Shqipëria po ndërmerr hapa vendimtarë në fushën e Inteligjencës Artificiale (AI), duke u pozicionuar në tryezat e vendimmarrjes globale dhe evropiane.
Për zhvillimet e fundit në këtë fushë, Albanian Post bisedoi me Dr. Ermir Hajdini, këshilltar ligjor dhe lektor universitar, i cili deklaroi se “përparimet në AI kanë implikime të mëdha gjeopolitike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë, administratën dhe shoqërinë tonë”.
Në një event të organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje për ngritjen e një programi kombëtar trajnimi, që synon të rrisë kapacitetet e administratës në përdorimin e AI-t.
Për herë të parë, vendi po ndërton një “Government AI Campus” për të edukuar qindra profesionistë dhe drejtues të lartë, duke i pajisur ata me aftësitë për të përdorur teknologjinë në funksion të shërbimit publik.
Hajdini shpjegon më tej për AP-në se brezi i ri i nëpunësve publikë, i formuar përmes këtij programi, përfaqëson “një brez reformatorësh digjitalë që do të ndryshojnë mënyrën se si realizohet shërbimi publik në Shqipëri”.
Ai shton se ky është një kalim nga një administratë që reagon, drejt një administrate që parashikon, udhëheq dhe krijon zgjidhje të zgjuara dhe të besueshme për qytetarët.
Një tjetër zhvillim strategjik është pranimi i Shqipërisë në “EuroHPC Joint Undertaking”, një iniciativë e Bashkimit Evropian për superkompjuterët dhe teknologjitë e avancuara.
“Anëtarësimi në EuroHPC është më shumë se një arritje teknike; është një angazhim për të ardhmen”, sqaron Hajdini. “Shqipëria jo vetëm po integrohet digjitalisht me Evropën, por po ndihmon gjithashtu në formësimin e së ardhmes së saj”.
Ky status i ri u miratua në qershor të këtij viti, duke e bërë vendin anëtarin e 36-të me të drejta të plota, dhe i jep Shqipërisë akses në platformat më të avancuara të BE-së për AI-n, simulime shkencore dhe ndërtimin e teknologjive të gjeneratës tjetër.
Përmes EuroHPC-së, Shqipëria mund të marrë pjesë në projekte kërkimore me impakt të lartë dhe të ndërtojë qendra të veta për AI dhe superkompjuterë, duke nxitur zhvillimin e një ekosistemi inovativ.
Hajdini vë në dukje gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga Western Balkans Investment Framework (WBIF) për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Kompjuterëve me Performancë të Lartë (HPC), e cila do të shërbejë akademisë, institucioneve publike dhe bizneseve të vogla, të mesme dhe startup-eve.
Ky investim ka potencialin të fuqizojë kërkimin shkencor dhe aplikimet praktike të AI-t, duke përfshirë mjekësinë, klimën dhe qeverisjen elektronike.
Sipas Hajdinit, hapat e Shqipërisë “janë dëshmi e angazhimit për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përfituar nga investimet strategjike. Integrimi i AI-t në ekonominë shqiptare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të rritur konkurrueshmërinë, për të krijuar vende të reja pune dhe për të pozicionuar vendin si qendër inovacioni në rajon”, ravijëzon ai.
brravo inteligjencen artificiale e kemi kap mir, po inteligjenca origjinale ne ket vend ku ka avullu?
Asllan
ne jemi budalla krejt