Tender 1.1 milionë euro për urën e Milotit

21 Gusht 2025, 17:42Ekonomia TEMA
Tender 1.1 milionë euro për urën e Milotit

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të bëjë një ndërhyrje emergjente për përforcimin e themeleve të Urës së Milotit, përmes një tenderi me fond limit prej 107 milionë lekësh [1.1 milionë euro].

Sipas ARRSH, projekti është hartuar në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe synon që të rrisë sigurinë dhe të mundësojë rihapjen e urës për qarkullimin e automjeteve deri në 3.5 ton.

“Për këtë sugjerojmë se Urës, si masë emergjente, duhet t’i bëhen punimet sipas përshkrimeve të mëposhtme, për të siguruar një jetëgjatësi të saj me kufizimin e ngarkesave, siç ajo është sot, për një periudhë deri në (5÷10) vjet,” thuhet në dokumentet e tenderit.

Ndër problematikat kryesore të vërejtura është problemi i themeleve, të cilat pothuaj kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të gërryerjes së përgjithshme të shtratit të lumit. 

“Vazhdimi i marrjes së zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar në lumë është shkaku kryesor i kësaj situate, fenomen që shfaqet edhe në urat e ndërtuara së fundmi mbi këtë lumë,” theksohet në dokument.

Ura e Milotit mbi lumin Mat, me një gjatësi prej 788 metrash, u mbyll gjatë muajit korrik pasi paraqet rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e dëmtimeve në themelet mbështetëse, erozionit të theksuar në bazament dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor. 

Mbyllja u urës në pikun e sezonit turistik veror solli reagime të shumta, pasi shkaktoi kaos në qarkullimin e automjeteve drejt Lezhës dhe Shkodrës si dhe trafik të rënduar për orë të tëra.

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon që përmes këtij tenderi të bëhet pastrimi i zonës përrreth pilotave dhe nivelimi i shtratit; betonimi i pilotave si dhe përforcimi dhe mbrojtja e themeleve të urës.

2 Komente

  1. k
    kreu

    Mora vesh se kishin biseduar edhe kryetari i njeise bashkiake Milot me ate te Zejmenit dhe kishin rene dakort qe nga viti 2050 te riparonin uren e prishur te Milotit. Po cfare jane keto lajme, u hartua projeti, u be oponenca, u miratua projekti, e dokrra te tilla. Qytetaret duhet te dine kur kjo ure do te jete perseri funksionale, se eshte bere ferr trafiku Milot-Lezhe.

    Përgjigjjuni
    1. D
      Doda

      Kembet e ures rregullohen ne vere dhe jo ne dimer

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje