Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin "Bankers Petroleum" për shkak të gjobës 120 milionë euro ende të pashlyer, të vendosur në 2019 pasi kompania naftënxjerrëse nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.
Lajmin e ka bërë publik vetë kompania përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas "Bankers Petroleum", për një produkt të tillë nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
"Ju informojmë se kemi depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe ftojmë të gjitha palët të presin rezultatet e hetimit dhe vendimet e gjykatave përpara se të ndërmarrin veprime arbitrare",- njofton kompania naftënxjerrëse.
Gjoba 120 milionë euro mbi Bankers Petroleum u vendos në vitin 2019 nga dogana e Fierit pas një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në vitin 2019, dogana e Fierit mbajti një akt konstatimi, ku theksonte se Bankers Petroleum nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Mbi këtë detyrim inspektorët llogaritën dhe një gjobë në masën 90 milionë euro duke e çuar në total faturën 120 milionë euro.
Njoftimi i plotë:
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, aktiviteti prodhues dhe financiar i Kompanisë në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe në tejkalim të procedurave ligjore, në kundërshtim me:
Vendimin e Përkohshëm Nr. 3869/2, datë 17.07.2019, ende në fuqi
Afatin 5-vjeçar të parashkrimit, neni 102 i Ligjit për Akcizat
Nenit 11 dhe 51 të Ligjit për Akcizat
Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se:
“Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme. Për informacion: nafta bruto lëviz vetëm në gjendje të ngrohtë; nëse ftohet, ngrin dhe nuk lëviz më. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve depozituese për një kohë të gjatë do të sjellë domosdoshmërisht ndërprerjen dhe ndaljen e vendburimit, së bashku me të gjitha pasojat e padëshiruara që lidhen me to.”
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë.
Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh.
420 punonjësit e BPAL-së dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore, ofruesve të shërbimeve dhe partnerëve të biznesit, përfshirë edhe rreth 1.300 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol sh.a. (e cila varet tërësisht nga prodhimi para-ekzistues që i dorëzon BPAL), rrezikojnë të mbeten pa punë. Po ashtu, rreth 12 kilometra tubacione nafte, depozita naftëmbajtëse, mbi 1.000 puse nafte, impiante përpunimi, etj. (investime të BPAL-së që janë në pronësi të shtetit shqiptar), të cilat duhet të mirëmbahen 24 orë në ditë, rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.
Këto veprime nuk prekin vetëm BPAL-në, por edhe një zinxhir të gjerë kompanish nënkontraktore që punojnë çdo ditë me BPAL-në dhe rrezikojnë të mbeten pa punë; pushtetin vendor, i cili përfiton taksa nga operacionet e BPAL-së; banorët e zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, jetët dhe pronat e të cilëve rrezikohen në rast incidentesh në fushën e naftës, e cila paraqet rrezikshmëri të lartë nëse operacionet bllokohen; financat e shtetit shqiptar; si dhe shumë të tjera. Gjithashtu, ekzistojnë rreziqe të larta mjedisore (HSE), përfshirë dëme dhe humbje në fushën naftëmbajtëse.
Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt. Sqarojmë se holluesi është një lëndë e parë që përzihet me naftën e rëndë të Patos-Marinzës për të mundësuar nxjerrjen më të lehtë nga nëntoka dhe transportimin drejt rafinerive. Ky produkt injektohet në puse dhe nxirret i trupëzuar bashkë me naftën bruto nga nëntoka. Nëse kjo naftë do të konsumohej brenda vendit, do të ishte logjike të paguhej akciza për holluesin; por kjo naftë nuk konsumohet në vend, por eksportohet. Ky fakt certifikohet nga certifikime ndërkombëtare për çdo ngarkesë, të monitoruara 24 orë në ditë nga autoritetet shqiptare si Dogana Fier, AKBN, Albpetrol dhe ISHTI.
Për më tepër, Qeveria Shqiptare, me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 726, datë 12.11.2014 (VKM që miraton marrëveshjen e dytë ndryshuese me BPAL), ka përcaktuar se nëse BPAL paguan akcizë për holluesin, ajo konsiderohet kosto e rikuperueshme në masën 100%. Pra, në të dyja rastet, efekti ekonomik për shtetin shqiptar dhe BPAL-në është zero.
Ndërkohë, Dogana, përveçse e përcakton si detyrim, i ka vendosur BPAL-së, për vlerën e pretenduar të papaguar të akcizës (rreth 3 miliardë lekë), si detyrimin ashtu edhe një gjobë në masën trefish të detyrimit të pretenduar të akcizës.
E gjithë çështja është aktualisht në proces gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë, ndërkohë që organet shtetërore, pa pritur vendimin e gjykatës, po ndërmarrin veprime arbitrare.
Ky nuk është rasti i parë që BPAL përballet me akte të tilla abuzive. Në këto raste, ne kemi fituar çdo proces gjyqësor. Megjithatë, bllokimi i aktivitetit të Kompanisë pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor është një akt dashakeq që dëmton më shumë shtetin shqiptar, punonjësit e industrisë, kompanitë nënkontraktore, komunitetin lokal, pushtetin vendor dhe shumë të tjera.
Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore për të arritur një zgjidhje të përshtatshme të kësaj situate, por deri më tani nuk është arritur asnjë rezultat pozitiv.
Nëpërmjet këtij komunikimi me median, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që ta administrojnë me maturi këtë situatë delikate. Pas 6 vitesh pezullimi të rezultateve të kontrollit, të cilat janë konsideruar të paligjshme nga vetë Administrata Shtetërore, nuk ka arsye për nxitim në ndjekjen e një çështjeje që do të sjellë dëme të pakthyeshme për Kompaninë.
Ky zhvillim ka aktivizuar klauzolën e Forcës Madhore për shkak të “veprimeve qeveritare”, sipas pikës 17.1 të Marrëveshjes së Hidrokarbureve të vitit 2004, të nënshkruar me shtetin shqiptar.
Ju informojmë se kemi depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe ftojmë të gjitha palët të presin rezultatet e hetimit dhe vendimet e gjykatave përpara se të ndërmarrin veprime arbitrare.
Me 120 milione dhe duan te shpetojne ? jane 700milione ne tatime apo me paqen fiskale do e mbyllni
Keto qe thote kompania Bankers Petroleum jane kercenime per te mos i nderprer aktivitetin dhe ne mos eshte nje loje midis qeverise dhe kompanise per ti falur keto gjoba kesaj kompanie dhe per te krijuar ndonje variant korrupsioni nen dore midis tyre. Zotrinje te kompanise, favoret qe ju kane bere qeverite ne kontrata apo me VKM verbale apo jo verbale, jane arsyeja kryesore qe ju sillni keshtu dhe abuzoni me pasurine natyrore me te madhe te popullit shqiptar. Keto favore jane pikerisht ato qe ju abuzoni ne te gjitha aktivitetet tuaja per te ulur fitimet dhe per te raportuar me humbje. Ne kushtet qe ju dilni me humbje prej 21 vite si ka mundesi qe vazhdoni aktivitetin operativ ne kete vb, ku i gjeni parate, pse jepni donacione dhe pse nuk shpallni falimentimin dhe te ikni nga syt kembet? Pse deklaroni qe keni paguar detyrime shtetit dhe komuniteteve? ju keni paguar veten nje taks minimale minerare, shume qesharake, kur keni nxjerre me mbi 1.5 milion ton nafte bruto ne vite dhe asnje lek tatim mbi fitimin dhe keni hedhur ca lemosha ne komunitete sidomos ne kohe zgjedhjesh per ti siguruar vota pushteteve. Prandaj ju nuk duhet te kishit vazhduar aktivitetin tuaj qysh pas 2-3 viteve te para se keni dal me humbje, dhe per kete ka ligje, ne gjithe boten keshtu veprohet. Me keto donacionet apo ndihmat e komiteteve ju keni abuzuar rende dhe vazhdoni akoma, i beni se pasuroni parat e korrupsionit qe vidhni ne kete vb dhe i ndani pe politikanet dhe qeveritaret dhebishtat rreth tyre dhe rreth jush. Zotrinje te kompanise, vb Patos Marines, sidomos ne suitat "DRIZA dhe GORANI", dihet qe jane me nafta teper viskoze, historikisht ne i kemi shfrytezuar me perdorim te holluesit, ndersa ju pretendoni se ky "një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë". Pra ju se perdorni? Atehere kur ky nuk perdoret pse e importoni ate? Mos valle beni allishverishe me pikat e karburantit dhe e shisni si karburant?, sepse kjo ka ndodhur ne vendin ton. Cdo gje qe eksportohet dhe importohet, ne gjithe boten ka nje taks doganore, prandaj ju duhet te mblidhni mendjen qe ta paguani ate dhe kjo qeveri e korruptuar nuk duhet tja u fali juve asgje! Tjeter mosperdorimi i holluesit gjate shfrytezimit do te thote teknikisht qe ju perdorni ne shtresat naftembajtese depresione shfrytezimi shume te larta, mbi ato te lejuarat, duke perdorur pompa shume te fuqishme qe nuk rekomandohen ne kete tip shtratimi, pra ju po shkaterroni strukturen e ketij vb se nxirrni nafte rere uje dhe shkaktoni pasoja te renda social-ekonomike dhe sasi te medha rezervash mbeten ne shtrese te parikuperueshme. Ky "investim" ne kete teknologji qe keni bere ju, duke futur kete teknologji shfrytezimin nuk duhet lejuar nga shteti shqiptar. Jo cdo gje qe kerkon operatori duhet ta lejoj shteti, teknologji per rritjen e prodhimit sidomos ne shtresat ranore me nafta viskoze ka shume, ato i kemi perdorur ne me shume sukses dhe nuk kemi patur keto pasoja qe keni shaqur ju ne vb. Eshte e qarte se ju silleni keshtu duke perdorur kete teknologji shkateruese per te marre sa me shume dhe te lini pas nje "toke te djegur" ashu sic e keni katandisur kete vb, se nuk e keni pasurine tuaj, por ne na dhemb se eshte gjaku dhe djersa jone dhe eshte zbuluar me parate e ketij populli fukara. Ju nuk jeni pronare te kesaj pasurie, mire qe e paskeni kuptuar tani, jeni operator, atehere pse qeveria e lejon shitjen dhe blerjen e kesaj pasurie sa here nderron koncesionarin apo keto para ndahen midis politikes qeveritare me operatoret shites? Ju tani theksoni se pasojat jane shume te renda, sigurisht qe ka pasoja, por ka edhe zgjidhje dhe per kete duhet te mendoj qeveria, qe ky vb te shtetezohet menjeher dhe ti kaloj kompanise shteterore albpetrol, sidomos tani qe kompania Bankers eshte nen hetim per abuzime dhe ne shkelje me te gjitha termat e kontrates qysh prej 21 vitesh. Bile tani qe eshte ne hetim per korrupsion masiv dhe shkaterrim te kesaj pasurie natyrore kombetare, SPAK duhet ti kishte nderprer aktivitetin dhe ti kishte sekuestruar vb-in. Gjerat jane te qarta dhe faktet jane reale! Ne skemi pse ta shfrytezojm me humbje kete pasuri natyrore. Kete e shfrytezon vete kompania Albpetrol dhe ju siguroj se del me shume fitim dhe vb shpeton nga shkaterrimi. Pra shteti kete duhet te beje dhe jo ti fali gjobat apo ta lejoj kompanine te vazhdoj aktivitetin me humbje dhe shkelje ne termat e kontratave apo mos pagesat e detyrimeve fiskale apo doganore. Bile AKBN dhe Albpetroli duhet te qendrojn me kembe ne toke dhe te mos marin keto vendime arbiterare qe tja falin kompanise keto gjoba dhe ajo te vazhdoj aktivitetin. Kjo eshte djersa dhe gjaku i naftetareve dhe popullit, prandaj ju do pergjigjeni para drejtesise, sot apo neser, per keto abuzime, vjedhje dhe korrupsion qe beni bashke me kompanine. Kthejani kete pasuri popullit , sot se neser eshte vone dhe cojeni kete komapni ne arbitrazh qe te paguaj detyrimet shtetit dhe taksat. Kjo eshte rruga dhe kete kerkon populli. Cdo gje eshte fare e thjesht, ai vb shfrytezohet nga specialistet dhe punonjesit shqiptare dhe vetefinancohet, ska patur dhe ska nevoj per investime te huaja apo vendase nga oligarlet e qeverive, atehere per cfare duhen keta hajdute te kesaj kompanie, per te marre thaset me parat e popullit???
Shqipëria në dorë te kusarëve...vaj medet!!!!