Goditet grupi kriminal nga Kosova, trafikonte armë e eksploziv në Shqipëri! Arrestohen 3 persona, 2 në kërkim

5 Shkurt 2024, 11:14Kronika TEMA
Goditet grupi kriminal nga Kosova, trafikonte armë e eksploziv në

Tre të rinj nga Kosova, që dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të trafikut të armëve janë arrestuar në Shqipëri pasi janë kapur me lëndë plasëse.

Të arrestuarit janë Rigon Maliqi 20-vjeç, Lion Pira, 25-vjeç dhe Shkëlqim Halabaku 27-vjeç, të tre banues në Gjilan, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë nga Kosova.

Deklarata e policisë:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan.

Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg. Kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar edhe 3 celularë dhe 1 automjet.

Më parë, në kuadër të këtij procedimi janë zhvilluar 2 operacione, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoleta, së bashku me krehra dhe municione luftarake, të cilat janë trafikuar nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje