Një i ri ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi kundrejt pagesës 1500 euro për person. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Artur Marku.
Në gjendje të lirë janë proceduar edhe emigrantët, për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.
“Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra drejt Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "By pass", tha policia vendore.
Policia sqaroi gjithashtu se i prangosuri Marku është i dënuar më parë për vjedhje, kurse këtë herë rëndojnë akuzat "ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe "drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Aksioni është kryer në afërsi të rrethrrotullimit "5 Heronjtë e Vigut", kur shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar pa leje drejtimi, një automjet tip "Audi", me të cilin po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje