Për më shumë se shtatëmbëdhjetë vjet, identiteti i vërtetë i njeriut, ose grupit, që krijoi Bitcoin-in mbetet një nga misteret më të mëdha të epokës digjitale. Emri “Satoshi Nakamoto”, pseudonimi i autorit të “white paper”-it të Bitcoin-it dhe i zhvilluesit që lançoi rrjetin në vitin 2009, është kthyer prej kohësh në një figurë pothuajse mitologjike në botën e teknologjisë dhe financës.
Tani, një investigim i ri i publikuar nga The New York Times pretendon se mund të ketë zgjidhur këtë enigmë. Pas një hetimi që zgjati rreth tetëmbëdhjetë muaj, gazetari investigativ John Carreyrou, i njohur për ekspozimin e skandalit Theranos, ka arritur në përfundimin se personi më i mundshëm pas pseudonimit “Satoshi Nakamoto” është Adam Back, një kriptograf britanik dhe një nga figurat më të respektuara të lëvizjes së hershme cypherpunk.
Back nuk është një emër i panjohur në botën e kriptografisë. Në fund të viteve ’90, ai krijoi Hashcash, një sistem “proof-of-work” që përdorej fillimisht për të luftuar spam-in në email dhe që më vonë do të bëhej një nga bazat teknike mbi të cilat ndërtohet edhe vetë Bitcoin. “White paper”-i origjinal i Bitcoin-it e citon drejtpërdrejt këtë punë, gjë që për shumë kohë ka bërë që Back të konsiderohej një nga kandidatët më seriozë për të qenë vetë Nakamoto.
Sipas investigimit të The New York Times, prova nuk mbështetet në një element të vetëm, por në një kombinim faktorësh: analiza të stilit të të shkruarit, ngjashmëri gjuhësore mes komunikimeve të Back dhe postimeve të Nakamoto-s, përputhje kohore në aktivitetin e tyre online, si dhe ekspertiza teknike dhe filozofia ideologjike që përkojnë ngushtësisht me vizionin mbi të cilin u ndërtua Bitcoin. Artikulli argumenton se Back kishte jo vetëm njohuritë teknike për të krijuar një sistem të tillë, por edhe bindjet ideologjike për ta konceptuar atë si një formë të decentralizuar të lirisë financiare.
Megjithatë, vetë Adam Back i ka mohuar kategorikisht pretendimet. Në reagimin e tij publik pas publikimit të artikullit, ai deklaroi: “Nuk jam Satoshi.”
Back argumenton se ngjashmëritë e evidentuara nga hetimi janë rezultat i faktit se shumë anëtarë të komunitetit cypherpunk të asaj kohe ndanin të njëjtat interesa, të njëjtën terminologji dhe shpesh edhe një stil të ngjashëm komunikimi. Ai ka shtuar se anonimati i Nakamoto-s ka qenë dhe mbetet i dobishëm për vetë Bitcoin-in, sepse e ndihmon atë të ekzistojë si një sistem pa figurë qendrore dhe pa “krijues” të identifikueshëm.
Në komunitetin e kriptomonedhave, shumë ekspertë argumentojnë se identiteti i Satoshi Nakamoto nuk mund të konsiderohet i vërtetuar derisa dikush të japë provë kriptografike, për shembull duke lëvizur Bitcoin-et origjinale të lidhura me wallet-et e hershme të Satoshi-t, ose duke nënshkruar një mesazh me çelësat privatë të tyre. Deri tani, asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Investigimin e NYT e gjeni këtu: https://www.nytimes.com/2026/04/08/business/bitcoin-satoshi-nakamoto-identity-adam-back.html
Lini një Përgjigje