Kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi ngjarja ditën e diel në Vlorë kanë fiksuar një person me kapele, shall dhe maskë, i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes ku mbeti i vrarë Renato Hoxhaj.
Një ditë më parë, burime bënë me dije se lidhur me këtë ngjarje është ndaluar një person që dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet me makinë. Burimet gjithashtu thonë se personi në fjalë, i cili është ndaluar në Tiranë, nuk është nga qyteti i Vlorës. Dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu ka dyshime se porosia për ekzekutimin e 58-vjeçarit të ketë ardhur nga jashtë vendit. Renato Hoxhaj mund të ketë qenë pjesë e grupeve kriminale në Vlorë, ose mund të ketë pasur informacion për ndonjë ngjarje kriminale.
Renato Hoxhaj u gjet i pajetë mëngjesin e 27 Prillit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij. Ai u ekzekutua me katër plumba, dy në kokë dhe dy të tjerë në trup. 58-vjeçari punonte si roje në një objekt ndërtimi pranë shtëpisë së tij, punë të cilën e kishte lënë para një viti.
Policia ka marrë në pyetje 5 persona, mes tyre edhe bashkëjetuesen e tij. Ajo tha për mediat se 58-vjeçari nuk kishte shprehur shqetësime për konflikte të mundshme por ditët e fundit qëndronte i heshtur.
Klodiana Rakipaj ka dëshmuar para grupit hetimor se kishte dëgjuar disa të shtëna, por kishte menduar se janë fishekzjarre.
Lini një Përgjigje