
Kontinenti Evropian po përballet me vështirësi në rritje në sektorin e gazit dhe të energjisë elektrike, pasi sipas gjasave, Rusia pritet të përdorë energjinë dhe dimrin si armë lufte në përballjen e saj me Perëndimin. Megjithatë, ndërtimi i hidrocentraleve të mesëm dhe të mëdhenj gjatë viteve të fundit duket se e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion jo shumë të disfavorshëm nga pikëpamja energjetike.
Pjesa dërrmuese e energjisë së konsumuar në Shqipëri pritet të mbulohet nga prodhimi vendës, ku sektori privat po mbulon aktualisht më shumë se gjysmën. Megjithatë, problemi duket aspak i vogël për Shqipërinë në pikëpamje financiare, për shkak se edhe ajo pjesë e vogël e konsumit që duhet të mbulohet nga importet, po kushton shuma të stërmëdha parash.
14% e konsumit kushtoi 136 milionë euro
Enti Rregullator i Energjisë publikoi së fundmi raportin e vet statistikor për gjendjen në gjysmën e parë të këtij viti. [Link] Sipas raportit, Shqipëria konsumoi 4.25 miliardë kWh në periudhën janar-qershor, nga të cilat, 3.66 miliardë u prodhuan në vend ndërsa 591 milionë ose më pak se 14% e konsumit u detyrua të importohet. Në krahasim me vitin e kaluar, prodhimi vendës është 30% më i ulët, por kjo për shkak se vitin e kaluar pati sasi të pazakontë reshjesh.
Të dhënat e ERE tregojnë se blerjet në tregun e liberalizuar (pra importet) i kushtuan të tre kompanive publike 136 milionë euro, me një çmim mesatar prej 254 eurosh për MWh. Çmimi i zakonshëm me të cilën Shqipëria e ka blerë energjinë elektrike në import gjatë viteve të shkuara është luhatur nga 30 në 100 euro për MWh. Problemi është se, ndërsa çmimi i gjashtëmujorit të parë prej 254 eurosh ngjan marramendës, në tenderin e fundit të KESH sh.a. për blerjen e një sasie të vogël energjie për datat 20-21 gusht, çmimi mesatar i ponderuar arriti në 496 euro për MWh.
Ecuria për pjesën e mbetur të vitit është në varësi të reshjeve. Deri në qershor, niveli i Fierzës, i cili është treguesi kryesor i prodhimit, ishte më i ulët, por pranë mesatares shumëvjeçare, ndërsa në varësi të kushteve atmosferike, Shqipërisë mund t’i nevojitet të mbulojë me importe më shumë ose më pak nga sa ka mbuluar në pjesën e parë të vitit. Gjithsesi, në rast se importet do të duhet të jenë aq sa ishin në gjashtëmujorin e parë, fatura e tyre financiare prej 136 milionë eurosh ka gjasa do të jetë dy herë më e lartë se sa ishte në gjashtëmujorin e parë.
Fatura totale, e cila mund të arrijë në mbi 300 milionë euro për të mbuluar vetëm 15% të konsumit, pritet të paguhet nga qytetarët përmes taksimit të përgjithshëm dhe jo përmes faturës së energjisë elektrike. Familjet shqiptare paguajnë aktualisht rreth 11 lekë për kWH energji të konsumuar, ndërsa energjia e importuar po kushton 55 lekë për kWh.
Shqiptarët mund t’ia kursejnë vetes këtë kosto të stërmadhe duke hequr dorë nga një pjesë jo shumë e madhe e konsumit që aktualisht duhet të mbulohet nga importet. Deri më tani, qeveria shqiptare i është drejtuar qytetarëve përmes propagandës së vet që të kursejnë energji, por se sa kjo taktikë do të funksionojë, mbetet për t’u parë.(BIRN)
Per te ardhur keq. Investimet duhet te behen ne burimet e shumta qe ka Shqiperia, nje vend i bekuar nga natyra. Eshte per te ardhur keq qe shume prej lumenjve derdhen ne det pa u shfrytezuar, ndersa vendi mbetet ne "hall' te rreshjeve...