Si po rrezikohet të nxënit nga ekranet dixhitale

21 Gusht 2023, 18:40Hi-Tech TEMA
Si po rrezikohet të nxënit nga ekranet dixhitale

Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta

Tashmë dimë që automatizimi dhe inteligjenca artificiale (IA) ndikojë thellësisht në ndryshimin e kompetencave që kërkohen në tregun e punës, në shoqëri dhe arsim. Këto ndryshime vijnë nga rritja e përdorimit të teknologjisë për të kryer detyrat rutinë dhe përdorur të dhëna në mënyrë të sofistikuar. Vetëm në 50 vitet e fundit, kompetencat e nevojshme në disa profesione kanë ndryshuar thelbësisht. Sipas Departamentit të Punës së SHBA-së, në të kaluarën, minatorët e qymyrit u përdorën për të kryer detyra të rënda fizike që kërkonin kompetenca motorike të spikatura dhe forcë fizike. Ata, sot, gjithnjë e më shumë përdorin makina që bëjnë punët e rënda dhe të rrezikshme, për çka u duhen kompetenca më të ndërlikuara për të monitoruar pajisje dhe zgjidhur probleme. Infermierëve, në vitin 1957, u kërkohej të administronin ilaçe, të monitoronin pacientët duke matur pulsin dhe temperaturën. Sot, ata ende administrojnë ilaçe për pacientët, por ndihmojnë në kryerjen e testeve diagnostikuese dhe mund të analizojnë rezultatet - duke përdorur kompetenca dhe duke kryer role që ishin më të zakonshme për mjekët gjysmë shekulli më parë.

Për të studiuar dinamikat e zhvillimit, në vitin 2018, Instituti Global McKinsey publikon një studim për zhvendosjen e kompetencave të punës si pasojë e automatizimit dhe IA-së. Sipas tij, gjatë 15 viteve të fundit, automatizimi do të ndryshojë kompetencat e punonjësve. Rritja më e fortë do të jetë për kompetencën teknologjike e cila do të rritet me 55 % dhe deri në vitin 2030 do të përfaqësojë 17 % të orëve të punës, nga 11 % në vitin 2016. Kjo do të ndikojë në kërkesën për kompetencat dixhitale si programimi apo përpunimi i të dhënave, p.sh. Kërkesa për kompetenca sociale dhe emocionale si udhëheqja dhe administrimi i të tjerëve do të rritet me 24 % në çerekun e vendeve të punës.

Ndryshimi i kompetencave për punë prek fort edhe shkollat. Madje, jo vetëm dijet që ato ofrojnë, por dhe mënyrën se si ato shndërrohen në njohuri dhe kompetenca të nxënësve. Shenja të këtij zhvillmi i shohim edhe në vendin tonë. Një projekt i promovuar nga Bashkia e Tiranës do ta shndërrojë piramidën në një qendër me shumë funksione me fokus arsimimin digjital, kulturën TIK dhe në shërbim të artit, kulturës, kurseve profesionale etj. Projektit i kanë prirë prej vitesh laboratorët e informatikës, pajisjet digjitale si kompjuter, tableta, tabela inteligjente për të ndihmuar mësimin dhe nxënësit për formimin e kompetencës digjitale.

Në anën tjetër, edhe pse burimet dixhitale janë mjete të fuqishme që i ndihmojnë edukatorët të japin mësim dhe nxënësit ta ndjekin atë, ata mbartin rrezikun. Studimet argumentojnë se të besosh që po i ndihmon nxënësit të mësojnë nëpërmjet lundrimit në internet apo duke ndjekur emisionet e RTSH-së për shkollën, është njësoj sikur të besosh që toka është e rrafshët. Për të interesuarit, kujtojmë se ndërtimi dhe përdorimi i gjërave fizike nuk është i njëjtë me ndërtimin e dhe përdorimin e strukturave mendore – të koncepteve shkencore, më së pari. Këto dy procese nuk ngjajnë aspak me njëri-tjetrin. Në kontekstin mësimor, me rëndësi është ajo që ndodh midis tyre. Psikologë dhe edukatorë të shquar (Dewey, Piaget, Von Glasersfeld, Papert) kanë theksuar që për nxënësit është relativisht e lehtë të ndërtojnë strukturat intelektuale për disa koncepte, kur kultura rreth tyre është e mbushur me “lëndët e para” të nevojshme. Koncepte të tjera, megjithatë, janë shumë më të vështira të “ndërtohen” për shkak të varfërisë relative të kulturës për këto “lëndë”.

Duke e lidhur këtë me përdorimin e TIK-ut, fëmijët dhe të rinjtë mund t’i ndërtojnë strukturat intelektuale, vetëm kur “lënda e parë” - që është përvoja e tyre - të jetë e arritshme në kontekstin e tyre të përditshëm. Që këto përvoja të përdoren për të ndërtuar struktura intelektuale, rreth tyre duhet të bisedohet dhe të formohen ide. Përdorimi i gjërave fizike (kompjuteri apo smartfoni, të themi), për të mbështetur ndërtimin e strukturave intelektuale, kërkon përqendrim tek idetë, jo te gjërat. Për qëllimet arsimore, gjërat e ndërtuara nuk kanë rëndësi në vetvete: roli i tyre është të bëjnë të mendosh. Pranimi i kësaj ideje është përgjigje e pyetjes: Fokusi edukativ i teknologjisë është të nxënit nëpërmjet krijimit të gjërave, apo nxënia përmes punës me idetë që u japin kuptim këtyre gjërave?

Një ilustrim. S. Papert-i ishte matematikan, shkencëtar dhe edukator, një nga pionierët e inteligjencës artificiale dhe i lëvizjes me në qendër nxënësin i cili, për të ndërtuar njohuri te reja, duhet të përdorë atë që di tashmë. Ai u përkushtua që nxënësit të zhvillojnë vetë përvoja rreth koncepteve të fuqishme, së pari, nga matematika e më vonë nga shkenca. Në vitet ‘70 ai me kolegët zhvilluan programe kompjuterike (p. sh. , LOGO) për t’u dhënë fëmijëve përvojën e modelimit matematik, ndërsa projektuan lojëra, kompozuan muzikë dhe prodhuan filma (d.m.th., produktet për të cilët fëmijët ishin të interesuar dhe i kuptonin). Megjithatë, qëllimi ishte përvetësimi i kuptimeve matematike, jo nxënia në përgjithësi. Qëllimi i Papert-it ishte të siguronte kontekstet që mund të nxisin përvetësimin e koncepteve të vështira për t’u ndërtuar nga “lëndët e para” të gatshme për fëmijët dhe të rinjtë. Në kontekstin e TIK-ut, fokusi duhet të jetë jo te gjërat që subjektet prodhojnë ose nxënë individualisht, por nxitja e aftësisë së tyre për të menduar, në vend që të kujtojnë; për të punuar bashkë me "idetë e fuqishme" shkencore, përmirësimi i ideve kolektive dhe ndarja e ideve të përmirësuara për zhvillimin e mëtejshëm për të mirën kolektive.

Nëse TIK-u dhe specialistët tanë të arsimit pretendojnë "të përmirësojnë të nxënit", por do të heshtin për ÇFARË dhe SI duhet të nxënë nxënësit, që ata të dinë, të dinë të bëjnë si duhet dhe të shpjegojnë përse e bëjnë ashtu, atëherë rasti ka gjasa të dështojë. Përpjekjet për ta institucionalizuar teknologjinë dixhitale përmes shkollave dhe / ose programeve pas shkollës etj., mund të venitin aftësinë krijuese, novatorizmin dhe frymën sipërmarrëse, shenjë dalluese këto të “revolucionarit”. Kësisoj, ne mund të presim që TIK-u shkollor t’u bashkohet ideve të tjera “shndërruese” (p.sh., të nxënit përmes internetit; BYOD; mjediset mësimore novatore etj.) që pretenduan të “shthurin tradicionalen”, por që humbën, u margjinalizuan ose u asimiluan. Nuk duhet harruar se ideja që teknologjia mund të bëjë gjithçka, është edhe kurth. I tillë do të jetë dhe mbivlerësimi i mësimit virtual nga ekranet dixhitale apo ato televizive.

Ka mjaft burime të pashfrytëzuara ose pak të përdorura, përmes të cilëve mund të restaurojmë jo vetëm shërbime thelbësore arsimore, por edhe aspiratat që nxënësit i edukojnë, i nxitin dhe i argëtojnë. Thjesht, t’u qëndrojnë besnikë parimeve dhe të përkrahim risitë, duke kuptuar vlerat, por dhe rreziqet. Kështu, jo vetëm fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin të ardhmen e premtuar, por të gjithë aktorët të lozin rolet e tyre në arritjen e saj.

8 Komente

  1. S
    Sa gjera te bukura te paimagjinuara !

    Shpjegim i qarte dhe u bukur ! Nxensesit , Aktore, do me thne ne te ardhen Dixhitali mund te beje dhe Operacine me te avancuara te sukeseshme ne Mekesi.. Dhe nuk do te kete magesi ne Operacionet qe bejne Mjeket !

    1. S
      Sa gjera te bukura te paimagjinuara !

      Shpjegim i qarte dhe u bukur ! Nxensesit , Aktore, do me thne ne te ardhen Dixhitali mund te beje dhe Operacine me te avancuara te sukeseshme ne Mekesi.. Dhe nuk do te kete magesi ne Operacionet qe bejne Mjeket !

      1. S
        Sa gjera te bukura te paimagjinuara !

        Shpjegim i qarte dhe u bukur ! Nxensesit , Aktore, do me thne ne te ardhen Dixhitali mund te beje dhe Operacine me te avancuara te sukeseshme ne Mekesi.. Dhe nuk do te kete magesi ne Operacionet qe bejne Mjeket !

        Lini një Përgjigje