Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ku ai ka rrëfyer me detaje se si përmes rrjeteve të informatorëve dhe teknologjisë shtetërore, kishte ndërtuar një skemë monitorimi për rivalët e tij në botën e krimit.
Në seancën e fundit, Alibej deklaroi se Ardian Çollaku ishte burimi i tij më i besuar dhe përmes tij kishte mësuar për herë të parë se kush ishte Dashnor Dumani. “Ai më tregoi që vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala”, tha Alibej.
Më tej, ai shtoi se kishte pasur akses në sistemin TIMS dhe e përdorte për të kontrolluar hyrje-daljet e personave që konsideronte të rrezikshëm për jetën e tij.
“Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve — nga Çopjat te Qosja, tek Dumani”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte filluar të humbte besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.
“Unë po kërkoja ekzekutorët e familjarëve të mi. Kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin dhe i kam vënë në dispozicion drejtësisë çdo informacion”, tha Alibej, duke nënvizuar se që pas vetëdorëzimit, personi i parë që kishte informuar ishte drejtuesi i prokurorisë Leonard Palushi.
Në paraburgim, prokurori Ridvan Suka, i cili po hetonte vrasjet e familjarëve të tij dhe çështjen e Xhoni Rustës ishte takuar me të. “I tregova gjithçka që dija, nuk doja luftë, sepse pas meje ishin shumë familje që shikonin vetëm mua”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje