Iu arratis “nga duart” i arrestuari në Elbasan, AMP pezullon 3 punonjës policie

16 Qershor 2025, 15:02Kronika TEMA
Iu arratis “nga duart” i arrestuari në Elbasan, AMP pezullon 3

Tre efektivë policie në Elbasan janë pezulluar nga detyra pas arratisjes së një të ndaluari nga Komisariati i qytetit.

Pezullimi është bërë me urdhër të Prokurorisë pas hetimeve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për ngjarjen e ndodhur më datë 3 qershor, kur shtetasi me iniciale B. Z., i ndaluar si person i dyshuar për një vepër penale, është arratisur nga ambientet e komisariatit.

“Është caktuar masa e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për "Shpërdorim i detyrës", e konkretisht; - Nënkomisar A. ZH., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan; - ⁠Inspektor P. B., 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan; - ⁠Inspektor J. GJ., 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan”, njofton AMP.

Sipas hetimeve paraprake, tre efektivët dyshohet se, me mosveprim dhe në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, nuk kanë marrë masat e nevojshme për sigurimin e personit të ndaluar, duke i krijuar atij mundësinë të largohej.

Ndaj tyre rëndon akuza për “Shpërdorim detyre”, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

 

Lini një Përgjigje