Çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë as në 2026: ERE mban të pandryshuara tarifat për konsumatorët familjarë

26 Dhjetor 2025, 16:51Ekonomia TEMA
Çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë as në 2026: ERE

Çmimi i energjisë elektrike edhe për vitin 2026 do të mbetet i pandryshueshëm. Në mbledhjen e fundit, Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026 fuqinë juridike të vendimit të marrë në janarin e këtij viti për uljen e çmimit të energjisë. Kështu, të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovatorë energji në muaj do të vazhdojnë të paguajnë 8.5 lekë për kilovator, ndërsa abonentët që kalojnë konsumin mujor mbi 700 kilovatorë do ta vazhdojnë të paguajnë me 9.5 lekë kilovatorin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.

Vendimi i ERE-së për të vijuar me të njëjtat çmime, siç thuhet në njoftim, erdhi pasi Shoqëria e Furnizimit të Shërbimit Universal, në pasqyrat financiare të depozituara në ERE, provon se pavarësisht uljes së çmimit që nisi të aplikohet nga shkurti i këtij viti, ka arritur të gjenerojë të ardhura të cilat kanë mbuluar kostot e aktivitetit të shoqërisë, duke garantuar ushtrimin e një aktiviteti normal operacional që pritet të pasqyrohet në të njëjtën formë edhe për vitin 2026.


Po ashtu, Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mbajë të pandryshueshëm edhe çmimin e shitjes së energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike në stacionet e karikimit të vendosura në tetor të këtij viti.

Lini një Përgjigje