Asgjësohen 302 bimë kanabisi dhe sekuestrohen 121 kg në proces tharjeje në Himarë, shpallen në kërkim dy persona

27 Shtator 2025, 15:32Kronika TEMA
Asgjësohen 302 bimë kanabisi dhe sekuestrohen 121 kg në proces

Policia e Vlorës ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një zonë malore midis fshatrave Shën Vasil dhe Lukovë, ku u asgjësuan 302 bimë të dyshuara kanabis dhe u sekuestruan 121 kilogramë bimë narkotike në proces tharjeje.

Dy persona janë shpallur në kërkim pas operacionit antidrogë në Himarë. Ata janë identifikuar si Romeo Bezhani dhe Argjend Nanaj.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, bazuar edhe në informacionet e siguruara, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit duke përdorur edhe dronë, shërbimet e Policisë, midis fshatrave Shën Vasil dhe Lukovë, në një zonë malore të thepisur, zbuluan 3 parcela ku ishin kultivuar 302 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan.

Në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin e autorëve të këtij rasti kultivimi, u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e shtetasve:

R. B., 41 vjeç, banues në Lukovë;

A. N., 30 vjeç, banues në Delvinë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një sasi bimësh narkotike në proces tharjeje me peshë 121 kg.

Vijon puna për lokalizimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të dy autorëve të dyshuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje