“Landi ka punuar tërë jetën me vinç”, flasin fqinjët e viktimave të shpërthimit: Atë e bir, s’ka më keq!

2 Mars 2024, 17:50Kronika TEMA
“Landi ka punuar tërë jetën me vinç”, flasin

Roland dhe Elidon Hoxha, babë e bir ndërruan jetë tragjikisht pasditen e së Premtes prej shpërthimit në Lushnje. Ata po punonin të dy me vinçin brenda kantierit të ndërtimit ku ndodhi ngjarja.

Rolandi vdiq që në momentet e para të shpërthimit masiv, e ndërsa i biri nuk ia doli të mbijetojë rrugës për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mësohet se të dy kishin pasur djegie të rënda në trup.

Fqinjët e tyre ashtu si çdokush që mësoi lajmin e keq, ndihen të trishtuar. Ata i përshkruajnë si djem të jashtëzakonshëm e punëtorë.

“E mësuam nga televizori. Ai tërë jetën me vinç ka punuar. Familjarë, hallet e tyre shikonin. Ai s’ka shkuar fare në emigrim, këtu ka punuar. Unë e kam pasur shok, e njoh”, u shpreh njëri prej tyre.

Njëri nga fqinjët tha se Rolandi ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë të tjerë.

“Pamë atje të shkruar, po mbiemrin e thoshte Verçani, të ardhur nga Gramshi. Kur e tha pastaj Hoxha, jemi habitur. Jashtë mase e rëndë! Babai ka qenë i përsorur, me makina, punë të ndryshme. Jetonte këtu, ishte punëtor. Landi ka vite që punon me vinç, nga 2000 e këtej. Ka lënë një gocë tani dhe një djalë, dhe bashkëshortja.”

“Mos e pyet! S’ka më keq! Shpërthimi si tritol”, ishin fjalët e vetme që tha një banor i fshatit.

Ndërkohë një i moshuar flet me zërin që i dridhet për humbjen tragjike.

“Ka qenë familje e shkëlqyer. Burrë e grua dhe 3 fëmijët. Djalin e mbante me vete, të dy djemtë. Ka qenë në Itali, ka ardhur, i punësoi të dy. S’kam fjalë të flas. Kishte shumë vite që punonte me vinç. Punonte me makinën, hekurat. Me këto merrej Landi. Unë qëllova faktikisht në Lushnje, dëgjova një bombë. Vajta te spitali, nuk kam fjalë të flas. Shumë e dhimbshme për gjithë fshatin. Gjynah! Atë e bir, s’ka më keq!”

Lini një Përgjigje