Paditet Instagrami dhe Facebook, akuzohen se dëmtojnë shëndetin mendor te të rinjtë

24 Tetor 2023, 21:20Hi-Tech TEMA
Paditet Instagrami dhe Facebook, akuzohen se dëmtojnë shëndetin

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, është akuzuar se ka mashtruar publikun në lidhje me rreziqet e përdorimit të mediave sociale duke kontribuar kështu në një krizë të shëndetit mendor tek të rinjtë.

Pretendimet u bënë në një padi federale, e cila u njoftua nga dhjetëra shtete amerikane.

Ata thanë se kompania përdori veçori të varësisë për të bërë që përdoruesit “të bien në grackë”, duke fshehur “rreziqet thelbësore” të platformave të saj.

Në padi thuhej se Meta kishte thyer ligjet për mbrojtjen e konsumatorëve duke u përfshirë në sjellje “mashtruese”.

Gjithashtu thuhej se kompania mblodhi të dhëna për fëmijët nën moshën 13-vjeçare, duke shkelur detyrimet e saj sipas Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në internet të Fëmijëve.

“Kompanitë e mediave sociale, përfshirë Meta, kanë kontribuar në një krizë kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi,”-tha Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, një nga 33 prokurorët e përgjithshëm që nënshkruan padinë.

Nëntë shtete të tjera gjithashtu bënë pretendime të ngjashme në paditë e tyre.

Nuk ka munguar as reagimi i Metës, një zëdhënës i saj tha:

“Ne ndajmë angazhimin e prokurorëve të përgjithshëm për t’u ofruar adoleshentëve përvoja të sigurta dhe pozitive në internet dhe kemi prezantuar tashmë mbi 30 mjete për të mbështetur adoleshentët dhe familjet e tyre.

Ne jemi të zhgënjyer që në vend që të punojmë në mënyrë produktive i për të krijuar standarde të qarta, të përshtatshme për moshën për shumë aplikacione që përdorin adoleshentët, prokurorët e përgjithshëm kanë zgjedhur këtë rrugë.”

Meta dhe kompanitë e tjera të mediave sociale, tashmë po përballen me qindra padi në SHBA të ngritura nga familje, të rinj dhe rrethe shkollore për ndikimin në shëndetin mendor.

Ky shënon aksionin më të madh deri më sot.

Ai pason një hetim në praktikat e kompanisë në vitin 2021 nga disa prokurorë të shtetit, pasi një sinjalizues, Frances Haugen, dëshmoi në SHBA se kompania e dinte që produktet e saj mund të dëmtonin fëmijët.

Shtetet po kërkojnë dëmshpërblime financiare dhe ndalimin e praktikave të dëmshme.

Një pjesë e madhe e padisë janë redaktuar nga publiku. Por në mënyrë specifike emërton veçori të tilla si pëlqimet, sinjalizimet dhe filtrat që thotë se janë “të njohura për të nxitur dismorfinë trupore të përdoruesve të rinj”. Dismorfia e trupit e bën një person të kalojë shumë kohë duke u shqetësuar për të metat në pamjen e tij dhe shpesh këto të meta të perceptuara janë të pavërejshme për të tjerët.

“Zgjedhjet dhe praktikat e dizajnit të Metës përfitojnë dhe kontribuojnë në ndjeshmërinë e përdoruesve të rinj ndaj varësisë”, thuhet në padi.

Lini një Përgjigje