Prokuroria e Tiranës kërkon arrest me burg për Dritan Nanon, i arrestuar si organizator i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi tre ditë më parë, ende në koma në spital, si dhe për dhëndrin e tij Dorian Alia, i cili ishte një nga dhunuesit.
3 agresorët e tjerë Elton Kasaj, Drivald Alia, Romario Tabaku, janë ende në kërkim.
Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.
58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit.
Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës.
Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Lini një Përgjigje