
Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni “Flakë në Det”. Dyshohet se nga Laguna e Patokut të jetë nisur mbi një ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Ndërkohë, në sallën e gjyqit për caktimin e masave të sigurimit për 6 të arrestuarit, prokurori i çështjes Vladimir Mara ka pretenduar se hashashi do të shkëmbehej më të njëjtën vlerë parash me heroinë dhe kokainë.
Hetuesit kanë dyshime se veliera e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det, të jetë nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal të Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë do të bëhej shkëmbimi i drogës.
Katër shqiptarët e arrestuar dhe dy ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë. Ata kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë çështje.
Gjatë operacionit, policia dhe SPAK sekuestruan dy pistoleta, fishekë, rreth 50 mijë euro dhe 23 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.
Lini një Përgjigje