Sa dhe si shpenzojmë për ushqime në muaj? – 167 euro për person. “Të fiksuar” me fruta-perime, mish, bulmet, ndryshe nga europianët

26 Qershor 2023, 22:25Ekonomia TEMA

Sa dhe si shpenzojmë për ushqime në muaj? – 167 euro

Ushqimi zë thuajse 40% të buxhetit të një familje shqiptare dhe është i barabartë me rreth 31% të asaj që prodhon ekonomia në një vit. Por, sa kushton dhe çfarë karakteristikash ka shporta ushqimore e një shqiptari sot? Eurostat në të dhënat më të fundit mbi konsumin e familjeve në Europë jep një panoramë të përgjithshme mbi këtë. “Scan Intel” i ka analizuar dhe përpunuar shifrat për t`i dhënë përgjigje pikërisht kësaj pyetje.

Mesatarisht, një shqiptar shpenzon në vit rreth 2002 euro ushqime. Në një muaj kjo shifër përkthehet në rreth 167 euro dhe për familje në rreth 620 euro në muaj. Bazuar në të dhënat më të fundit mbi pagën mesatare në Shqipëri, prej rreth 53 mijë lekësh në muaj neto, atëherë, duhet 1 pagë e plotë dhe një e treta e një page tjetër në familje për të mbuluar shpenzimet mujore për ushqim.

Për të pasur një shportë dhe listë shpenzimesh më të qartë për ushqim të një shqiptari, shifrat e Eurostat po i ilustrojmë në vlera mujore.

Kështu, nga kjo përllogaritje rezulton se zëri me më shumë peshë në shpenzimet e një shqiptari apo familje shqiptare në muaj për ushqim është ai i fruta-perimeve. Për konsumin e këtyre të fundit Shqipëria rezultonte gjithashtu vendi i dytë në Europë për shpenzim në vlerë dhe i pari në Europë për konsum në sasi (shiko këtu). Për fruta-perime një shqiptar shpenzon mesatarisht rreth 64 euro në muaj. Ky shpenzim përfaqëson 38% të totalit të 166.8 eurove që është buxheti personal mujor për ushqim. Pra, më shumë se një e treta e buxhetit për ushqim shkon për fruta-perime. 

Në vend të dytë ndjek mishi, me 19% të totalit, ose rreth 32 euro në muaj. Bulmeti ndjek në vend të tretë, me rreth 16%, ose 27 euro në muaj. Këto tre produkte, pra fruta-perime, mish dhe bulmet përfaqësojnë thuajse ¾-tën e buxhetit tonë mujor për ushqime, sipas të dhënave të Eurostat mbi konsumin. Më pas në renditje ndjek “buka dhe drithërat”, me rreth 14% të totalit, çka do të thotë se 1 në 7 lekë që shpenzojmë për ushqim, në fakt është bukë. Me 5% të buxhetit mujor për ushqim ndjekin “vaji dhe yndyrnat”. Renditjen e mbyll peshku, me vetëm 6 euro për frymë në muaj, ose 3.6% të totalit.

Por ku ndryshon shporta ushqimore mujore e një europiani me atë të një shqiptari? Në vendet e Bashkimit Europian, shpenzimi më i lartë mujor, me 23.2% të totalit është për mishin, dhe në vend të dytë ndjekin fruta-perimet, me 22.8% të totalit. Edhe vendi i tretë dhe i katërt kanë një shkëmbim pozicionesh krahasuar me Shqipërinë, pasi europianët shpenzojnë më shumë për bukë sesa për produkte bulmeti. Për vaj dhe yndryna dedikojnë më pak buxhet se ne dhe po ashtu për peshk, thuajse dyfishin e shqiptarëve. 

Nga shifrat vihet re se tryeza e europianëve është më e larmishme se e shqiptarëve pasi e kanë më të diversifikuar. Nga ana tjetër, diferencat në shpenzim mes një shqiptari dhe një europani për t`u ushqyer nuk janë aspak të mëdha, pasi ndërkohë që një shqiptar shpenzon rreth 2 mijë euro në vit për ushqime, një europian shpenzon rreth 2300 euro.(Roel Korkuti)

5 Komente

  1. B
    Besjan

    I bie qe kemi dy pula,..une i ha te dyja kurse ti asnje, dhe sipas statistikes ne te dy konsumojme dy pula

    Përgjigjjuni
    1. p
      pjeter

      Bravo!! Statistica vari lesht! Duhet justifiku rroga.

      Përgjigjjuni
      1. k
        k

        Po ja kaloni Evropës në kthesë,mos harroni se në çdo familje shqiptare,ka të paktën dy pjestarë që kanë ndërhyrje në enët e gjakut ose zemër.

        Përgjigjjuni
      2. A
        Arzt

        Pra me pak fjale shqiptaret punojne thjesht per te ngrene. Pra jetojne ne pragun e mbijeteses

        Përgjigjjuni
        1. d
          dyshuesi

          Budallalleqe pa fund . Statistika per te justifikuar rrogen nga ana e atyre qe i bejne. Perpiqen me ngulm te thone se jemi kaq keq sa s'ka. Perpiqen te thone se jemi vendi me i varfer ne Europe . Se kur kemi qene ne histori ndryshe nga ç'jemi kete nuk e di kush. Une di te them se Shqiperia per nga ana e konsumit ushqimor nuk ka qene ndonjehere me mire se kaq. Se ç'do te thote fukarallek dhe mungese ushqimore kete ta thone ata qe kane jetuar fundin e sistemit te kaluar. Nese konsumojme me shume perime se sa mish kjo ka te beje me djeten tone mesdhetare dhe nuk eshte shenje e fukarallekut.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje