Nga vrasja e Klodian Rashës te çështja e pushuar e Enea Ftoit, kur qytetarët i ngelin në "dorë policisë"

5 Maj 2022, 14:58Kronika Erion Abule

Nga vrasja e Klodian Rashës te çështja e pushuar e Enea Ftoit,

Mungesa e zbatimit të rregullores dhe respektimit të ligjit në komisariate, por edhe në ambiente të jashtme, jo pak herë ka shkaktuar akuza dhe revolta ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ngjarja e fundit, ku 31-vjeçari Ilvi Meta është vetëvrarë në ambientet e komisariatit të Kavajës me lidhësen e kapuçit të bluzës, lë jo pak vend për dyshime.

AMP deklaron se ndaj të riut nuk është ushtruar dhunë, ndërsa familjarët e tij pretendojnë se i riu u ka ngelur në “dorë policëve”.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që punonjësit e policisë akuzohen për dhunë apo tejkalim të kompetencave.

Vrasja e Klodian Rashës tronditi edhe politikën

Rasti më i bujshëm është vrasja e Klodian Rashës nga polici Nevaldo Hajdaraj, i dënuar me 10 vjet burg për “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.

Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar për shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.

Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar që në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap.

Pak orë pas ekzekutimit të tij, Policia e Shtetit lëshoi versionin se viktima ishte i armatosur dhe në një moment është kthyer nga efektivët që po e ndiqnin, duke i drejtuar një objekt që në dukje ngjante me një armë zjarri.

Gjë që u përgënjeshtrua nga familjarët dhe më pas u rrëzua edhe nga ekspertët.

Kjo hipotezë mori jetë edhe pas gjetjes së një pistolete pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por që më pas rezultoi se nuk i përkiste 25-vjeçarit.

Ndërkohë, policia sekuestroi dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit.

I riu nuk mbërriti me shenja jete në spital, pasi plumbi që kishte marrë në kokë e kishte lënë të vdekur në vend.

SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standarte të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Dy ditë pas ngjarjes dhe protestave të dhunshme në rrugë, kryesisht në Tiranë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Zjarrvënia e qëllimshme e Arben Mici në Kamëz

Një ngjarje e rëndë u regjistruar pak më shumë se një muaj më parë, pikërisht në ambientet e një komisariati policie.

Bëhet fjalë për komisariatin numër 5 në Kamëz, ku si pasojë e një zjarri të rënë në ambientet e dhomave të personave të ndaluar, 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën i asfiksuar nga tymi.

Në këtë ngjarje, një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie, u dërguan në spital, por pa pasoja për jetën.

Mici, banues në Çerkezë, kishte dhunuar nënën e tij dhe ishte arrestuar.

I mësuar me shoqërime të herëpashershme, ai ndezi dyshekun prej sfungjeri dhe duke u mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit, priti fundin e jetës.

Nuk u përgjigj edhe atëherë kur policët e kërkonin nëpër tym dhe flakë. Teksa shumë pikëpyetje rëndojnë mbi policinë e Kamzës dhe çdo ambient tjetër paraburgimi në komisariatet e kryeqytetit, efektivi Hajredin Boja dhe inspektori Fatmir Isufi ndodhen në burg.

Hetimet zbuluan se oficerët e sigurisë nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda.

Ekspertët e kriminalistikës gjetën materiale batanijesh dhe sfungjeri, si dhe një paketë duhani me tetë filtra.

Ndërkohë që në trupin e Arben Micit iu gjetën në xhepa pesë cigare, një paketë ‘Slims’, si dhe një çakmak me ngjyrë blu, me mbishkirmin “Bic”, ku këmbëza e gazit mungon.

Sipas ekspertëve, brenda tij kishte ka gaz, pasi u provua se çakmaku ndizej normalisht.

Vdekja e dyshimtë e Enea Ftoit në Korçë

Vdekja e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili humbi jetën në komisariatin e Korçës në 17 maj 2018, ka mbetur akoma e pazbardhur, të paktën sipas familjarëve.

Prokuroria e Korçës e ka pushuar hetimin në lidhje me rastin e vdekjes në komisariat të të riut.

Prokurori i kësaj çështje, ka deklaruar se fakti i ndodhur nuk përbën vepër penale dhe prandaj kishte vendosur që të pushonte hetimin.

Në përfundim të hetimeve, çështja iu dërgua gjykatës, me kërkesë për pushimin e çështjes, edhe pse Avokati i Popullit dyshon se kamerat nuk kanë funksionuar.

“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, si pasojë e ishemisë akute të miokardit.  Enea Ftoi ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri”, - referoi prokurori i çështjes asokohe.  

Prokuroria mori dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohën kur i riu ndodhej i shoqëruar.

Por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës, thuhej në argumentimin e  prokurorit.

Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte, pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’.

Ftoi, ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij.

Ndonëse familjarët e prisnin në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë.

Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda për policinë, pasi kishin dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen.

Nga komisariati në spital me duar të thyera: Më rrahu policia!

Një tjetër akuzë për shkelje të rëndë të rregullave, vjen nga një 39-vjeçar nga Tirana, i cili akuzon policinë për dhunë.

Arsen Qose, banues në kryeqytet, doli më 16 prill me duar të fashuara e hematoma në Gjykatë.

I riu akuzohej për mosbindje të forcave të policisë, por vetë Qose pretendon të kundërtën.

Pak ditë më parë, ai kishte festuar ditëlindjen në barin e një hoteli ku ishte akomoduar në Dajt.

Por, në gjendje të dehur, ai ishte zhveshur, gjë që ka bërë që pronari i hotelit të thërrasë forcat e policisë e ta denoncojë për lakuriqësi.

Arsen Qose u arrestua, por nga komisariati, përfundoi me të dyja duart e thyera në spital dhe për këtë i riu akuzon oficerët e policisë.

“Më kanë rrahur e më kanë masakruar policia, m’i ka thyer, është raporti i Spitalit Ushtarak, kam qenë i pavetëdijshëm”,- tha ai nga kafazi i mbyllur.

Ai doli përpara gjykatës për akuzën e kundërshtimit të policisë, meqenëse sipas Prokurorisë nuk iu bind oficerëve kur tentuan ta shoqëronin.

Por në procesverbale, edhe oficerët e policisë pretendojnë se janë dhunuar nga qytetari i dehur dhe se kanë fraktura.

2 Komente

  1. B
    Berti

    Ligji arkaik dhe komunist shqiptar. Në vendet demokratike asnjë stacion policie nuk ben ndalime në qendrat e veta, por menjëherë sa e shoqëron qytetarin e merr në pyetje në makinë ose në stacion në prani të avokatit. Kur i ndalojnë ose arrestojnë i çojnë direkt në burgje, që janë institucione të pavarura nga policia, të specializuara për të mbajtur dhe mbikëqyrur këtë kategori. Pa thoni o njerëz, përse shoqerohen njerëz në komisariate (patjetër që konsiderohet provim lirie) nuk u jepet e drejta e avokatit, por pallohen me dru dhe abuzohen verbalisht dhe fizikisht pa asnjë mbrojtje, dhe kur vijnë pasojat e renda është prapë policia që heton policine. Vend primitiv, përse duhet të hetohen krimet e policëve ose në komisariate nga Ministria e Brendshme, kur bota ia delegon Ministrive të tjera si Ministria e Mbrojtjes. Po ashtu nekropsine dhe këqyrjen e viktimës duhet ta bëjnë mjekësia ligjore e një qyteti tjetër duke i dhënë edhe mundësi familjes së viktimës të kryejë edhe autopsi nga ekspertë private kur nuk është dakord me aktin e ekspertimit. Dhe në fund secili të mbajë përgjegjësi penale, civile dhe administrative. Kush ka përgjegjësi duhet të dënohet penalisht dhe të shpërblejë financiarisht edhe personin e dëmtuar apo familjen e tij. Ky duhet të jetë ligji por që fatkeqësisht Shqipëria është vend policor ku merren nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve. O sa kënaqësi me qene shqiptar.

    Përgjigjjuni
    1. c
      cun tirone

      e ke thene fiks por kush po e rruan per komentet tona. vazhdon rrumpalla i cop polic thish te tregon ligjin dhe nuk guxon te kundershtosh se nuk ta var asnje deri ne nivele te larta ruajne njeri tjetrin ne shkelje te hapur te ligjit

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje