VIDEO/ Droni e kapi “mat” teksa kultivonte lëndë narkotike, arrestohet 37-vjeçari në Durrës

9 Korrik 2025, 11:27Kronika TEMA
VIDEO/ Droni e kapi “mat” teksa kultivonte lëndë

Një 37-vjeçar i identifikuar si Arjan Gjozi është arrestuar nga Policia pasi kultivoi 150 bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gjuricaj. 

Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Gjozi rezulton i dënuar për trafik droge në Greqi, por është liruar në vitin 2012.

"Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës,  në vijim të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike,  si rezultat i kontrollit të territorit, me dron, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacion policor të koduar “Gjuricaj”.  

Gjatë operacionit, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gjuricaj, shërbimet e Policisë konstatuan 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasin A. Gj., i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.  Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Gj., 37 vjeç, banues në fshatin Gjuricaj, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies", njofton policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.  

Lini një Përgjigje