Shqipëria arrin pikun e konsumit të energjisë, dita më e nxehtë tejkalon rekordin e dimrit

22 Gusht 2025, 15:42Ekonomia TEMA
Shqipëria arrin pikun e konsumit të energjisë, dita më e

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi rritje të konsumit të energjisë gjatë sezonit turistik veror, duke treguar një trend të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik në vend.

Nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të Energjisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi se krahasuar me vitin 2024, konsumi i energjisë elektrike është rritur me 2.2%, ndërsa krahasuar me vitin 2023, rritja arrin 10.3%.

Në krahasim me vitin 2019, para pandemisë dhe krizës energjetike, konsumi mujor i qershorit dhe korrikut 2025 është rritur përkatësisht me 21.5% dhe 30.7%, një rritje që përkthehet në mbi 217 mijë MWh vetëm për këto dy muaj.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është dita më e konsumuar e vitit, e cila nuk është më në muajt e dimrit, por më 13 gusht 2025, me 27 mijë e 995 MWh, duke kaluar rekordin e vitit të kaluar në 31 dhjetor. Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 është 20 mijë e 856 MWh, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të kërkesës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Balluku theksoi se furnizimi me energji elektrike ka vijuar të jetë i pandërprerë, edhe në zonat më të ndikuara nga turizmi, pavarësisht kërkesës historike dhe situatave të rrezikshme si zjarret që kërcënuan infrastrukturën.

Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë punuar pa pushim për të mbrojtur rrjetin dhe për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, duke garantuar furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve.

Një tjetër zhvillim pozitiv është ulja e humbjeve teknike në rrjet, e cila është 1.45% ose 21 mijë e 699 MWh, duke sjellë kursime financiare rreth 7 milionë euro dhe duke përmirësuar performancën e operatorëve të sistemit energjetik. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në uljen e mëtejshme të çmimeve të energjisë për abonentët familjarë.


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton po vijon të ndërmarrë nisma për forcimin e kapaciteteve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë, si dhe për rritjen e eficiencës në konsum.

Qëllimi është jo vetëm përballimi i kërkesës në rritje, por edhe mundësimi i aksesit në tregun rajonal dhe mbrojtja e konsumatorëve, mjedisit dhe ekonomisë nga luhatjet e mundshme ndërkombëtare.

Sezoni turistik shtrihet përtej muajit gusht, dhe autoritetet energjetike do të vijojnë punën për të ofruar një shërbim energjetik të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë qytetarët.

Lini një Përgjigje