Rritja e vazhdueshme e pagës minimale në Shqipëri po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha për industrinë fason, një sektor që prej dekadash ka qenë ndër punëdhënësit kryesorë në vend dhe një motor i rëndësishëm i eksporteve.
Në muajin janar shumë fabrika të vogla dhe të mesme janë mbyllur pasi nuk kanë përballuar kostot e larta të pagës minimale, që nga 40 mijë lekë më 2025 u bë në 50 mijë lekë në 2026, tha Florian Zekja nga Shoqata ProEksport.
Kjo mbyllje është reflektuar dhe në rënien e eksporteve të tekstileve e këpucëve në muajin e parë të këtij viti. Ky sektor shiti 8 miliardë lekë në janar 2026, me rënie prej 5.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zoti Zekja tha se industria fason funksionon me marzhe të ulëta fitimi dhe me kontrata të lidhura kryesisht me tregjet europiane, ku çmimet përcaktohen nga konkurrenca globale. Ndaj çdo rritje e kostove të punës reflektohet menjëherë në strukturën financiare të kompanive. Ndryshe nga sektorët e tjerë që mund të transferojnë kostot te konsumatori final, fasoneria shpesh nuk ka këtë luks, pasi punon me porosi dhe çmime të paracaktuara nga partnerët e huaj, duke bërë që shumë kompani të ndërpresin aktivitetin, tha ai.
Paga minimale në janar ishte 25% më e lartë se në 2024 dhe 66 % më e lartë se në 2021, duke synuar rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Megjithatë, për fabrikat prodhuese, kjo rritje po përkthehet në një presion të fortë mbi kostot dhe konkurrueshmërinë.
Rritja e pagës minimale nuk ndikon vetëm te paga bazë. Ajo shoqërohet me rritje të kontributeve shoqërore, sigurimeve dhe kostove të tjera të lidhura me fuqinë punëtore. Për një fabrikë me qindra punonjës, ndikimi shumëfishohet, duke e bërë çdo vendim për rritje pagash një barrë të drejtpërdrejtë mbi bilancin financiar.
Kjo situatë po përforcohet edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm. Kërkesa nga jashtë ka rënë, kostot logjistike janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa konkurrenca nga vendet e rajonit dhe Azisë mbetet e fortë. Shtete të Azisë ofrojnë kosto më të ulëta të punës, duke i bërë më tërheqëse për porositësit ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, çdo rritje e kostove në Shqipëri e dobëson pozicionin konkurrues të fabrikave vendase.
Eksportet e tekstileve e këpucëve vijojnë të jenë grupi më i madh eksportues në vend me 30% të totalit.
Operatorët e sektorit paralajmërojnë se rritja e shpejtë e pagës minimale, pa politika mbështetëse për industrinë, po nxit më tej mbylljen e fabrikave dhe po zhvendos prodhimit drejt vendeve më të lira. Kompanitë italiane Cofra dhe Cotonela të cilat kanë pasur bazat e prodhimit në vendin tonë janë tërhequr dhe kanë reduktuar kapacitetet, të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e një pjese të prodhimit jashtë vendit.
Rreziku kryesor është humbja e vendeve të punës. Fasoneria punëson dhjetëra mijëra persona, veçanërisht gra dhe punonjës në qytete të vogla, ku alternativat e punësimit janë të kufizuara. Mbyllja e këtyre linjave do të kishte pasoja sociale dhe ekonomike të ndjeshme për komunitetet lokale./ B.Hoxha/monitor.al
Akoma i duan si skllever shqiptaret ? Boll me me justfikime,,puntori fason ne itali merr 1500 euro.
Pasi të mbyllen fasoneritë, mund t'i merrni juve punëtoret në Parajsën tuaj, bashkë me familjet e tyre.N.q.se i quani skllave, edhe mund të jenë, sepse bien preh e keqmenaxhimit dhe nuk kanë kurajo të kundërshtojnë atë që nuk është korrekte.
Me mire te mbyllen sesa te kemi mes nesh skllever, me se shumtit, gra e vajza fatkeqe. Shporruni fasoneri!
Ore ju jeni idiot dmth, komplet. Po nuk i mban njeri me zorr te fasoneria ato grate apo skllever sic i quani ju. Ky quhet tregu i punes, nqs ka alternativa me te mira do ikin te ai vendi me i mire, por kur ska ca do bejne? Do hajne bar si ne kohe te enverit? Apo ndihme sociale 100 euro? Ky shkencatari me lart thote 1500 euro ne itali me fasoni, po prodhimtarine e italianit e di ti qe eshte 2 fish me e lart se e shqiptarit? Se ska as shkollim as edukim ne shqiperi. Jeni bo te gjithe komunista, doni tju vij Enveri prape, te hani bar, edhe te rrini nshpi, te ajo e prinderve kuptohet, se lek me ble skeni ku me i gjet
Le të shkojnë të gjithë në Indi atëhere! Aty do të fitojnë më shumë. Është gjë shumë e mirë sikur shqiptarët të mos pranonin të punonin me më pak se 1 000 euro në muaj. Le të plasin banditët biznesmenë! Asnjë të mos punojë pa 1 000 euro në muaj. Dhe mos votoni më Ramën që sjell punëtorë nga Pakistani dhe Indonezia që pronarët t'i mbajnë pagat sa më të ulëta.
SIPAS KALLARES ME MIRE ME QENE SKLLEVER
Fasoneria është me të vërtetë fitimprurëse, po të zbatohen rregullat e punës. Përveç të tjerave është edhe puna më e lehtë për punëtorët, mund të jenë të punësuar edhe burra.Problemi kryesor si në çdo lloj biznesi tjetër, është keqmenaxhimi i forcës punëtore, i materialeve, dhe në përgjithësi çdo gjë tjetër që lidhet direkt dhe indirekt me aktivitetin.Problemet në fasoneri fillojnë që nga punëtori, i nxitur të bëjë normën, bën shumë gabime që duhen riparuar.Pasi mbaron kontrolli, puna kthehet në shqepje e i nënshtrohet nga e para proçeseve në mënyrë të përsëritur.Në këtë rast ka kosto të lartë, dëmi është i dyfishtë, shpenzim kohor dhe ulje cilësie.Puntorët do qëndrojnë jashtë orarit me pagesë shumë më të lartë se normalja, energji dhe materiale shtesë që investohen për hatër të padijes apo mungesës së menaxhimit korrekt.Veshja del si e përdorur.Kuptohet se gabimi nuk është i punëtorit, sepse punëtori në fasoneri duhet të jetë thjesht robot,nuk duhet të flas sepse puna duhet të jetë e servirur e rregullt. Si në xhdo veprimtari tjetër, nuk gjendet një person përgjegjës që të njohë të gjitha hallkat e zinxhirit të punës në seri.Nuk duan as të bashkëpunojnë për të mirën e të gjithëve, sepse mendojnë se duke sabotuar ose vjedhur në veprimtari, do rrisin fitimet e tyre.Po të shohësh me kujdes, edhe i kanë rritur fitimet e tyre.Përgjegjëse pa njohuri përkatëse,vetëm me përvojën e tyre, sorrollasin biznese të tëra.Xhdo lloj menaxhimi kërkon edhe mëndje, bizneset drejtohen me mëndje. Në të shumtën e rasteve Pronarët nuk e kanë idenë se si zhvillohen ngjarjet. Në.q.se. do pakësoheshin ose do mbylleshin fasoneritë, kjo duhej të bëhej në mënyrë të organizuar, pasi të studiohen tregu dhe çmimet.Po të shohësh, vetëm veshjet,këpucët apo çdo gjë tjetër materiale, në shërbim të njerëzimit, nuk mungon. Se sa cilësore janë dhe se sa i përmbushin kriteret e sigurisë, është një temë tjetër që duhet parë nga personat përgjegjës. Nuk duhet t'a mohojmë se jetojmë në kapitalizëm.Çmimet, pagat, në përgjithësi përcaktohen nga kërkesat e tregut. Kuptohet qartë se po të kishte kërkesë,do rriteshin edhe çmimet e porosive.