Sulmi ndaj sistemit TIMS, Çuçi: Po marrin masat e nevojshme për të mos pasur më ndërprerje

11 Shtator 2022, 11:29Kronika TEMA

Sulmi ndaj sistemit TIMS, Çuçi: Po marrin masat e nevojshme

Ekspertët e IT-së në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët amerikanë kanë rikthyer në funksion të plotë sistemin TIMS në Aeroportin e Rinasit, pas sulmit kibernetik. Është ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ai që jep lajmin se sistemi i të dhënave është kthyer edhe në 5 pika të tjera kufitare, Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.


“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt.

Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë”.

Çuçi njofton se po vijohet puna për rikthimin e sistemit në pikat e tjera të kalimit kufitar.

“Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të  Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa.

Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”.

Kujtojmë se në pikat kufitare ku nuk po funksionon TIMS, vijon puna manualisht, pra hyrje-daljet shënohen në një regjistër. Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave ra të premten pre e një sulmi kibernetik.

Lini një Përgjigje