Në pension 71 vjeç?

5 Shkurt 2024, 22:10Ekonomia TEMA
Në pension 71 vjeç?

Gazeta britanike “The Guardian” shkruan sot se ekspertë të ndryshëm po sugjerojnë se mosha e pensionit duhet të kalojë nga 68 vjet në 71 vjeç. Aktualisht mosha e pensionit në Mbretërinë e Bashkuar është 66 vjeç dhe do të rritet në 68 duke nisur nga viti 2044. Pra brezi i ardhshëm i pensionistëve do të jetë 68, por edhe kjo nuk mjafton.

"Në Mbretërinë e Bashkuar mosha e pensionit shtetëror do të duhet të jetë 70-71 krahasuar me 66 që është tani për të mbajtur status quonë e numrit të punëtorëve për pensionist shtetëror", citohet Les Mayhew, bashkëkryetar i kërkimit global në Qendrën Ndërkombëtare të Jetëgjatësisë.

Sipas tij madje, nëse në ekuacion do të fusim edhe parandalimin e sëmundjeve, atëherë do të duhet të jetë edhe më shumë. Sipas statistikave në Angli dhe Uells sot, vetëm 50% e të rriturve janë të aftë për punë dhe pa probleme shëndeti. Sugjerimi këtu është mbi bazë aritmetike dhe nuk ka nevojë për ekspertizë: sa më shumë pleq që jetojnë përherë e më gjatë, aq më e madhe pesha financiare për të paguar. Sepse edhe forca punëtore, pra kontributive ulet. Mirëpo problemi që këtu është irritues është fakti se një njeri paguan kontributet për pensionin e vet, ndërkohë që kriza e pensioneve në vende me moshë të plakur të popullsisë, reflekton faktin se kontributi i gjithësecilit shkon në të vërtetë për pensionin e brezit paraardhës.

Ky është një problem i skemave publike, jo i atyre private ku merr aq para sa ke dhënë. Ajo që është e padrejtë – dhe aplikohet edhe në vendin tonë – është se fondi i pensioneve krijohet përmes një sigurimi të detyrueshëm, i cili vazhdon të jetë i tillë edhe kur ekspertë si këta që flasin këtu sugjerojnë vazhdimisht rritjen e moshës, vetëm për të mos vënë skemën në krizë. Pa kuptuar fare, apo pa i dhënë rëndësi faktit se një njeri nuk vjen dhe ikën nga kjo botë me hallin e pensionit që është shndërruar i tillë pse në këmbë është ngritur një skemë që falimenton me përkufizim.

Rritja e jetëgjatësisë kthehet këtu në faturë për një brez, që rezulton se do të punojë 5-10 vjet më shumë sepsa brezat e shekullit të 20-të, duke e shndërruar moshën e tretë në thelb në një moshë azilimi inaktiv. Të kuptohemi: ka njerëz që punojnë edhe pas moshës 75 vjeç. Por këtu po flasim për punësim në funksion të një skeme e cila është bërë problem thuajse global e zgjidhjen e së cilës e marrim nga ekspertë që thonë: duhet të punohet më shumë.

Sigurisht që për politika të tilla nuk duhen dëgjuar ekspertë, por ka nevojë për qasje tërësisht të re, sepse edhe me pandeminë u proua se pavarësisht kontributit, aksesi në shërbime dhe shëndetësi, nuk është i mundur ashtu si pretendohet. Më mirë pra kursime personale sesa një skemë e detyruar sigurimi që është në fund të fundit një gropë e zezë që vetëm merr dhe shumë pak jep.

3 Komente

  1. L
    Liku - Kush me shan per debat nuk ia mban

    I bie qe libreza e pensionit te shperndahet ne varreza gjate funeralit te personit.

    1. D
      Drini

      Te zgjidhur e keni. Futni dhe 1 covid tjeter

      1. A
        AY

        Ne SHBA punon edhe 80 vjec. Une jam ne Shqiperi dhe dola ne pension 71 vjec. Ne fakt me nxorren ne pension. Sa me teper te punosh, aq me gjate jeton. Puna te mban gjalle.

        Lini një Përgjigje