mbetur në 3.7% – afër nivelit më të ulët që nga vitet 1960. / bota.al

Lini një Përgjigje